Dr. Fedhon Meksi: SHTETI I ALI PASHËS – SHTET SHQIPTAR I PAVARUR (8)
Dr. Fedhon Meksi
X. SHTETI I ALI PASHËS – SHTET SHQIPTAR I PAVARUR
“Rilindja synonte që të çlironte vendin nga sundimtarët e huaj osmanë, të bashkonte trojet shqiptare në një shtet të vetëm të pavarur dhe të hapte rrugën e zhvillimit dhe të përparimit ekonomiko-shoqëror, politik e kulturor të Shqipërisë”. (HPSh, II, Toena, Tiranë, 2002, f. 37). Ndryshimet sociale dhe politike që u shfaqën në trojet shqiptare gjatë fundit të shek. XVIII dhe fillimit të shek. XIX, ndryshime që e drejtuan shoqërinë shqiptare në një periudhë të re zhvillimi, konstituimi i shteteve-pashallëqe shqiptare dhe veçanërisht shteti që kishte në krye Ali pashë Tepelenën, paraqitnin një fenomen përparimtar për interesat kombëtarë të popullit shqiptar. Megjithatë, ende 200 vjet pas shkatërrimit të shtetit të Janinës, ekziston një lloj konfuzioni lidhur me vlerësimin e këtij shteti për sa i përket thelbit, karakterit, funksioneve të brendshme dhe të jashtme dhe veçanërisht aspektit të tij kombëtar. Për këtë qëllim do të përpiqemi të analizojmë shtetin e Janinës dhe të vlerësojmë themeluesin e tij, fillimisht nëpërmjet këndvështrimit të historianëve dhe studiuesve shqiptarë që kanë botuar libra për jetën dhe veprën e Ali pashë Tepelenës. Katër pyetje mendojmë se formojnë boshtin e studimit tonë:
- A ishte shteti i Janinës një shtet i vërtetë?
- A ishte shteti i Janinës shtet i pavarur, vasal apo autonom?
- A ishte shqiptar shteti i Janinës?
- Ali Pasha, ideuesi dhe themeluesi i shtetit të Janinës, a ishte i brumosur me ndërgjegjen kombëtare shqiptare?
Përgjigjet për secilën nga katër pyetjet e mësipërme paraqiten kronologjikisht. Për idetë dhe konceptet kemi shfrytëzuar këto burime:
– Botimin akademik Historia e Popullit Shqiptar. (HPSH, I, 2002).
– Vangjel Th. Meksi (1903-1983) – jurist, historian: Shteti feudal vasal shqiptar i Shqipërisë së Jugut dhe Epirit, 1957. (G. Th. Meksi & V. Th. Meksi: Ali pashë Tepelena, Tiranë, 2014, f. 114-215).
– Ligor Mile (1921-1995) – historian: Mbi karakterin e pushtetit të Ali pashë Tepelenës. (Sur le caractere du pouvoir d’Ali pascha de Tepelene), Studia albanica, 1, Tiranë, 1966).
– Grigor Gjika (1914-1995) – jurist, historian: Pashallëqet feudale shqiptare, në: Historia e shtetit dhe e së drejtës në Shqipëri, Tiranë, 2007.
– Filip Liço (1915-2011) – historian: Probleme të marrëdhënieve greko-shqiptare, Neraida, Tiranë, 2009, f. 87-103.
– Irakli Koçollari – jurist, historian: Policia sekrete e Ali Pashës, I-II, Tiranë, 2009; Ali Pasha dhe Shqipëria në arkivat britanike, Tiranë, 2013.
- A ishte shteti i Janinës një shtet i vërtetë?
Historia e Popullit Shqiptar – “Ali Pasha kishte për qëllim të arrinte shkëputjen e pashallëkut të Janinës nga varësia e Stambollit dhe ta shndërronte atë në një shtet shqiptar të pavarur ose autonom. Me gjithë këtë edhe në pashallëkun e Janinës, ashtu sikurse në atë të Shkodrës, pushteti ishte i deleguar nga sulltani sovran dhe ushtrohej në emër të tij. Prandaj edhe Pashallëku i Janinës mbeti një zotërim autonom pa u kthyer ende në një shtet shqiptar. Deri në vitin 1812, edhe pse rreziku i copëtimit të perandorisë ishte në rendin e ditës, Ali Pasha nuk u shpall dot sundimtar i pavarur, sepse mungonin për këtë akt kushtet e brendshme. Ai nuk kishte mundur të shtrinte e të konsolidonte pushtetin e vet mbi sanxhaqet e tjera të Shqipërisë Jugore dhe nuk kishte mundur t’i jepte fund anarkisë feudale” (f. 671). Vangjel Th. Meksi – “Shqipëria e Jugut dhe Epiri u kthyen gjatë kohës së Ali Pashës në shtet feudal vasal. Kjo del në mënyrë të padyshimtë po të shqyrtohen funksionet që janë ushtruar prej tij kur Ali Pasha bashkoi në një njësi tokësore Shqipërinë e Jugut dhe Epirin dhe përqendroi në duart e tij administratën e këtyre krahinave. Ky përfundim mbështetet mbi analizën e dy funksioneve kryesore sipas kritereve shkencore mbi shtetin:
Veçoria e parë është fuqia detyruese e shtetit, që realizohet prej një kategorie të veçantë funksionarësh që qeverisin banorët e shtetit. Ky aparat i shtetit është i organizuar sipas kriterit të sistemit administrativ, është i pajisur me mjete të posaçme shtrënguese dhe me bazën materiale përkatëse që sigurohet nëpërmjet taksave.
Veçoria e dytë e pushtetit shtetëror është karakteri i tij sovran, d.m.th. pavarësia e pushtetit nga çdo pushtet tjetër brenda ose jashtë kufijve të tij.
Ky sovranitet në marrëdhëniet ndërkombëtare quhet edhe pavarësi dhe ka për bazë (condicio sine qua non) sovranitetin ose autonominë e brendshme. Një shtet që nuk do të ishte në gjendje të mbronte sovranitetin e brendshëm, nuk do të kishte mundësi për të pasur dhe ushtruar sovranitetin e jashtëm. Të dy veçoritë e mësipërme gjenden në shtetin e Ali pashë Tepelenës”.
Ligor Mile – “Studimet mbi thelbin, karakterin dhe funksionet e brendshme dhe të jashtme të shtetit të Ali pashë Tepelenës kanë dalë në përfundim se ky shtet kishte tiparet e një shteti të vërtetë, në fakt i pavarur, por i panjohur de jure nga Porta e Lartë dhe shtetet e tjera europiane edhe pse Veziri i Janinës kishte marrëdhënie direkte me ta. Njohja de jure e shtetit të Ali Pashës nuk mund të ngrihej në mënyrë urdhëruese imperative, derisa ai nuk e kishte shpallur publikisht pavarësinë e shtetit të tij. Dihet se nuk është e domosdoshme njohja e një shteti nga vendet e tjera, që shteti i dhënë të jetë subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Njohja formale e pavarësisë dhe sovranitetit të një shteti nuk mund të prekë thelbin, esencën” (f. 157). Grigor Gjika – “Në tërë veprimtarinë e tij, në fushën e politikës së brendshme e të jashtme, Aliu përgjithësisht kishte si objektiv të krijonte një shtet të pavarur dhe sovran shqiptar. Pashallëku i Janinës nën sundimin e Ali pashë Tepelenës nga pikëpamja organizative, d.m.th. nga pikëpamja e mënyrës së ushtrimit të pushtetit dhe realizimit të funksioneve të tij, kishte tiparet e një shteti, por pushteti shtetëror nuk ishte origjinal në kuptimin juridik” (f. 223). Filip Liço – “Ali Pasha në mendimet reformatore të tij kish parashikuar që shteti i tij realisht jo i varur nga sulltani të kishte një kushtetutë”. Për këtë arsye ai “dërgoi në Korfuz këshilltarin e tij të besueshëm politik Kollovo, të studionte ligjshmërinë moderne për të zbatuar reformat kushtetuese që kërkonte klasa e re shoqërore e tregtarëve dhe esnafëve që u formua në Janinë” (f.89). Irakli Koçollari – “Por, interes të veçantë paraqet qëndrimi zyrtar i Gjeneralit Britanik Maitland ndaj Ali Pashës dhe pashallëkut të tij. Ai i drejtohet Ali Pashës si përfaqësuesi zyrtar i një vendi më vete. E shikonte Ali Pashën si interlokutorin legjitim të një vendi të pavarur dhe sovran dhe jo si guvernatorin e një prej provincave në varësi të kësaj Perandorie. “Duket qartë se këto kohë britanikët e shikonin Pashallëkun e Janinës si një vend të pavarur dhe sovran, me përfaqësuesin legjitim të të cilit, Ali Pashën, ata bisedonin në pozitat e partnerit” (f. 403).
- Shteti i Janinës ishte shtet i pavarur, vasal apo autonom?
Historia e Popullit Shqiptar – “Duke ngritur në gjithë hapësirën nga Thesalia në Shkumbin një aparat administrativ e ushtarak të posaçëm që vepronte brenda pashallëkut sipas vendimeve të tij, duke lidhur marrëveshje politike, ushtarake, ekonomike me shtete të huaja pa pëlqimin e dijeninë e Portës së Lartë dhe duke shtrirë pushtetin e tij në territore të qeverisura nga funksionarë të emëruar prej Sulltanit, Ali Pasha qeverisi në mënyrë autonome. Prandaj Pashallëku i Janinës ashtu si edhe ai i Shkodrës nga pikëpamja organizative dhe nga pikëpamja e mënyrës së ushtrimit të pushtetit ka tiparet e një shteti në fakt autonom”. Vangjel Th. Meksi – “Në kohën e Ali pashë Tepelenës Shqipëria e Jugut dhe Epiri u kthyen në shtet feudal shqiptar. Ky shtet u bë krejt i pavarur në kohën e fundit kur Ali Pasha u shpall fermanli, ndërsa më parë ishte vasal ndaj sulltanit, mbasi ai njihte sovranitetin e tij dhe merrte çdo vit sipas zakonit emërimin si guvernator i Janinës, duke i dërguar Qeverisë së Stambollit shumën e caktuar vjetore nga taksat që mblidhte në vendin e tij”.
Ligor Mile – “Ky shtet kishte tiparet e një shteti të vërtetë në fakt i pavarur…”
Grigor Gjika – “Është e vërtetë se Ali pashë Tepelena largohej gradualisht nga varësia prej Stambollit. Kërkesave të Portës u përgjigjej vetëm kur nga plotësimi i tyre nuk cenoheshin interesat e tij. Në administrimin e brendshëm të pashallëkut ai vepronte në mënyrë të pavarur, lidhte marrëveshje me shtetet e huaja pa pëlqimin e Portës së Lartë ose kundër interesave të Perandorisë. Shtrinte kufijtë e Pashallëkut të Janinës mbi territore të pashallëqeve të tjera duke vendosur aty si qeveritarë njerëz të besimit të tij. Këtë rrugë Aliu e ndoqi gjer në fund duke zhvilluar veprimtarinë autonome në ushtrimin e pushtetit të tij politik, por pushtetin ai nuk e ushtronte jure proprio, por në bazë të ligjeve të Perandorisë Osmane. Pushteti i tij ishte pushtet i deleguar, pushtet që ushtrohej me autorizim të një pushteti më të lartë. Në procesin politiko-shoqëror që u zhvillua në këtë pashallëk, autonomia nisi të krijohet dhe të kristalizohet si burim parësor i ushtrimit të pushtetit i pavarur nga qeveria qendrore e Stambollit. Por ky shndërrim nuk ishte përfundimtar, as i qëndrueshëm. Për këtë arsye pashallëku i tij mbeti një zotërim autonom, në të cilin u krijuan premisat për krijimin e shtetit, por ky proces nuk u përfundua” (f. 224).
Filip Liço – citon J. Kordhatos që shkruan: “I pari Ali Pasha u vu ta bëjë Shqipërinë shtet të pavarur shqiptar. Por kjo qe e parakohshme. Shqiptarët akoma nuk kishin formuar ndërgjegjen kombëtare të tyre”( po aty, f. 95). Irakli Koçollari – “Duke konkluduar rreth suksesit të mundshëm të Pashait të Janinës, Kapiteni Britanik U. M. Lik (Janinë, më 12 tetor 1809) na bën me dije synimet dhe planet e hershme të Ali Pashës për një shtet të mëvetësuar. Ai nënvizonte se: Nëse Pashai do të jetë i suksesshëm në realizimin tërësor të ekspeditave që është duke ndërmarrë aktualisht, ai do të jetë zot i tërë brigjeve perëndimore të Greqisë nga kepi i Matapanit gjer në afërsi të Durrësit, dhe në këto rrethana ka shumë mundësi që ai pa hezituar të shpallë vetveten Zot (mbret) të këtij vendi, të cilin ai e ka pretenduar që shumë herët” (f. 403).
- A ishte shqiptar shteti i Janinës?
Historia e Popullit Shqiptar – “Pashallëku i Janinës mbeti një zotërim autonom pa u kthyer ende në një shtet shqiptar” (f. 671).
Vangjel Th. Meksi – “Shteti feudal vasal i Shqipërisë së Jugut dhe Epirit ishte shtet shqiptar dhe mori këtë ngjyrë që në ditët e para të formimit të tij. Dhe ja sepse:
– Shumica e popullsisë, kryetari i shtetit, shumica e ushtarëve dhe komandantët e tyre ishin shqiptarë.
– Në marrëdhëniet me Fuqitë e Mëdha Aliu paraqitej si shqiptar dhe si kryetar i një shteti shqiptar.
– Në oborrin e Aliut ishin shqiptarët myslimanë e të krishterë, që mbizotëronin dhe gëzonin besimin e tij etj”.
Ligor Mile – “Edhe pse Pashallëku i Janinës përfshinte jo vetëm troje shqiptare, por edhe territore të vendeve fqinje, veçanërisht greke, asgjë nuk do të mjegullonte qenien kombëtare shqiptare të pushtetit të Ali pashë Tepelenës. Ky pushtet ruajti një karakter thellësisht shqiptar, pavarësisht nga fakti që Ali Pasha nuk ndoqi një politik të pastër kombëtare, një fenomen i zakonshëm në histori gjatë formimit të shteteve kombëtare të centralizuara” (f. 153). Grigor Gjika – “Pashallëku i Janinës nën sundimin e Ali pashë Tepelenës nga pikëpamja e karakterit kombëtar ishte zotërim feudal autonom shqiptar. Vetë Aliu ishte shqiptar, brenda kufijve të pashallëkut përfshihej një pjesë e madhe e Shqipërisë. Klasa drejtuese në shumicën e saj përbëhej nga shqiptarë, në postet më të rëndësishme ushtarake e administrative ishin vendosur shqiptarë, mbështetja e tij shoqërore ishin feudalët e vegjël shqiptarë” (f. 225). Filip Liço – citon J. Kordhatos “kur pohon lidhur me formimin e një shteti të pavarur shqiptar”(f. 96). Po në këtë faqe F. Liço vazhdon: “Lidhur me karakterin e shtetit që ëndërronte Ali Pasha, profesor Aleks Buda bën fjalë për një shtet të pavarur dhe jo për një shtet të pavarur shqiptar. Për këtë çështje thelbësore të shtetit të Aliut ai shkruan: “Si rezultat i kësaj politike të ndjekur me këmbëngulje Ali pashë Tepelena arriti të formonte një shtet, i cili, edhe pse formalisht bënte pjesë akoma në kuadrin e Perandorisë Osmane, në të vërtetë ishte i pavarur”. (A. Buda, Shkrime historike, 4, Tiranë, f. 142)
Irakli Koçollari – “Por ajo që të bën veçanërisht përshtypje… janë synimet nacionale. Ky pohim e vë Aliun në radhën e një hegjemoni me ëndrra shtetformuese nacionale si një ndër pionierët e parë në Evropën e revolucioneve të shekujve të 18-të e 19-të” (f. 335).
- Ali Pasha, ideatori dhe themeluesi i shtetit të Janinës, a ishte i brumosur me ndërgjegjen kombëtare shqiptare?
Historia e Popullit Shqiptar – “Qysh në vitet e para të sundimit të vet Ali pashë Tepelena formoi bindjen se Perandoria Osmane po shkonte drejt greminës. Për rrjedhim, ai dhe shtresa e çifligarëve që përfaqësonte, për të shpëtuar pasuritë dhe pushtetin e vet, ndoqi rrugën e shkëputjes së pashallëkut. Në muajin prill të vitit 1820 Ali Pasha nuk guxoi të hidhej në kryengritje për t’u shpallur sundimtar i pavarur ose edhe vasal i sulltanit. Po kur sulltan Mahmuti II filloi zbatimin e reformave centraliste, Ali Pasha pa qartë se shtresa feudale shqiptare do të humbiste privilegjet politike dhe ekonomike, kurse vendi do të ndiente në kurrizin e tij gjithë peshën e pushtimit të ri osman. Aliu nuk pranoi të nënshtrohej, po u ngrit mbi interesat e veta dhe luftoi deri në fund për një çështje më të madhe: për shkëputjen e vendit me luftë nga sunduesit shekullorë osmanë” (f. 671).
-“Në shkurt të vitit 1808 gjenerali Bertje kërkoi dorëzimin e Butrintit. Pasi u deklaroi diplomatëve dhe ushtarakëve francezë se “nuk do ta lëshojë Butrintin dhe asnjë pëllëmbë të tokës shqiptare pa luftë”, Ali Pasha e shpalli në popull ultimatumin francez dhe bëri thirrje për mbrojtje. Popullsia e përkrahu qëndrimin e vezirit të Janinës” (f. 647). Vangjel Th. Meksi – “Është fakt se Aliu e dinte mirë historinë e Piros, Filipit, Lekës së Madh dhe të Skënderbeut. Jani Koleti, kryeministri i parë i Greqisë, që studioi për mjekësi me paratë e Ali Pashës, ka shkruar se Ali Pasha e dinte se kishte lindur nën po atë qiell që panë për herë të parë dritën Filipi, Leka i Madh, Piro dhe Skënderbeu”.
-“Ambicia e Aliut ishte të krijonte dhe të përjetësonte një shtet. Ky shtet filloi të ngrihej në tokat shqiptare nga shqiptarët dhe përfundoi në një shtet shqiptar i sunduar nga shqiptarët”.
-“Për të paraqitur më mirë aspektet kombëtare të veprimtarisë së Ali Pashës mund të na shërbejë gjithashtu edhe terminologjia që ai përdorte në marrëdhëniet diplomatike me shtetet evropiane. Në një sere dokumentesh shfaqet emri i Shqipërisë dhe i popullit shqiptar, të cilët Ali Pasha nuk i përmend rastësisht. Në letrën e rekomandimit me të cilën Vangjel Meksi, mjeku i ardhshëm i Ali Pashës, do të paraqitej tek Ferdinandi I Burbon, mbret i Napolit, theksonte se ai interesohej për civilizimin e popullit shqiptar dhe vepronte në emër të kombit shqiptar”. Ligor Mile – “Ali Pasha nuk u kufizua vetëm me konsolidimin e pushtetit të tij në Shqipërinë e Jugut. Duke filluar nga viti 1809 ai organizoi orvatje të shumta që kishin për qëllim zgjerimin e pushtetit të tij si në Jug ashtu edhe në Veri të Shqipërisë. Ai kërkonte të bëhej në këtë mënyrë komandanti absolut i gjithë Shqipërisë. Janë të shumta dokumentet që mund të sqarojnë vendin e aktivitetit politik të Aliut në historinë moderne të Shqipërisë:
-Sipas zv-konsullit francez në Janinë, “ishte raca shqiptare që dominonte në Shtetin e Ali Pashës”.
-Qeveritë evropiane e quanin Janinën si kryeqytetin e Shqipërisë, kurse konsulli i Francës në Janinë mbante zyrtarisht titullin e konsullit të përgjithshëm të Francës në Shqipëri.
Aktiviteti politik dhe kombëtar i Ali pashë Tepelenës tregon se ai ishte i frymëzuar me idetë e nacionalizmit feudalo-monarkik shqiptar. Kjo ideologji u përqafua nga një pjesë e klasës drejtuese feudale shqiptare që kaloi në opozitë me Portën e Lartë, meqenëse kërkonte formimin e një shteti shqiptar të pavarur. Ali Pasha do të konsiderohej hero kombëtar jo vetëm nga folklori shqiptar, por edhe nga disa ideologë eminentë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ndër ta Faik Konica, Dora d’Istria, Ilo M. Qafëzezi etj.” (f. 153).
Grigor Gjika – “Aliu synonte të formonte një shtet shqiptar nën sundimin e tij personal. Rrethanat politike nuk lejuan krijimin e premisave të nevojshme për formimin e idesë kombëtare, por është e padiskutueshme vetëdija shqiptare për forcimin e këtij koncepti dhe për lindjen e lëvizjes kombëtare shqiptare. Ai zbatoi lirinë e besimit, mori në shërbim të tij një numër jo të vogël të krishterësh, shpronësoi, zhduku ose nënshtroi feudalët turq ose feudalët e lidhur me Stambollin, përdori si gjuhë zyrtare gjuhën shqipe dhe atë greke, përkrahu zhvillimin e kulturës shqiptare dhe greke, ndërsa për kulturën e pushtuesit turk nuk tregoi asnjë interesim” (f. 225). Filip Liço – “Nëse Ali Pasha do të kishte menduar për të krijuar një shtet të pavarur shqiptar, atëherë Aliu do të ishte rilindësi i parë i Shqipërisë dhe për rrjedhojë Rilindja shqiptare do të kishte filluar më herët, aty nga fundi i shekullit XVIII” (f. 100).
Irakli Koçollari – e ka formuluar në këtë mënyrë pyetjen Nr.4 si dhe përgjigjet përkatëse: “Po a kishte Aliu sadopak, qoftë edhe heshtur, ndonjë ngacmim të veçantë nacional për shqiptarët dhe Shqipërinë? A kishte ngjizur tek ai apo formuar qoftë edhe në forma foshnjore ndjenja e gjakut të përbashkët, e gjuhës dhe e kombit?
- Rasti më i çuditshëm është ai kur Aliu zbriste me forcat e tij në luginën e Ohrit për t’u ndeshur me repartet shqiptare të Mehmet Bushatlliut, shkodranit. Siç na bën të njohur Shehreti, miku i Aliut, tepelenasi, për të shmangur gjakderdhjen mes shqiptarëve, i ka dërguar Pashait shkodran këtë mesazh paralajmërues: Por, si tanët, borxh mos mbetem, do ta them s’e fsheh, ta dimë, Mehmet Pashë japim besë, Të mos therim shqiptarinë”.( Koçollari, I.: Alipashaida e Haxhi Shehretit, 1998, f. 371).
- “Por rasti më i drejtpërdrejtë ku është shprehur qartas ndjesia dhe formimi i dukshëm nacional i Ali Pashës, është një thirrje e formuluar prej tij për të sensibilizuar shqiptarët me emrin e atdheut të tyre të kërcënuar në prag të sulmit përfundimtar të otomanëve, në vitin 1820: “Sepse tani kemi të gjithë një hall të vetëm si të shporrim turqit nga Shqipëria jonë e dashur”. (Pouqueville, F.: Voyage en Morea, a Costantinople…, Paris, 1825, f. 73).
Por fakti që ai u drejtohet luftëtarëve shqiptarë me fjalët Atdhe i dashur nënkupton që nocioni komb, atdhe dhe Shqipëri tek ai ka qenë një koncept i formuar dhe i shenjtë brenda tij”.
- “Në pikat 25 dhe 26 të Relacionit Ali Pasha flet për vendosmërinë e tij për të kundërshtuar dhe reaguar ndaj çdo tentative për agresion ndaj Shqipërisë nga ana e francezëve ose tekstualisht: për të përfunduar një herë e mirë luftën me Shqipërinë. Pra Ali Pasha nuk e sheh kërcënimin francez si një rrezik për Pashallëkun, por për Shqipërinë. Në thelb kjo frazë nënkupton se në vetë ndërgjegjen e Ali Pashës shqetësimi për të ishte nacional (për Shqipërinë) dhe jo administrativ (për pashallëkun). E thënë ndryshe, përmes këtyre fjalëve ne dallojmë ngjizjen e nacionalizmit brenda botës së Ali Pashës” (f. 425). Me këtë rast, vlen të njihet edhe opinioni popullor përcjellë nëpërmjet këngës që titullohet: “Kush ka par’ Asllan Alinë”, përzgjedhur nga Thimi Mitko dhe botuar në Thimi Mitko: Vepra, Tiranë, 1981: Kush ka par’ asllan Alinë, nd’atë të shkretën Janinë, ndë kala mbyllur të zinë, rreh të nkthenj (të çlirojë- F.M.) Shqypërinë. (Cituar nga Ll. Ruci, Ali Pasha tiran apo reformator f. 125).
KATËR PËRGJIGJE TË PËRMBLEDHURA PËR KATËR PYETJET
1.Historia e Popullit Shqiptar: “Pashallëku i Janinës mbeti një zotërim (pronë e dikujt, tokë, pyje etj.; pushtet, sundim – Fjalori i gjuhës shqipe) autonom, pa u kthyer ende në një shtet (tërësia e organeve qeverisëse) shqiptar”. Kurse më tej: “Pashallëku i Janinës nga pikëpamja organizative dhe nga pikëpamja e mënyrës së ushtrimit të pushtetit ka tiparet e një shteti në fakt autonom”. Edhe për Grigor Gjikën “Pashallëku i Janinës mbeti një zotërim autonom, në të cilin u krijuan premisat për krijimin e shtetit, por ky proces nuk përfundoi”. Irakli Koçollari dokumenton se Pashallëku i Janinës ishte njohur si shtet nga zyrtarë të Britanisë së Madhe.
2.Vangjel Th. Meksi mbron idenë se “Shqipëria e Jugut dhe Epiri u kthyen gjatë kohës së Ali Pashës në një shtet feudal vasal dhe në fund u shkëput krejtësisht nga Turqia (1820-1822)”. Kurse L. Mile shprehet se: “Ky shtet kishte tiparet e një shteti të vërtetë, në fakt i pavarur”. Pra, në studimet e paraqitura më sipër Pashallëku i Janinës nën sundimin e Ali pashë Tepelenës njihet si zotërim ose shtet autonom, vasal apo i pavarur.
3.Veçse Filip Liço citon Prof. A. Budën “… që bën fjalë për një shtet të pavarur dhe jo për një shtet shqiptar të pavarur”. Në këtë pozicion qëndron edhe Historia e Popullit Shqiptar tek shkruan se: “Pashallëku i Janinës mbeti një zotërim pa u kthyer ende në një shtet shqiptar”. Vangjel Th. Meksi, Grigor Gjika, Ligor Mile dhe Irakli Koçollari ndryshojnë në mes tyre vetëm në disa nuanca, kur pohojnë njëzëri se shteti (zotërimet) i Ali Pashës ishte shqiptar.
- Sipas Historia e Popullit Shqiptar, Ali Pasha nuk kishte vetëdije kombëtare. Veprimtaria e tij 33-vjeçare politike dhe ushtarake kishte si qëllim të vetëm, “… për të shpëtuar pasuritë dhe pushtetin e vet…”. Në pozita krejt të kundërta qëndrojnë studiuesit e hershëm shqiptarë, bashkë me ta edhe Irakli Koçollari, zbuluesi këmbëngulës i një numri impresionues dokumentesh me të vërtetë shteruese, që pa dyshim e ka bërë të domosdoshëm rishikimin dhe rivlerësimin e pozicioneve të historiografisë shqiptare dhe asaj të huaj lidhur me figurën e këtij shqiptari të madh, siç e quan Aristidh Kola Ali pashë Tepelenën.
XI. SHTETI I JANINËS DHE BASHKËPUNËTORËT E ALI PASHËS
Në fillim të vitit 1787 Ali Pasha u emërua guvernator i sanxhakut të Tërhallës, kurse në fund të po atij viti, duke përfshirë edhe Janinën, krijoi bërthamën e shtetit të tij të ardhshëm. Në vitin 1812, pasi vuri nën pushtetin e vet edhe Thesalinë, Morenë, Peloponezin, Maqedoninë Perëndimore dhe Shqipërinë Jugore nga Preveza deri në Shkumbin, familja e Ali Pashës arriti kulmin e fuqizimit të vet. I ngeli vetëm qyteti i Pargës pa e përfshirë në zotërimet e tij. Por edhe atë e bleu nga anglezët me para në dorë në vitin 1819. Nën pushtetin e Aliut ishin shtatë pashallëqe: Janina, Tërhalla, Elbasani, Berati, Delvina, Morea e Lepanto, që zinin një sipërfaqe rreth 18,240 km2. Po të shtohen edhe 35,000 km2 që zotëronin djemtë dhe nipërit e tij, atëherë sipërfaqja e përgjithshme arrinte afro 53,240 km2 dhe popullsia luhatej në shifrat 1,5 deri 2 milionë banorë. J. Bessier bën të ditur se: “Në fillim të shek. XIX, popullsia e hapësirës gjeografike nën sundimin e Ali pashë Tepelenës përbëhej prej 1,430,000 banorësh, prej të cilëve 780,000 ortodoksë shqiptarë dhe grekë, 662,000 myslimanë dhe 22,000 hebrenj. (Cituar nga Ll. Ruci, Ali Pasha tiran apo reformator f. 125). Fëmijët e Aliut ngjanin si oborrtarë të mbledhur rreth sovranit, por edhe si djemtë pranë babait. Në të vërtetë pashallëqet që Ali pashë Tepelena sundonte dhe ato të djemve dhe nipërve të tij formonin pashallëkun e Janinës që sundohej nga vetë ai. Aliu i ktheu këto troje në oaza të lulëzuara ku mbretëronte rregulli dhe qetësia, ndryshe nga realiteti që ekzistonte kudo në Perandorinë Osmane, ku anarkia feudale vazhdonte të bënte kërdinë. Ky shtet ishte produkt i Ali Pashës si ushtarak i talentuar, administrator i lindur, vizionar pa kufi, reformator si vetëm ai, por mbi të gjitha i aftësisë së sprovuar për të formuar ekipin e tij. Ekipi i Aliut ishte i përbërë nga elementë të përzgjedhur me kujdes që i karakterizonte mençuria, besnikëria dhe aftësia për të hapur rrugët e zhvillimit dhe përparimit drejt realizimit të ëndrrave që Aliu synonte. Nga këta njerëz, pjesa më e madhe e të cilëve ishin shqiptarë, Aliu zgjidhte shtatë anëtarët që përbënin Oborrin (Divanin), i cili luante rolin e një organi ndihmës e konsultativ dhe mblidhej nën kryesinë e tij sa herë paraqiteshin ngjarje të rëndësishme. Në mungesë të Ali Pashës, në drejtim të pashallëkut, sipas rastit, atë e zëvendësonin djali i madh Muhtar Pasha, ose i dyti Veli Pasha. Këshilltarët që bënin pjesë në Oborrin e Aliut, zakonisht zinin poste me rëndësi edhe në administratë e ushtri. Ndër ushtarakët, më i spikaturi pa dyshim ishte Thanas Vaja nga Lekli i Rrëzës (Tepelenë). Ai ishte i biri i një prej miqve më të afërt të rinisë së Aliut. Fillimisht i shërbeu Aliut si bodigard (bodyguard) dhe më pas kreu funksionet si ministër i Brendshëm, Komandant i Gardës dhe Kryekomandant i të gjitha forcave ushtarake të Vezirit. Sipas Smart Huges: “Thanas Vaja ishte gjenerali më i suksesshëm dhe më për zemër i Ali Pashës. Këtij njeriu i janë besuar sekretet më intime të padronit të tij. Ai ka liri veprimi për të kryer gjithçka, kur Aliu ndodhet larg apo nuk merret personalisht me punët e Pashallëkut”. (Huges, S.:“Travels in Sicili, Greece and Albania.”, 1815, f. 180-181). Thanas Vaja mbeti deri në fund njeriu më i besuar i Pashait dhe zbatuesi kryesor i veprimeve më të rëndësishme të Pashallëkut. Pas vrasjes së Aliut ishte ai që e shoqëroi deri në fund Vasiliqinë, gruan e zotit të tij, me të cilën ishin vëllamër, kishin pirë gjakun e njëri-tjetrit. Ushtarakët e tjerë që bënin pjesë në Oborrin e Aliut ishin që të gjithë shqiptarë, miq të Aliut dhe të familjes së tij. Meço Bono dhe Ago Myftari, komandantë të talentuar ushtarakë, si dhe Abaz Efendiu me të birin Tahir Abazi, themeluesit e strukturave të para policore, ishin nga fshatrat e Tepelenës, kurse Dervish Hasani nga Çamëria dhe Omer bej Vrioni nga Delvina.
Mirditori Preng Lleshi ishte komandanti i trupave speciale, kurse Ali Arapi nga Etiopia drejtoi disa nga operacionet ushtarake më të rëndësishme. Në Oborrin e Aliut bënin pjesë edhe Ali Gega, Ago Vasiari dhe Taq Bylykbashi, që të gjithë komandantë ushtarakë, si edhe kolonjari Zylyftar Poda (?-1835)*, njëri nga njerëzit më të rëndësishëm nën Vezirin. (Pas shembjes së Pashallëkut të Janinës, Zylyftar Poda u hodh në radhët e krerëve feudalë të pakënaqur dhe mori pjesë në kuvendin e Beratit (1828). Më 1830 u përpoq, por pa sukses, të shtrinte kryengritjet lokale në një kryengritje të përgjithshme shqiptare në bashkëpunim me krerë të tjerë feudalë të Shqipërisë së Jugut dhe me Mustafa pashë Bushatin. Në vitin 1833 pranoi të vinte në jetë planin e hartuar së bashku me Mehmet Ali Pashën e Misirit për organizimin e një kryengritjeje në Shqipëri, por edhe këtë radhë dështoi. Në vjeshtën e vitit 1835, me urdhër të sulltanit, u vra bashkë me fëmijët).
Sipas S. Aravantinos dhe Ibrahim Manzour Efendi-ut, ushtria e rregullt e Ali Pashës përbëhej nga tre batalione këmbësorie, një kompani kalorësie, një batalion sulmi, batalioni i çohadarëve (xhandarmëria), një formacion artilerie, formacioni i xhenios, garda personale e Aliut etj. Si komandantë të këtyre forcave përmenden: Kasem Damëza, Veis Vasiari, Pano Lekli, Stefo Dulla nga Nivicë-Bubari dhe Strati Gjika nga Dhërmiu. (Aravantinos, S.: Ali pashë Tepelena, po aty, 1895, f. 343 dhe Ibrahim Manzour Efendi: Memoires sur la Grece et l’Albanie, 1827, f. 221).
Si organizatorë ushtarakë shërbenin edhe disa të huaj të cilët thirreshin në Oborrin e Aliut sipas situatave që paraqiteshin. I tillë ishte oficeri francez Ibrahim Manzur Efendi, të cilin Aliu e përdorte edhe si këshilltar politik dhe diplomatik, oficeri italian i artilerisë Agostino Fapano, oficeri i kavalerisë, veneciani Pescarini dhe italiani tjetër Marcelese për marinën. Gjatë 33 vjetëve të shtetit të Janinës Ali Pasha ka pasur në shërbimin e marrëdhënieve me jashtë disa këshilltarë politikë dhe diplomatikë duke filluar me filozofin dhe iluministin përmetar Kostandin Duka, italianin Marko Kurini (Myftar Efendi), përfaqësues i pashait në disa takime diplomatike të rëndësishme, epirotasin S. Kollovo, që zotëronte frëngjishten, italishten e gjermanishten dhe Mehmet Efendiun, që njihte mirë politikën e jashtme të kohës dhe zotëronte shumë gjuhë të huaja. Sekretari tjetër për problemet me jashtë, që merrej kryesisht me marrëdhëniet me Anglinë, ishte Said Ahmeti. Ai e njihte mjaft mirë anglishten dhe i shërbente Aliut jo vetëm si përkthyes, por u dërgua disa herë prej tij me shërbime të posaçme. Paqja anglo-osmane e vitit 1809 u vendos me ndërmjetësinë e Ali Pashës, i cili dërgoi për këtë qëllim në Maltë dhe Londër Said Ahmetin. (Letër e Pukëvilit drejtuar Dukës de Bassano, cituar nga I. Ushtelenca, po aty, f. 58).
Aliu ngarkonte shpesh me misione diplomatike drejtorin e gjimnazit të Janinës, mikun e tij Psalidha. Psalidha kishte jetuar një kohë të gjatë në Vjenë dhe njihte mirë diplomacinë e kohës, gjuhën ruse, atë gjermane, si edhe frëngjishten. Për marrëdhëniet me Austrinë aktivizonte edhe Stavro Janin, ndërsa për Rusinë përdorte Marinogllunë dhe mitropolitin e Artës, Ignatin. Shpesh diplomatët e Ali Pashës i kryenin shërbimet në kryeqytetet e vendeve europiane të veshur me kostume kombëtare shqiptare.
Ndër intelektualët grekë të pranishëm në Oborrin e Janinës, të lidhur me Aliun me miqësi të kahershme dhe respekt reciprok, që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në realizimin e reformave në drejtim të arsimit, financave, doganave dhe administratës, duhen përmendur: filologu A. Psalidha, drejtor i gjimnazit Bolanu të Janinës, vëllezërit Zosimea, pronarë të gjimnazit me të njëjtin emër në Janinë, Stavro Jani (Kapalamos), këshilltar për financat dhe themelues i Bankës së parë Kombëtare Greke, Dr. Jani Koleti, përkthyes i shumë veprave shkencore dhe më pas kryeministri i parë i shtetit grek, Dr. Saqellari, filozof i mirënjohur për kohën, administratori i aftë Mantho Ikonomi, Kosta Gramatiko, Athanas Lidhoriqi, Athanas Karpenisioti. (Zotu, Dh. A.: Drejtësia në shtetin e Ali Pashës, 1938; cituar nga Meksi, V. Th., po aty, f. 13)
Aliu i përdorte këta grekë të ditur jo vetëm si këshilltarë të vlefshëm, por edhe si hallka të ndërmjetme për t’u lidhur dhe për të komunikuar me popullsinë greke që banonte në zotërimet e tij. Në Oborrin e tij Aliu mbajti pranë edhe Aleks Nuçon, përfaqësues i banorëve të 40 katundeve të Zagorit që formonin një lloj konfederate me vetëqeverim të një karakteri demokratik, (Meksi, Vangjel Th., po aty, f. 41) si edhe arkitektin Petro Korçari, autor i shumë veprave publike që u ndërtuan në kohën e Aliut. Në administratën e shtetit të Aliut ekzistonte një zyrë kancelarie ku ruheshin të gjitha fermanet, letrat dhe dokumentet. Nga kjo zyrë kryhej letërkëmbimi brenda dhe jashtë kufijve, hartohej korrespondenca me Stambollin si edhe me Fuqitë e tjera të Mëdha. Se sa rëndësi i jepte Aliu kësaj zyre duket nga fakti se turku Divan Efendiu, që e drejtonte atë, ishte një nga personat më të rëndësishëm të administratës që merrte pjesë edhe si këshilltar në Oborrin e Pashait. Drejtpërdrejt nga librat e autorëve të huaj, udhëtarë, misionarë ose edhe historianë, që vizituan Pashallëkun e Janinës dhe njohën personalisht Vezirin e njerëzit e tij, ose nëpërmjet citimeve të historianëve dhe studiuesve shqiptarë, identifikuam të gjithë bashkëpunëtorët që i qëndruan pranë Aliut gjatë 33 viteve të sundimit të tij, gjithsej 39. Për sa i përket përkatësisë etnike, 23 ishin shqiptarë, 7 prej të cilëve të krishterë; 10 grekë dhe 6 të huaj të tjerë (1 nga Etiopia, 1 nga Franca dhe 4 nga Italia). Studiuesi Vangjel Th. Meksi (1903-1983) duhet të kishte parasysh raportin numerik të paraqitur më sipër mes shqiptarëve dhe grekëve, anëtarë të Oborrit të Ali Pashës, kur shkruante qysh në vitin 1957: “Është e vërtetë se s’bëhej hiçgjë, as gjëja më e vogël, pa dijen dhe aprovimin e Ali Pashës. Ai ka qenë i vetmi që urdhëronte, por pranë tij kishte një qeveri të vërtetë, të përbërë prej personash të zgjedhur nga më të mirët midis shqiptarëve myslimanë dhe të krishterë, pa dallim feje dhe me kriter të vetëm zotësinë”.
Kurse H. Holland që në vitin 1815 dëshmonte se: “Pushteti i Ali Pashës ka bashkuar pjesën më të madhe të Shqipërisë dhe Thesalisë në një shtet të vetëm dhe ka asgjësuar kusarët që në të shkuarën kërdisnin këto provinca të pasura. Veziri e ka bërë kudo të sigurt komunikimin brenda për brenda dhe u ka kushtuar shumë vëmendje ndërtimit të rrugëve, ngritjes së urave dhe çështjeve të tjera të brendshme. Megjithatë, duhet pranuar se asnjë pikëpamje e mundshme e këtij lloji nuk i pajton grekët me qeverisjen e Aliut apo e bën atë të dashur me këta njerëz. Grekët që i shërbejnë Vezirit e bëjnë nga frika, zakoni ose interesi dhe ndërsa përsërisin shpesh nga buzët e tyre thënie si Ypselotatos (Lartësia e Tij) dhe il nostro Principe (Princi ynë), është e qartë se ata ndiejnë se sundimi i tij është njëkohësisht fatkeqësia dhe rrënimi i tyre.
Qeverisja e Ali Pashës nuk është popullore as për turqit që jetojnë nën të. Ai tregohet pa respekt si ndaj fesë ashtu edhe racës së tyre, aq më tepër në një sistem ku burrat vlerësohen nga shërbimi i tyre aktiv. Plogështia e përgjithshme që i karakterizon, i vendos turqit në vendin që u takon, ku ata bëhen të parëndësishëm sa edhe të tjerët.
Burimi i vërtetë i forcës së Ali Pashës është popullsia shqiptare e zotërimeve të tij. Tek ata ai nuk gjen vetëm forcën ushtarake tejet të efektshme, por edhe besimin dhe gatishmërinë e tyre. Duke qenë i lindur në mes tyre, edukuar me traditat dhe gjuhën e tyre dhe i ngritur në pushtet falë trimërisë së tyre, shqiptarët janë krenarë për bashkëkombasin e tyre dhe krenohen me lartimin e tij. Shërbimi ushtarak për shqiptarët nuk është një detyrim sesa zakon kombëtar që ushtrohet nën një komandant të cilin e respektojnë dhe e admirojnë. Ali Pasha është plotësisht në dijeni të vlerës së kësaj gatishmërie dhe e inkurajon atë me kujdes më shumë si prirje sesa si politikë. Kam pasur plot raste për ta vërtetuar këtë. Ai i avitet luftëtarit shqiptar më tepër si shok, flet me të në mënyrë gazmore familjare, njihet me familjen, meritat personale dhe shpërblen shërbimin e gjatë në detyrë me dhuratat më bujare.
Të gjitha postet ushtarake në zotërimet e tij u janë besuar shqiptarëve. Në mes të këtyre njerëzve përgjithësisht kam parë përkushtim dhe ndjenjë krenarie për madhështinë e zotit të tyre. Oborri i Aliut përbëhet nga shqiptarë, shumica prej tyre pasues të vjetër të familjes së tij në Tepelenë”. (Holland, H.: Mjek te Ali Pasha”, 2008, f. 123-125).
Aleksandër Duma, shkrimtari i njohur francez, dëshmon se: “Shqiptarëve u besoi postet më me rëndësi” (Dumas, A.: Crimes celebres, Paris, 1850, f. 9) kurse G. Remerand shkruan: “Në kundërshtim me rregullat e Portës dhe të paraardhësve të tij, u rrethua prej shqiptarësh si të krishterë ashtu dhe myslimanë, të cilëve u dha ofiqet ushtarake dhe nëpunësitë, duke përjashtuar vetëm turqit”. (Remerand, G.: Les grandes figures de l’Orient, Ali de Tepelene, Pacha de Janina, 1928, f. 28). Pas pohimeve të këtyre autorëve, disa prej të cilëve kanë jetuar në Janinën e Aliut dhe shumë fakteve dhe dokumenteve të tjera që më duket e tepërt t’i paraqes, më ngjan disi i sforcuar arsyetimi i mëposhtëm: “Më në fund përfshirja në pashallëkun e tij e dy kombësive krejt të ndryshme nga gjuha, nga historia dhe nga identiteti, siç ishin shqiptarët dhe grekët, e la shtegun e hapur për debatin historik se nga anonte peshorja politike e tij, në interes të politikës nacionale shqiptare apo të politikës greke”. (Frashëri, K.: Bajroni në Shqipëri dhe takimet me Ali pashë Tepelenën, Dudaj, Tiranë, 2009, f. 58)
XII. SHTET SHQIPTAR I PAVARUR DHE ME KUSHTETUTË TË SHKRUAR
Në librin voluminoz Probleme të marrëdhënieve greko-shqiptare (Neraida, Tiranë, 2009, f. 148) Filip Liço këtë herë me të drejtë shkruan: “Nëse Ali Pasha do të kishte menduar për të krijuar një shtet të pavarur shqiptar, atëherë Aliu do të ishte rilindësi i parë i Shqipërisë dhe për rrjedhojë Rilindja shqiptare do të kishte filluar më herët, aty nga fundi i shekullit XVIII”. Përgjigjen e ka dhënë Faik Konica qysh në vitin 1902. (Albania, shih Vepra, Dudaj, Tiranë, 1993). Ai shkruante: “Shqiptarët u ngjallën, u bashkuan, u ndjenë një komb nën sundimin e tij. Shihet sheshit se mendimi i tij qe çlirimi i Shqipërisë. Provat gjenden me qindra në jetën e Ali pashës. Princi Meternik, kancelari i atëhershëm i perandorisë austriake, shkruan në kujtimet e tij: Ali pasha më dërgoi një njeri të besës me një letër për të bërë një konstitucion për Shqipërinë”. Letra e Aliut drejtuar Meternikut dëshmon katërcipërisht për ekzistencën e projektit lidhur me krijimin e shtetit konstitucional shqiptar, pra shtet jo vetëm i pavarur, por edhe i drejtuar sipas një kushtetute të shkruar ashtu sikurse kërkonin qytetarët kryengritës të Parisit më 1789. E gjithë veprimtaria e Ali pashë Tepelenës, si në politikën e brendshme ashtu edhe në atë të jashtme, tregoi se ai u përpoq të jetë sundimtar i një shteti shqiptar të pavarur. Duke ngritur në gjithë hapësirën që kishte në zotërim, nga Thesalia deri mbi lumin Shkumbin, një aparat administrativ e ushtarak të posaçëm që vepronte sipas vendimeve të tij, duke lidhur marrëveshje politike, ushtarake dhe ekonomike me shtete të huaja pa pëlqimin e dijeninë e Portës dhe duke shtrirë pushtetin e vet edhe në territore të qeverisura nga funksionarë të emëruar prej Sulltanit, Ali Pasha qeverisi dukshëm në mënyrë të pavarur. Në përpjekjet që bëri për të shkëputur zotërimet e tij nga vartësia politike e Portës së Lartë, Ali pashë Tepelena u përpoq të hartonte edhe një kushtetutë me synimin që ta bënte fakt të kryer këtë shkëputje. “Në këto kushte, raporton konsulli rus në Korfuz, Aliu vendosi të hartojë një kushtetutë për t’i ribashkuar shtetasit e tij sipas shembullit spanjoll, napolitan apo të ndonjë vendi tjetër”. Sipas konsullit rus në Korfuz, kjo kushtetutë parashikonte krijimin e senatit shqiptar që do të përbëhej nga trembëdhjetë veta, nga të cilët tetë përfaqësues të popullsisë së krishtere (katër shqiptarë dhe katër grekë), katër myslimanë shqiptarë dhe një çifut. (AVPR. Fondi i Ambasadës Ruse në Kostandinopojë, Dok. 31815, Korfuz, 18 gusht 1820; cituar nga Ushtelenca, I.: po aty, ADA, Tiranë, 2009, f. 279).
Kurse historiani grek J. Kordhatu, që shquhet për objektivitet lidhur me trajtimin e figurës së Ali pashë Tepelenës, na informon se: “Ali pashë Tepelena dërgoi në Korfuz këshilltarin e tij të besueshëm politik Kollovo, të studionte ligjshmërinë moderne për të zbatuar reforma kushtetuese që kërkonte klasa e re shoqërore e tregtarëve dhe e esnafëve që u formua në Janinë” (Kordhatu, J.: Historia politike grekomoderne, Athinë, 1925, f. 98; cituar nga A. Kola: po aty, f. 386). Duket se projekti për hartimin e një kushtetute të shkruar kishte lindur tek Aliu së bashku me idetë e reja europiane, të cilat i kishte mbrujtur vite më parë gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të shek. XVIII, atëkohë kur Revolucioni Francez dhe idealet e tij të magjishme i lanë mbresa të thella. Aliu fillimisht mendonte për përgatitjen e një kushtetute të tipit francez për popullsinë e tij, kur përpiqej të imitonte figurën e Bonapartit, fenomenin që lindi nga barrikadat e Parisit dhe jo gjeneralin francez që pushtoi trojet shqiptare duke zëvendësuar një tjetër pushtues. Pothuajse për të gjithë armiqtë e Ali pashë Tepelenës ideja e tij për një kushtetutë ishte një tentativë e fundit e dëshpëruar për të siguruar mbështetjen e popullit në luftën e tij kundër Portës së Lartë dhe nuk vinte nga një ndjeshmëri demokratike e brendshme dhe reale. Por gjithsesi del e qartë se Aliu ishte i ndërgjegjshëm për rëndësinë që kishte marrë në atë epokë doktrina konstitucionaliste. Nga ana tjetër, duhet të dihet përfundimisht se përpjekjet e Aliut për të pajisur vendin e tij me një kushtetutë, e cila do të ishte një përmbledhje e kushtetutave të deriatëhershme më progresiste të Europës1, ishte shumë më e hershme nga viti 1821. Këtë e pohon edhe vetë K. Fleming te libri i saj Bonaparti mysliman, në faqen 38 të botimit shqip, kur citon D. Dakin tek shkruan: “Aliu i kërkoi Meternikut, as më shumë e as më pak, që t’i jepte kushtetutën e premtuar”.