Albspirit

Media/News/Publishing

Haradinaj sqaron Kurtin për çështjen e FSK-së

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sqaroi se FSK-ja vepron në tërë territorin e Kosovës pa pasur asnjë kufizim. Reagimi i tij erdhi pas deklaratës së bërë nga kryeministri i ri Albin Kurti, i cili njoftoi se presidenti Hashim Thaçi ka shkelur Kushtetutën dhe se do të nisin procedurat për shkarkimin tij, për shkak të një marrëveshjeje të bërë në 2013-ën me NATO-n. “Pas punës maratonike të sigurimit të mbështetjes së SHBA-ve e partnerëve kryesorë brenda NATO-s si dhe të parapërgatitjes e dërgimit të 3 ligjeve për transformimin e FSK-së në ushtri për votim në Kuvendin e Kosovës, më 9 janar 2019 kam shkruar edhe këtë letër drejtuar Sekretarit të NATO-s Jens Stoltenberg, në të cilën e njoftoj për mandatimin historik të transformimit të FSK-së si forcë multietnike e profesionale në Ushtri të Kosovës, duke e falënderuar për bashkëpunimin e misionin 20 vjeçar në sigurimin e ruajtjes dhe paqes në Kosovë”, shkroi Haradinaj. Në Facebook, ai publikoi një letër që ia drejtonte sekretarit Stoltenberg, ku zhvleftësohej marrëveshja e Thaçit me KFOR-in. “Qëllimi i letrës ishte të njoftohet se pas votimit të ligjeve në Kuvend, zhvleftësohen kufizimet territoriale në letrën së ish-KM Thaçi në vitin 2013, dhe i bëj ftesë NATO-s që përmes KFOR-it të nënshkruajmë protokoll të ri bashkëpunimi operacional, këtë herë pa kufizime territoriale”, ka shkruar ai, duke shtuar “Për të evituar populizmat dhe shqetësimet e ngritura sot rreth letrës 2013, dhe implikimeve të mundshme ligjore e Kushtetuese, siguroj qytetarët e Kosovës se sot FSK-ja ka mandat të plotë në tërë territorin e Kosovës, pa asnjë kufizim. Në këtë letër, po ashtu i bëj ftesë NATO-s/KFOR-it që të adaptojmë marrëdhënien tonë, pas votimit të 3 Ligjeve në Kuvend, dhe të draftojmë procedurat e reja operacionale për bashkëpunim gjithëpërfshirës pa kufizime territoriale”.

Please follow and like us: