Bardhyl Berberi: Zhvillimi i personalitetit të një lidershipi në shoqërinë njerëzore
Bardhyl Berberi
E gjithë shoqëria mendon se njeriu është krijesa e jashtëzakonshme, pasi aftësia e të menduarit tek qënia njerëzore arrin në shkallën më të lartë të gjitha qënieve mbi tokë. Natyrshëm lind një pyetje: Kjo arritje është një dhuratë e çmuar apo një mallkim? Kureshtja jonë për të ditur gjithçka dhe nga ana tjetër për të gjetur mënyrën për të dalë mbi gjithëka është më e dëmshme se sa e dobishme! Shpesh herë miliarda njerëz në botë nuk e gjejnë veten duke rendur sa këtej dhe andej pa e shijuar kënaqësinë e jetës së tyre. Njeriu është një qënie absurde dhe paradoksale që gjatë gjithë jetës nuk e di se çfarë kërkon. E gjithë jeta iu kalon njerëzve duke u munduar të bëjnë diçka me vlerë të leri një gjurmë në jetën e tij.
Padyshim një vend të veçantë në shoqërinë tonë zë personaliteti i një lidershipi që udhëheq shoqërinë drejt suksesit apo drejt një katstrofe. Natyrshëm lind pyetja se çdo të thotë të jesh lider? Kjo fjalë ka një kuptim kompleks, pasi lider mund të jesh si një dijetar që udhëheq një shkencë të caktuar, lider mund të jetë një shkrimtar që sjell një vepër arti me vlera të jshtëzakonshme për shoqërinë dhe krijojnë shije progresive që i shërbejnë të ardhmes, lider padyshim është një politikan që vihet në krye të shoqërisë dhe e udhëheq sipas një mandati të caktuar. Dhe mbi këto grupe njerëzish padyshim qëndrojnë personalitete të shquar të cilët janë vënë në krye të tyre për t`i udhëhequr drejt një të ardhme më të mirë.
Por fatkeqësisht shpesh zbulojmë se zgjedhjet janë të manipuluara, që partitë politike nuk janë demokratike, që në qeveri ka korrupsion, zyrtarët janë arrogantë… Duhet vetëm një vështrim tangent që të konstaosh një thes me gabime që nga ish liderët komunistë deri tek ata të sotmit.
Shpesh ndeshim ide të helmatisuar që jo vetëm nuk e çojnë shoqërinë drejt progresit, por nga ana tjetër sjellin kaos dhe pasiguri. Ndërrimi i sistemit komunist me atë demokratik ishte jetik për vendin, i cili përshpetoi transformimet sociale dhe iu dha kohë disa ish-liderëve komunistë të inkuadrohen në parti të majta, madje të jenë edhe drejtues. Qëndrimi i këtyre liderëve në politikë uli efikasitetin e një demokracie funksionale me kapacitet të plotë, por dhe liderët e rinj që u vunë në krye të shtetit demokratik kishin mangësi profesionalizmi politik.
Le ta ilustrojmë këtë ide me dy burra shteti; si Haveli në Çekosllovaki apo dr. Berisha në Shqipëri vinin nga poste jo politike, i pari si dramaturg dhe i dyti si mjek kardiolog; ishin si të vetmet zgjidhje të mundshme të përkrahur edhe nga Perëndimi për të zvëndësuar liderët e inkriminuar komunistë. Por shoqëria kishte nevojë për ndryshime të thella dhe jo për ndryshime kozmetike.
Lideri dhe shteti
Gjithmonë është vënë në dukje raporti i liderit me shtetin. Në shoqërinë pluraliste duhet që një lider të ketë një kufi drejtimi me mandate të parcaktuar ashtu si ndodh në SHBA ku një president mund të udhëheqi maksimalisht vetëm dy mandate, por fatkeqësisht kjo nuk ndodh në disa ish vende ish-komuniste ku futet edhe Shqipëria, ku lideri pasi merr karriken lidhet fort pas saj dhe e quan veten të përjetshem, nuk e njeh institucionin e dorëheqjes edhe kur vendi është i zhytur në kaos apo në krizë apo korrupsion apo pas një skandali shtetëror. Forca e karrikes së liderit rrethohet nga një tufë servilësh, pranë këtyre liderëve, të cilët i glorifikojnë dhe i pompojnë si të pazëvendësueshëm, arrihet deri atje sa të vidhen votat dhe me çdo kosto ky lider të qëndrojë në pushtet.
Ky padyshim është modeli më i keq i një lidershipi që na kujton udhëheqësit e kohës së diktaturës. Një lider i zgjedhur përfaqëson atë pjesë që e ka zgjedhur, pra një pjesë nga e tëra në vend që të jetë drejtues i të gjithë popullit të tij. Kjo e shtyn liderin jo të zgjedhi atë më të aftin për të çuar institucionin përpara, por vendos një militant politik me arsim dhe kulturë të kufizuar. Institucionet shtetërore shpesh kthehen në laboratorë eksperimentalë ku trajnohen (provohen) militantët politikë e jo intelektuali më i zoti, që ndodhet jashtë këtyre formacioneve politike. Dështakët dhe të paaftët lulëzojnë dhe drejtojnë nën hijen e liderit politik, që padyshim nuk sjell progress, por diskrediton administratën shtetërore me këta militant.
Një lider bashkëkohor nuk duhet që të politizojë administratën nëpërmjet politizimit të pushtetit, partia në pushtet nënshtron institucionet nëpërmjet ushtrimit arbitrar të pushtetit. Jemi dëshmitarë të paralelizmit të veprimtarisë legjislative, ekzekutive apo administrative në pritje të një vendimi politik nga forumet partiake. Jo rrallë ndodh që bëhet nga lideri personalizimi me shenjtërimi i drejtuesve që zbeh vlerat e këtyre institucioneve duke krijuar idenë se pa liderin nuk ka institucione dhe se me largimin e tij shuhet krejt institucioni, duke mënjanuar strukturat organizative.
Rikthimi i liderit në një emblemë të vetme të institucionit krijon imazhin e rremë se pas tij nuk ekziston asnjë mundësi reale drejtimi, nuk mund të investosh besim dhe nuk do të ketë vazhdimësi!
Historia botërore dhe ajo moderne bashkohore, sidomos ajo me demokraci të konsoliduar dhe të suksesshme, ka afruar formula në të cilat roli kryesor e ze sistemi institucional me intelektualë të aftë dhe të zotë. Koha e liderëve të përjetshëm duhet të kalojë sa më parë. Parfumi mistik i ‘heroit’, liderit karizmatik, demagogut madhështor, i kalorsit të luftrave të shenjta, janë personazhe të epokës së dominimit karizmatik që në Europën e sotme nuk mund të bëjnë dot karrierë.
Në epokën e sotme këta liderë, me dominim racional ku kompetenca dhe autoriteti bazohet mbi mënyra racionale, shpesh herë shfaqen si xhonglerë apo kalorës karizmatikë që demostrojnë një diferencë evolimi. Pa dashur po flasim vetëm për të meta të një lideri të sotëm se aty ‘ku dhemb dhëmbi thotë populli vete gjuha’.
Sinqerisht e dimë se nuk ka në ketë botë asgjë përfekte. As Hëna që mbahet si simbol i bukurisë nuk është perfekte, po ta shikosh me teleskop shikon kratere të thella dhe duket e shëmtuar; edhe deti nuk është i përsosur, ai ka ujin e kripur me dallgë dhe leshterikë, edhe qielli nuk është gjithmonë i bukur si një sy fëmije, ai shpesh ka re të zeza dhe lëshon rrufe. Pra në këtë botë nuk ka asgjë perfekte, por gjithçka ka dicka speciale dhe thelbësore që e bën tërheqëse.
Jo pa qëllim e solla këtë shembull, nuk mund të ketë një lider të përsosur, por një lider duhet të ketë disa piketa të rëndësishme me anën e të cilave duhet të vendosi standarde bashkohore dhe asnjëherë nuk duhet ta preki atë vijën e kuqe që prek ligjin dhe institucionet… Paprekshmëria e kushtetutës, ruajtja e territorit të vendit dhe interesat e larta të vendit. Historia ka treguar se ka patur liderë psikopatë që e kanë mbytur botën me gjak si Hitleri, Pol Poti, Idi Amin, Sergeant Doe etj.
Këta liderë kanë shtypur me pushkë vullnetin e popujve të tyre dhe kanë sulmuar me ushtri popuj të tjerë, duke sjellë fatkeqësi nga mendjet e tyre të mbrapshme siç është rasti i nazistëve gjermanë të udhëhequr nga Hitleri. Këta lloj liderësh reaksionojnë ndaj ligjit dhe rregullit duke u mbështetur tek pjesa më e pakultivuar e shoqërisë anarkiste për të mbjellë idetë e mbrapshta duke ushqyer një opinion të përgjithshëm kaotik dhe anarchist; më pas justifikojnë mos kryerjen e funksioneve kushtetuese për të ushtruar pushtetin me pamundësinë e menaxhimit të vendit të tyre dhe ky realitet kaotik ushqen qëndrimin e tyre në pushtet si zgjidhja më e mirë në këtë kaos.
Por ka dhe shembuj të tjerë me liderë progresivë që në moment kyçe të historisë botërore kanë dhënë zgjidhje. Ndërprerja e Luftës së Ftohtë, prishja e murit të Berlinit dhe bashkimi i dy Gjermanive padyshim që kanë meritën e veçantë si ish-lideri rus i asaj kohe Gorbaçovi dhe ai amerikan Xhorxh Bush. Frytet e asaj marrëveshje ishin evidente në progresin mbarëbotëror. Por ka shumë raste që liderë të caktuar vendosin në mënyrë absurde për interesa të gjithë vendit. Edhe pse askush nuk e pranon në masë të gjerë që përfaqësuesit e popullit (deputetët) të zgjidhen me listë, por çdo kandidat të konkurojë përballë njëri tjetrit jo me lista, mblidhen dy liderë dhe vendosin absurdin që përfaqësusesit e popullit jo të zgjidhen drejtpërdrejt, por që populli të votojë për një listë që paraqesin ata, mundësisht në orën 12 të natës! Edhe pse opinion i gjërë nuk e pranon këtë skemë ajo funksionon dhe deputetët, përfaqësuesit e popullit vendosen me listë. Me këtë skemë interpretimi shpesh këta liderë e bëjnë realitetin të pashpresë. Kjo sjell në masën e gjerë të popullit një klimë pesimizmi që të largon nga Europa, të zgjat agoninë dhe mbijeton mentaliteti i dështuar.
Në përfundim theksojmë se despotizmi dhe nepotizmi i një lideri, marrëdhëniet korruptive dhe informale, me plot anomali në drejtimin e vendit gjejnë përgjigje tek refuzimet europiane të ditëve të fundit për të na pranuar në strukturat e tyre. Të drejtosh dhe të jesh lider, thotë Balzaku është art dhe jo kushdo mund të drejtojë dhe të jetë lider, liderët e përjetshëm janë shembulli më i keq që i ka kthyer ata në diktatorë…