Albspirit

Media/News/Publishing

Shaban Murati: ‘Mini Shengenin’ nuk e njeh askush

“Mini Shengenin” s’e njeh askush

 

Ndonëse nisma e Serbisë për krijimin e një blloku të ri të vendeve të Ballkanit Perëndimor të udhëhequr prej saj ka pesë muaj, që u përurua, asnjë nga shtetet anëtare dhe zyrtarët e Bashkimit Europian nuk kanë denjuar të thonë qoftë edhe një gjysmë fjale për nismën serbe, me të cilën janë inamoruar Tirana dhe Shkupi. Në 24 shkurt 2020 u mbaj në Selanik konferenca e nivelit të lartë të ministrave të jashtëm për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor me titull “Nga Selaniku 2003 në Zagreb 2020”, ku u trajtuan proceset dhe perspektiva e integrimit europian të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në deklaratën e përbashkët të kësaj konference të ministrave të jashtëm të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe të presidencës kroate të BE dhe të përfaqësuesve të tjerë zyrtarë të lartë të BE, ndonëse rreshtohet një përmbajtje e gjatë prej 14 pikash, nuk përmendet as një fjalë dhe as një germë për të ashtuquajturin “mini Shengen” të nismës serbe. Në këtë deklaratë të përbashkët gjendet hapësirë për të përmendur nisma rajonale si ajo Adriatiko-Joniane apo nisma e Danubit, por nisma serbe e të ashtuquajturit “mini Shengen” nuk haset asgjëkundi.

Është një dëshmi e qartë diplomatike dhe publike se Bashkimi Europian nuk e njeh këtë lloj nisme individuale të Serbisë. Është provë e qartë e një qëndrimi europian se nisma e Serbisë për “mini Shengenin” nuk ka asnjë lidhje me integrimin europian, por ka të bëjë me integrimin serb të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Është një provë e qartë se Bashkimi Europian jo vetëm nuk e lejon të përmendet nisma serbe në një deklaratë të ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor, që hartohet nën drejtimin e BE, por nuk lejon as shtetet e dalldisura me nismën serbe si Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të përmendin të ashtuquajturën nismë në deklaratën e përbashkët, që e kanë firmosur gjashtë ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Konferenca e nivelit të lartë ministerial dhe deklarata e përbashkët e BE dhe e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor e miratuar në Selanik, është në fakt një goditje e drejtpërdrejtë për nismën serbe të të ashtuquajturit “mini Shengen” dhe për klakerët e saj filoserbë.

Duhet thënë se që në fillim të shpalljes së nismës serbe në samitin trepalësh të tetorit të kaluar Serbi, Shqipëri,Maqedonie Veriut në NoviSad, Bashkimi Europian pati rezerva dhe dyshime ndaj saj. Pati rezerva të mëdha, sepse ishte një nismë alogjike, në një kohë që BE nën kujdesin e drejtpërdrejtë të kancelares gjermane Angela Merkel kishte nisur që në 2014 ”Procesin e Berlinit” për Ballkanin Perëndimor. Nisma serbe ishte jashtë linjës së BE, por edhe në kundërvënie të hapur me procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor të udhëhequr nga Brukseli. Nisma serbe me devizën e çuditshme të presidentit serb se “nuk kemi nevojë për tutorët e BE”, tingëlloi si  lëvizje separatiste ballkanike, që kërkonte të zëvendësonte integrimin europian me integrimin serb të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Bashkimi Europian nuk e përkrahu asnjëherë zyrtarisht nismën serbe edhe për faktin se shteti, që e ndërmori atë nismë po integrohej më shumë me Rusinë, siç dëshmoi anëtarësimi i Serbisë në 25 tetor 2019 në “Unionin Ekonomik Euroaziatik” të udhëhequr nga Moska. Por separatizmi dhe përmbajtja e nismës serbe dhanë sinjale të qarta se projektimi dhe objektivi i kësaj nisme ishin në funksion të strategjisë hegjemoniste të Serbisë në Ballkanin Perëndimor.

Në Bruksel e kuptuan që në fillim se nisma serbe e të ashtuquajturit “mini Shengen” ishte vazhdimi dhe në funksion të krijimit të një forme të re të Jugosllavisë nën udhëheqjen e Serbisë ose krijimi i një Serbie të Madhe. Vetë presidenti i Serbisë Vuçiç, sapo u zgjodh në prill 2017, deklaroi publikisht se projekti i tij është “rikrijimi i Jugosllavisë së vjetër, plus Shqipërinë”. Tirana dhe kryeqytetet ballkaniko-perëndimore bënë sikur nuk e dëgjuan, por konfirmimi i thelbit të projektit me emrin “mini Shengen” erdhi shpejt.  Në datën 23 shkurt 2020 presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pohoi në televizionin serb se “në drejtim të Serbisë ka akuza nga Mali i Zi se Serbia ka qëllim që të rrëzojë autoritetet në Mal të Zi dhe të vazhdojë politikën e Serbisë së Madhe”. Presidenti serb i referohej deklaratave të presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, i cili në datën 14 shkurt theksoi se “Beogradi po përdor Kishën Ortodokse Serbe për të ndërhyrë në punët e brendshme të Malit të Zi. Kisha Ortodokse Serbe është një nga instrumentet e rëndësishme të përdorura nga ideologët e nacionalizmit të Serbisë së Madhe kundër Malit të Zi dhe pavarësisë së tij, kundër identitetit të tij kombëtar, kulturor, fetar”. Akuzën për strategjinë e krijimit të Serbisë së Madhe e bën presidenti i një shteti anëtar të NATO-s dhe shtet kandidati BE, që ka hapur bisedimet e pranimit me të, siç është Mali  Zi, të cilit Serbia i ka bërë ftesën për t’iu bashkuar bllokut rajonal serb me emrin “mini Shengen”. Kryetari i një shteti tjetër ballkaniko-perëndimor, i Bosnjë-Hercegovinës, Zhelko Komsiç, shtet të cilit gjithashtu Serbia i ka bërë ftesën për t’iu bashkuar nismës së saj të “mini Shengenit”, në 16 shkurt në Vatikan, deklaroi se “Mesazhet e Dodikut nga Beogradi, ku shumë qartë dhe në mënyrë të paturpshme deklaroi se qëllimi i fundit i asaj politike është prishja e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës dhe të krijojë një Serbi të Madhe, për fat të keq hasën në një miratim të heshtur nga Aleksandër Vuçiç”.

Pra presidentët e dy shteteve të Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina, paralajmërojnë Europën dhe botën se qëllimi i Beogradit është të krijojë Serbinë e Madhe. Është një alarm shqetësues diplomatik i nivelit të lartë, të cilin BE nuk mund të mos e konsiderojë, sepse vjen nga dy shtete, që kanë vuajtur sundimin e Serbisë mbi 80 vjet dhe e njohin mirë atë.

Portali i mirënjohur “euroactiv.com” shkruante në 27 janar se edhe “Bullgaria, anëtare e BE dhe fqinj ballkanik, nuk e pëlqen nismën serbe, sepse duket një përpjekje për të ringjallur disa forma të Jugosllavisë ose të Serbisë së Madhe”.

Kemi një situatë të lexueshme, ku nisma serbe e krijimit të bllokut serb të “zonës ekonomike ballkaniko-perëndimore” po ngjall shqetësime diplomatike dhe strategjike në diplomacinë europiane dhe perëndimore. Demagogjitë infantile për katër liritë apo për paqen, që do të sjellë me këtë nismë Serbia për ballkanikët, janë një sëmundje foshnjore e qeverive si Tirana dhe Shkupi, që nuk guxuan kurrë të ngrihen përtej rajasë në marrëdhëniet me Serbinë.

Ironia është se Tirana zyrtare po e paraqet nismën serbe të “mini Shengenit” si një gjetje e re triumfale drejt integrimit rajonal. Se sa e re është, mjafton të shfletoni faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë në datën 6.12.2002, ku mburret me tone liturgjike “Programi i qeverisë Nano për Shengenizimin e plotë të rajonit”. Që hiperbola të jetë sa më absurde, si gjithë logjika internacionaliste e qeverive të majta shqiptare, integrimi rajonal vendoset mbi integrimin  europian dhe mbi integrimin mbarëshqiptar. Dehja internacionaliste është kaq e madhe në Tiranë, saqë integrimin e gjymtuar të disa vendeve të Ballkanit Perëndimor, që ka marrë përsipër Serbia, po e paraqesin si parajsë më e e bukur se ajo europiane, dhe si një novacion diplomatik e filozofik ballkanik. Harrohet se për integrim rajonal dhe për nisma idiote të bashkimit nën një ombrellë të shteteve të ish Jugosllavisë, plus Shqipërinë, janë bërë përpjekje nga Serbia qysh kur ajo humbi federatën jugosllave dhe u përpoq e po përpiqet ta ringjallë me etika të ndryshme. Në një analizë me titull ”Integrim rajonal apo jugosllavizim rajonal”, botuar në 2005, kam theksuar se “Ridalja e propozimit për të integruar në fillim vendet e Ballkanit Perëndimor dhe pastaj për t’i futur ato në BE, shton edhe më shumë konfuzionin dhe skepticizmin në këto hapësira. Kjo bëhet për të rikrijuar ish-Jugosllavinë në një formë tjetër dhe me një emër tjetër”.(“Profile të diplomacisë europiane në Ballkan”, 2010, fq.54).

Është e kuptueshme ta pranojë nismën serbe Shkupi zyrtar, i cili me servilizmin apatrid lejoi qysh në referendumin e pavarësisë të shtatorit 1991 të legalizonte të drejtën e ribashkimit me një aleancë të shteteve jugosllave. Por Tirana ç’e ka këtë zell të paparë për të ndezur hirin e shuar të kohës, kur Shqipëria ishte satelit i Serbisë në vitet 1944-1948?

Federatat ballkanike, të mëdha ose të gjymtuara si kjo e Ballkanit Perëndimor, janë në themel të ambicieve të Serbisë për të akaparuar Kosovën dhe Shqipërinë. Kosova, që e ka kuotën e ndjeshmërisë kombëtare më të lartë se Shqipëria, me të drejtë e refuzoi nismën  kurth të Serbisë. Nuk ka ende informacion përse Tirana zyrtare ka vënë bast personal për nismën e presidentit serb Vuçiç. Një nismë, që në BE nuk e përmend kush dhe nuk e njeh askush./gazeta dita/

Please follow and like us: