Këngë popullore erotike të Vlora Nikçit
Një punë kolosale, e durueshme, hulumtuese, përzgjedhëse, “krehëse” e botuese e nivelit më të lartë, qëndron tani para nesh, në trajtën e një libri luksoz, të lidhur bukur si format, me ilustrimet moderniste
Nga Miho Gjini, Mjeshtër i Madh
Kam shkruar edhe tjetër herë për një grua të re Kosovare me emrrin VLORA dhe jam befasuar për talentin e saj skenik, pa e marrë me mënd edhe dashurinë e saj të thellë për poezinë. E në mënyrë të veçantë për poezinë erotike, të trashëguar brezpasbrezi në këngë. Si një vlerë e hershme e “gurrës popullore” atje ku jeta lind e buron vjershërimi, ahengu, kënga e të dashuruarve, pa moshë, pa vite mbi kuriz, ashtu sikundër di të këndojë zemra e njeriut për këtë vlerë sublime që e lindi jetën, e riti, e shumëzoi dhe e qiellizoi me ndijesitë e veta.
Edhe në skenë, Vlora Nikçi është e hareshme dhe interpreton lirshëm figurën e një gruaje sensuale që e kushtëzon erotikën si marrdhënie parësore në harmoninë burrë-grua, ndërsa në librin e saj hulumton (përmes kujtesës së gjyshes), tek Erosi, në bazën kryesore të jetës.
Të mësuar të shihnim ne skenë, brënda kornizave të realizmit uniform, ku fare pak ose aspak “bulëzonte” dashuria standarte e gati “me pikatore” erotika e sensualiteti, ngjante shfaqia që bënte aktoria Vlora Nikçi me bashkëshortin e vetë, si “jashtë kornize”, ndërsa në sallë, spektatorët shihnin njeritjetrin si me dyshim! “Ku jemi ne kështu”?!,-sikur thonin …”Në teatër, apo në jetë”!? Se “muri ndarës” qe ngritur me kohë, vite, dekada e shekuj, jashtë së vërtetës njerëzore! E njëjta gjë më kishte ndodhur tek lexoja një tregim të Ndue Dedës mbi ato Cuca Malësie të atrofizuara , në skënë e në jetë, tek ktheheshin në të kundërtën e tyre, në burra zakoni kuvëndesh e luftrash dhe e “shtynin” të gjithë jetën mizorisht , deri në zhgënjime fatale, tek “zbulonin”, qoftë edhe në një çast të vetëm, se jeta e tyre ka rrjedhur në të kundërtën e natyrës njerëzore, të gjinisë e të botës që na rrethon. Ndaj merr vlerë kjo përpjejke emancipuese dhe fort e shkëlqyer e Vlora Nikçit, si aktore, si studjuese e poezisë e të këngës erotike, po edhe si veprimtare shoqërore mbarëshqiptare.
Ngjan sikur kam përpara meje një thesar arkeologjik, me papiruse nga piramidat e Keopsit në Egjypt që “zbulon” jetën e fshehtë të Kleopatrës, ashtu sikundër është ky libër me 135 “papiruse” të verdha! Hera herës , sikur është “gjëndur” në ishullin Lezbo të Greqisë, aty ku janë varrosur eshtrat e poetes së lashtë e të parë të këtij vëndi të begat, që i solli botës poezinë tragjike të Teatrit Antik e vjershat e Safos së famshme! Dhe asnjëherë nuk do ma rrokte truni, se kjo, Vlora Nikçi, që vajti e i mblodhi këto perla tek gjyshja e vet në atë luginën përrallore të Rugovës së Kosovës, ku gurgullojnë ujrat e zbardhëllyera të përenjve e njollat e bardha të borës mbeten rrëpirave, midis atij gjelbërimi të përjetshëm maramendës, në gjirin e maleve të larta të Zotave e të Zanave!?
Vlora Nikçi sjell këtu, në një sfond thellësisht Shqiptar malesh, luginash e ujëvarash, poezinë e virgjër të kënduar nëpër breza. Po aq të lashta, sa ka moshën edhe dheu, dhe kënga. Ndofta kur thuheshin e nuk shkruheshin ende në kartë, po në mëndje e në zemër. E kështu mbetën, u trashëguan, deri sa erdhën shkronjat e para, në ato trajta ende arkaike të gjuhës sonë, që gjithsesi mbetën përsëri “perla” të vërteta. Dhe, nga gjëndja e tyre e Folklorit Gojor u fiksuan edhe në Folklorin e Shkruar qe do të hulumtohej, do te mblidhej dhe botohej nëpër vite e shekuj. Vlora Nikçi, pasionante si gjithmonë, eci nëpër të tilla rrugëtime vjelëse, duke gjetur shumë syresh, edhe varjante këngësh erotike krejt të pa evidentuara e të pa botuara,…në një kriter estetik të shprehjes së të bukurës së pastër, të virgjër, si ndijesi të natyrës njerëzore, pa asgjë banale e pornografike. Një EROS që zbret nga Alpet Shqiptare e nga Grykat e Rugovës. I tejdukshëm, dehës, i kapshëm, me dufma sensuale të njerëzishme e ngazëllyese, për këdo që i lexon ato në kartë a i dëgjon të kënduara nga shpirti!
Janë që të gjitha të ndjera, të bukura, vënde –vënde edhe me suzhete të këndëshme e me humor të goditur, me dialogje e personazhe. Personazhi kryesor erotik është shpesh herë Çika, “moj e mira n’ato maja”. Dhe personazhi tjeter, si të ishte Adami i parë, pyet:”A ma pat syzezën kun?/Atje poshtë:-tha der katun/Tuej la faqet me sapun.” Aty flitet edhe për çika “që janë nisë në krua” enkas me pa jaranin, që e kapërcejnë gardhin hera herës, edhe pse “lehi qeni”, bile edhe “sa ka dalë hana”. Po edhe për djem trima që s’u trembet syni, “për pushkë e azgan për fjalë/veç për i punë qefit m’ka dal, po vije natën, pa i çua fjalë!”. E nji guxim i çartun ka me i mbrojtë të dashuruarit, deri në vetflijim! Me dilemën që kanë të dashuruarit para rezikut:“Po m’she baba e mos po m’vret!/Për si m’vret mua, dert mos k’i,/Po ka me na vra mua e ty!”. Një çift Romeo-Juliet malesh, ndryshe, po kaq i bukur, brenda lirikës tonë erotike!
Ndër këto vargje e këngë shpirti, shprehet e bukura, tek vajza e tek djali, si vlerë shpitërore e si vlerë fizike. “Qe, po vje’n i zanë e malit!/Flokt e kuqe, shtegut ballit.”. Po cfarë ka ndodhë?. Asaj “i ka ra n’men’për djalë tët’ri,/kallushan, mustaqezi.”. Por ,-i përgjigjet mustaqeziu:”Shtatë pritë zanë, para me m’dalë,/Nuk e la, te ti pa ardhë!”
Është forca magnetike e dashurisë, një EROS i flaktë, si thëngjill i pashuar, brenda krahërorit të çikës e brenda shpirtit të djalit që i afron e i banë të pandamë tan jetën. “Medet ta kisha si ti ni grua,-thuhet në një këngë tjetër,-Treqin’vjet kisha me rrnue,/Dek me kjen, kisha me’u çua!”. Dhe aq e patretme është ndjenja e dashurisë ndër male e stane, saqë azgani do t’ia marrë kangës: “Niqin dhen mi hangër bisha;/M’zuni sherri, u fik shpia,/Shumë ma e madhe ish dashnia!”. Dhe autorja Nikçi e ka lanë për në fund, ma të bukurën kangë, kur djali nuk i ndahet dot çikës, pa i thanë i ndezun flakë: “Nuk largohem, pa m’marrë pushka./Pa’i mbush kta dy grushta,/Cica t’bardha e faqe t’buta!” E vajza do t’i pergjigjet me të njejtin zjarr e passion:”Me i thithë, djal’, ti cicat e mia,/T’zanë si vëna e si rakia,”. Eja pasandajë e thirrë: “Ku je, ore Omer Khajani, i Perëndisë e i Erosit!”
Njëherësh, këto kangë qi paska mbledhë kjo “e çmendun” VLORA NIKÇI, kanë edhe humor të beftë, si të ishin dritësjellëse. “E mirë kjenke për pasdarke!/ Për pasdarke e deri n’ditë!/Me t’i puth faqet e sytë,/T’i shoh cicat, a t’u kan rritë”. Humori krijon gjëndjen emocionale e shkakton gaz përmes së te papriturës, sikundër krijohet në kangën: ”Hipa në Kersh me i ra kavallit”, ku thuhet: ”Haj, ti bre Hallë, shko në shpi,/Nuk asht nusja për hajmeli,/I ka ra n’men’për djal t’ri!”. Po kështu, prej naivitetit të djalit të turpshëm, kangëtari anonim gjen shtegun edhe të talljes, me srkazmën therrëse:”Ti di çasht loja?!/Pa t’i afrua cicat t’u goja!/Ve’ma poshtë dorën e shkretë,/Ah , mor djalë, ul’ma poshtë dorën,/E k’tu nalt, mere cicë t’gjorën,/Se dua me prishë me ty kunorën!”.
Një punë kolosale, e durueshme, hulumtuese, përzgjedhëse, “krehëse” e botuese e nivelit më të lartë, qëndron tani para nesh, në trajtën e një libri luksoz, të lidhur bukur si format, me ilustrimet moderniste të piktorit Artan Hajrullahu, me dy reçensa analitike të Dr. Rrustem Berisha e Dr.Sadri Fetiu, me një transkriptim të pasm dhe me përkushtimin mallëngjes për gjyshen e saj Hake Haxhijaj Nikçi. “Duke e ditur,-shkruan ajo ne parathënien e saj ,-se dashuria sjell erotikë e erotika seksin, unë si aktore i qasem gjithmonë rolit në këtë mënyrë, sepse mendoj që dashuria është ndjenja që çdo njeri e bën të vërtetë, e bën që të jëtë vetvetja. Jo gjithmonë, jemi vetvetja, andaj kur e përjeton këtë ndjenjë, sikur kthehesh në rrënjët e tua.”
Eh!… Ç’mund të thuash tjetër për Vlora Nikçin, artisten tonë të talentueme të skenës dhe të ekranit, fituesen e disa çmimeve prestigjioze në këtë fushë, aktivisten e të drejtave të grave të Kosovës, mbledhësen kamngulëse e fort të zellshme të Folklorit Erotik, të dashuruarën pas së Bukurës Universale , shqiptaren energjike e pasionante, banoren e Prishtinës dhe të New Yorkut njëherësh?!