Ndue Ukaj: E mërkura e përhime
Ndue Ukaj
Mosmarrëveshja e përhershme
si kjo e mërkure gri
rrëshqet para këmbëve të mia.
Kur Eva takoi gjarprin
dhe pa mollën-
ajo u shastis
dhe u shtang nga tundimi.
Prandaj çdo gjë është misterioze:
koha që rrjedh si një lum ngjarjesh
dhe balsamos kujtime në një arkiv gri.
Kështu ishte dje – dhe kohët thonë-
kështu do të jetë edhe nesër
Në një ditë si kjo
kur mosmarrëveshja e përhershme
çon krye
dhe dëfton:
Sytë tanë që nga gjeneza
i ka përvetësuar ajo mollë.
Sot më duket gjithçka gri,
si atëherë kur gjyshja më hidhte hi në kokë
dhe më thoshte:
“hi jemi kânë dhe hi kemi m’u bâ.”
Por fjala që digjet
a mund të kthehet në hi
dhe të krijohet një feniks fjalësh mirësie
për të spërkatë krejt botën me dashuri?
Please follow and like us: