Ndikimet e folklorit të Labërisë në poezinë e Ali Asllanit, Nexhat Hakiut dhe Fatos Arapit
Arqile Gjata
Kumtesë e mbajtur në Universitetin e Evropës Juglindore, Katedra e Gjuhës, Kulturës dhe Letërsisë Shqipe “Takimi i parë shkencor i Albanologëve të Rinj, Tetovë 21-4-2017”.
Abstrakt
Poezia lirike, si pjesë e rëndësishme e komunikimit dhe shprehje e botës së brendshme të autorit drejt lexuesit; prekja e thellë e problematikave përmes tematikave dhe figurativitetit të përdorur; gjuha në ligjërimin poetik dhe diskursi i fjalës së përzgjedhur, përbëjnë boshtin e kësaj kumtese duke iu referuar poezisë popullore labe, lirikave të dashurisë dhe atyre të natyrës tek poetët Ali Asllani, Nexhat Hakiu dhe Fatos Arapi nën ndikimin e pashmangshëm të folklorit të trevave të labërisë.
Koncepti filozofik i kuptimit, nëpërmjet një analize semantike të frazës, ka vëndin e vet në funksion të gjuhës. Deduksioni shihet si një nga metodat themelore për argumentimin dhe njohjen. Duke iu referuar të dy metodave për arsyetime, si qasjes deduktive dhe induktive në arritjen e një analize të thellë e të detajuar, metodologjia e përdorur përmes vëzhgimeve, si edhe nëpërmjet krahasimit analitik, realizohet përmes ilustrimit të shembujve edhe në rrafshin e poezisë lirike labe, edhe nëpërmjet ndikimit të saj tek poezia e këtyre autorëve; elementët përqasës për të treguar ngjashmëritë në fushën e përzgjedhjes së tematikës, të mjeteve shprehëse gjuhësore, përdorimit të leksikut me tipare popullore krahinore, të figurave letrare dhe të metrikës së përdorur, sjellin një tablo të poezisë së tyre, si një refren i përsëritur në stade të ndryshme kohore dhe vlera të cilat poezia i mbart e i përcjell tek lexuesi i saj, si shprehje të botës së brendshme të individit në marrëdhënie me botën që e rrethon atë.
Fjalët kyçe: poezi lirike, ndikime të labërishtes, përemri lidhor, frazë.
Hyrje
Gjuha e thjeshtë e poezive popullore, është gjuha me të cilën poetët shprehin ndjenjat e tyre të fuqishme, si dhe u përgjigjen dëshirave e kërkesave shpirtërore të tyre, pasi ata janë të dashuruar pas këngës popullore, janë të dashuruar me hallet, brengat e gëzimet që një popull i thur në këngët e tij e që mbeten në kohë si relike me vlerë, për ta identifikuar atë, në historinë e përjetshme të tij.
Që në shek. XVIII, J.G. Herderi ka mbrojtur pikëpamjen sipas së cilës kultura popullore vështrohet si pjesë e rëndësishme e kulturës kombëtare. (Ilir Mborja, “Kur Karl Marksi shkruante për shqiptarët”, 2016, Antologji universal “Zëri i popujve ne këngë”1778, fq. 79, J. G. Herderi).
Si e tillë poezia popullore dhe veçanërisht ajo me prejardhje nga labërishtja, me tematikë lirike, (lirikat e dashurisë dhe ato të natyrës), është një thesar i paçmuar për letërsinë tonë. Ajo ka rëndesë dhe shtrirje të madhe në gjithë trevat e zonave të Vlorës, Tepelenës, Gjirokastrës e Himarës dhe përfshin vatra burimore ku ka shkëlqyer si poezia me ndikime folklorike me specifikat e veçantitë e zonave përkatëse.
Studiuesi Bardhosh Gaçe thekson: “Përkimet midis poezisë së A. Asllanit, N. Hakiut dhe F. Arapit dhe ndikimet e folklorit të labërishtes në krijimtarinë poetike të tyre kanë tërhequr prej kohe vëmëndjen e studiuesve, të cilët nëpërmjet fjalës së tyre, shpirtit të tyre në vargje, më bëjnë të jetoj brenda bukurisë së poezive të tyre, me vlera të vaçanta në letërsinë shqipe”! (Studime nga B. Gace, Konferenca Shkencore “Ali Asllani, princi i Lirikes Shqiptare”, Botimet Maluka, 2005).
Kështu përmendim: përkime të elementeve estetike; përkime në përdorimin e shprehjeve e të njësive frazeologjike; përkime në përzgjedhjen e tematikave të ndryshme; përkime në përbërësit gjuhësor e leksikor etj., të cilat ndikojnë jo vetëm në vazhdimin e punës krijuese e artistike me vlerë poetike, por jo vetëm. Ato janë thesar brenda thesarit gjuhë. Të tilla ndikime, ku në themel të tyre qëndron fjala popullore, brezi i artë i gurrës popullore, kanë qënë të pranishme dhe të domosdoshme në krijimtarinë krijuese të poetëve në çdo kohë. Them të domosdoshme sepse ajo është e pranishme kudo në këto krijimtari.
Refleksione, mendime, ide e diskutime rreth studimeve mbi ndikimet e folklorit të labërishtes në poezitë e A. Asllanit, N. Hakiut dhe F. Arapit më detyrojnë të vazhdoj, të gjej dhe të analizoj ato tipare, veçanti, vlera dhe përkime të përbashkta, që folklori dhe lirika popullore mishërojnë dihatjen e tyre në krijimtarinë e këtyre tre poetëve.
Për të parë dhe ndjerë ndikimin e lirikës popullore, më parë duhet të zbulojmë kohën, situatat, vendin dhe përbërës të tjerë të rëndësishëm, qofshin këta leksiko-semantikorë, morfo-gramatikorë,dhe periudhat kur dhe si këto poezi janë shkruar. Analizat morfologjike, semantike e leksikore, si dhe krahasimet e një lënde të bollshme, zënë vend për të dhënë argumentin se sa e fuqishme është poezia, sa vlerë domethënëse shpreh dhe se si diskursi i saj ndikon mbi lexuesin.
Ashtu si Shkodra, Pogradeci, Elbasani, Gjirokastra, edhe Vlora ka personalitetet e saj përfaqësuese në letërsinë shqipe, që i japin asaj dhe poezisë, dimensionin e duhur. Këto përmasa, e vendosin letërsinë vlonjate dhe të trevave të saj në përfaqësinë e letërsisë lirike me vlera kombëtare përkatëse dhe bëjnë epokë me poezitë e A. Asllanit, N. Hakiut dhe F. Arapit. Natyrshmëria popullore, imagjinata si ndjesi e botës së brendshme shpirtërore, poetika dhe entuziazmi, që e përshkojnë poezinë me ritmin dhe leksikun e veçantë, me koloritin e tyre të gjallë nga gurra popullore, e bëjnë atë të gëzueshme dhe me dozë humori, madje me një finesë të tillë që e veçojnë nga krijimtaritë e tjera. Prej këndej marr shtysë të them se poetët, pjesë e kësaj kumtese, dhe që i analizoj si modele shume të vlerësueshme në krijimtarinë e tyre poetike, janë mbështetur në kulturën dhe traditën popullore të trevave të Labërisë si modele me të dhëna të veçanta për nga leksiku, semantika (përfshi këtu edhe figurativitetin shprehës e domethënës), dhe përdorimit të formave të ndryshme morfo-gramatikore, që i japin këtyre ngjyrimeve artistike, detaje dhe marrëdhënie të lexueshme e të veçanta, si pjesë e evidentimit letraro-artistik dhe tejet popullor.
Ndikimet folklorike të trevës së Labërisë në poezitë e A. Asllanit, N. Hakiut dhe F. Arapit
Nëse lexojmë dhe prekim thellë ndër rrjeshta atë, që këta poetë kanë skalitur me leksikun e tyre të përdorur me mjeshtëri, nuk është rastësi, që të tre, kanë një qasje të hollë për gjuhën, duke i dhënë asaj elementët estetikë si: melodinë, tingëllimën e lirikave të Labërisë dhe kanë për objekt frymëzimi pëllumbeshën, vashëzën shqiptare, bukuroshen, lozonjaren, leshverdhën, engjëllushen e butë, miken më të mirë në jetë, të cilën na e përshkojnë me lirizëm, elegancë dhe me ngjyrime të mëvetshme nga njëri-tjetri.
Për shembull, në poezitë me bazë burimore nga folklori i Labërisë, ka perla të tilla (si këto më poshtë), që natyrisht janë vargje të pa përsëritshme për vlerat e tyre estetike dhe letrare.
“Bilbil thuamë dhe mua!
Ca nga ato këngët e tua,
Të këndoj krua më krua,
Të më vijë ajo që dua,
Leshraverdha gjer mbi thua”…
“Mike, në të kam për mike?
Kur të vdes të bëhesh qiqe!
Të më qash brigje më brigje!
Dhe me lot moj dhe me ligje…”. (http://albplanet.blogspot.al/2014/10/magjia-e-lirikave-labe.html)
Duke kërkuar kështu besnikëri të përjetshme nga e dashura edhe pas vdekjes, për labin rëndësi ka vetëm morali i besës. Vetëm në dasmat labe, gjen vargje të tilla, të dala nga goja e motrës së dhëndrrit, që i drejtohet nuses të sapo mbërritur me kalë, duke e “qortuar” me:
“Pse s’u bëre Diell të ngrohje Dunjanë?
Po u bëre Hënë më more vëllanë!..”. (http://albplanet.blogspot.al/2014/10/magjia-e-lirikave-labe.html)
Përdorimi i antitezës “Diell-Hënë”, vjen is shprehje edhe e kontradites mes kunatave, por edhe e mosmohimit të vlerave të bukurisë shqiptare, duke e quajtur nusen e vëllait “hënë”. Këtu, madje nën petkun e simbolikes, diellin e gjejmë is flakë e dritë, i domosdoshëm për “dynjanë”, dhe “hënën “të personifikuar si vashëzën e dashuruar, që me bukurinë e saj ndricon cdo “errësirë”…!
“Ku më ishe, o shpirt’ o xhan / të prita mbrëmë në stan … aman, aman, aman!” /“Ku më ishe, moj qen’ e qenit / Të prita te guri i lëmit / Më griu era e shkëmbit!”
“Moj nepërka gushë larike,
kur të vdes të bëhesh qyqe,
të më qash brigje më brigje
jo me lot, por me ligje”.
“Moj e vogla si loti,
burrin tënd ta vraftë zoti,
me mua të rëntë shorti”! (http://albplanet.blogspot.al/2014/10/magjia-e-lirikave-labe.html)
Në këtë kontekst edhe krijimet poetike të tre poetëve, duke i perballvënë me ato të gurrës popullore të labërisë, kanë madhështinë e formës dhe përmbajtjes, veçantinë e përzgjedhjes së gjuhës, e do të shpjegohen e qartësohen pasi të kemi analizuar me argumente bindëse marrdhëniet dhe ndikimet e folklorit të labërishtes në krijimtarinë e të tre poetëve, që përbëjnë një pasuri shumë të madhe për letërsinë shqipe.
Profesor Çabej thotë: “Melodia e këngës së vjetër labe është me burime baritore, ajo të kujtonë melodinë e përfituar nga tingëllima e këmborëve dhe zileve” dhe is e tillë ajo lidhet shumë mirë edhe me fjalën në gojën e bariut, bujkut, mjelëses, vashëzës fshatare e të dashuruar, njeriut të thjeshtë që e përditëson atë. (Studime nga B. Gace, Konferenca Shkencore “Ali Asllani Princi i Lirikës Shqiptare”, Shtepia Botuese”Maluka”, 2005)
“Kush të ka dërguar, hëna apo dielli? / Pa më thuaj, të lutem, sa pate ka qielli?
Nëpër ato pate, madhëri e artë, / Ka të tilla shtate, si të zotris’ sate?
Në je ndonjë engjëll, udhën ke lajthitur, /Apo sjell melhemin zemrës së goditur?
Në je ndonjë valë, kush ësht’ ai mall, / Që të ndez e derdh e utrin’ mbi zall?”
“Ja po piqet, mike, rrushi/ deg’ e pjeshkës më një thyhet/t’i ka zënë faqet pushi. (http://www.forumishqiptar.com/threads/145176-Nexhat-Hakiu).
Ti nga gazi, nga mërzia Pyet ç’është dashuria, Por ajo nuk ka fytyrë, Nuk ka tingull, nuk ka ngjyrë! Ajo s’ndihet as me fjalë, Vjen e fshehur dhe ngadalë, Vjen një herë’ e prap s’e njeh Brenda zemrës ti s’e sheh”. (http://albplanet.blogspot.al/2014/10/magjia-e-lirikave-labe.html)
Poezia s’njeh kohë, ajo shkruhet në çdo stinë të jetës letrare! Kufijtë e saj kohore janë forca e brendshme e shpirtit. Për të vërtetuar këtë i referohemi vargjeve të shkruara në kohë të ndryshme nga këta poetë, ku krijimtaria e tyre poetike dhe pse në kohë të ndryshme, ndihet e lexohet qartë ndikimi i folklorit nga trevat labe. Krijimtarinë e tyre e përshkon dhe e pasuron fjala e bukur e qëmtuar me sqimë si pikëza drite nga folklori popullor, e ndjerë, e jetuar dhe e ligjëruar në vargje shpirti. Këto ndikime i shohim më të theksuara para viteve 50-të.
Do t’i shtrydh të dy sytë
(A. Asllani 1882-1966, Zemra Shqiptare, 2014, f.3-6)
“Un’ jam un’, saksi e vjetër! / Lule gjirit që stolisa shkoi stolisi një gji tjetër / Un’ e nisa e stolisa me ç’i jep e s’i jep sisa / dhe me këngë ylyveri buz’ e gushë ja qëndisa / Nëpër vapëz i dhash’ hije, nëpër hije er’ e shije / i dhash’ shije poezie, gjith’ fuqit’ e një magjie / gjith ato, që fllad i ëmbël nëpër lule mbar e bije / ari i diellit me tallaze, ari i hënës fije-fije / dashuria me dollira dhe me thelp lajthije pije…
Më së fundi i dhash’ lotin, kryepajën time pajë / i dhash’ lotët që pikonin ku i shkelte këmbë e saj’ / i dhash’ vjershën time valë, dy herë valë tri her’ zjarr që buçet në maj të penës edhe bënet këng e marr’/ këng’ e marr’ e mallit tim, që tani e paskëtaj”.
(Bota e brendshme e autorit, dashuria për jetën dhe poezinë, përbënë atë që ne e quajmë “muzë poetike” ku ndihet lirika e bukurshkruar vargjeve të A. Asllanit, që jo më kot e kemi quajtur “Princi i lirikës shqiptare”. Ai e lidh bukurinë, dashurinë, natyrën, jetën me ndjenjen e dashurisë dhe të urrejtjes, me shpirtin e tij, me poezinë të cilën e “qan”, e “skalit”, i jep jetë, dhe e derdh atë në vargje duke na treguar karakterin externalist të tij).
Pëshpëritje vjeshte
(Nexhat Hakiu, ”Këngët e Zambares”,Tirane 2005, fq. 18)
Ja po piqet, mike, rrushi deg’ e pjeshkës më një thyhet,/ t’i ka zënë faqet pushi / edhe gjiri po të fryhet … / Eja, mike, bashk të bredhim/ Erdhi koha që t’i mbledhim:
Un’i zgjedh ti i këput / Ca në dorë e ca në futë. /Në se degët nuk arrin,/ Do të kap, moj, mu në mes: / Të të ngre, moj, mi peqin / Me një zemër; me një shpresë.
Kokrrat fshehur nëpër fletë / Hajt i mbledhim më nuk rriten, / Eja, mike, se un’ vetë / Ti këpus kam frik’ se vriten!
Margarite, moj (Fatos Arapi, Vepra”Më jepni një emër”, Shtëpia Botuese Neraida, Tiranë 2014)
“Shoqja ime, moj / me dy sy si nata të mëdhenj, të zinj / me bukurinë tonë të virgjër / vdekjen po ushqejmë / se kjo toke ka ftohtë / mardhi /e ka ngrirë. / Dhe ne biem mbi të, porsi bllaca zjarri, / Futemi nën dhe porsi rrënjë ëndrrash,/ Që të vijë pranvera, që të vijë behari, / Toka përmbi ne e balta të shkrijë,/ ëndrrat te shpërthejnë, si shpërthen bari. / Dashuria jonë / Me dy sy si nata çuditërisht të zesë, / Nga plumbat armike prerë mes për mes / Dashuri e lindur,/ Dashuri e rritur
Nën qiejt e thyer të varfërisë shqiptare. / Dashuri tragjike / Për botën e madhe. /
Margarite, moj / Motra ime, moj, / Shoqja ime, moj”.
Këtu tematika ndërthuret me dashurinë për jetën, me dashurinë për lirinë, me dashurinë per shoqen…dhe gjithcka për një jetë më të mirë, e lidhur me luftën dhe përpjekjet e sakrificat për lirinë e atdheut. Figura e trimëreshës Margaritë, bukuria dhe forca shprehëse nëpërmjet kësaj bukurie përfaqëson bukurinë e vajzave shqiptare që luftuan dhe dhanë jetën në momentet më të bukura të jetsë, ia falën rininë Shqipërisë, prandaj autori thotë “dashuri tragjike për botën e madhe”.
Duke shfletuar poezitë e të tre poetëve të sipërpërmendur, dallojmë mënyrën e organizimit, leksiku shfaqet me ndikim të theksuar popullor, frazeologjia dhe vargu vjen si një këngë plot ritëm dhe tregojnë më së miri se ata ishin njohës të thellë të folklorit, nga ku merr shtysë ndikimi i poezisë popullore në poezitë e tyre lirike. Me bukurinë e vargut, me mjetet artistke shprehëse, me strukturën e tyre të përsosur poetike, me pasurinë e mendimeve e me forcën e gjuhës së brendshme, na bëjnë të shijojmë botën e tyre krijuese të ndërtuar me mjeshtëri!
Përgjatë leximit të drejtpërdrejt të vargut poetik të tyre, bie në sy përdorimi i mbiemrave shumë të gjetur, (pash dy syt’ e tu që nxinin të groposur, të brengosur; fllad i ëmbël; saksi e vjetër; madhëri e artë; moj nepërka gushë larike, foljeve kryesisht në lidhore, (të më qash; të ndez; të rëntë; t’i mbledhim; të ngre, etj.) lidhëzat krahasuese, (moj e vogla si loti; ka të tilla shtate, si të zotris’ sate?; ëndrrat të shpërthejnë, si shpërthen bari; Me dy sy si nata, etj.), e vecanërisht përdorimit të apostrofit apo trajtës së shkurtër,( erdh’ pranvera me t’jeshile; deg’ e pjeshkës; zotris’ sate; t’i ka zënë faqet pushi; t’i mbledhim, etj.) dhe që vlen shumë për t’u theksuar përdorimi i thirrmores “moj” p.sh. ku më ishe, moj qene e qenit; Margaritë, moj / Motra ime, moj,/ Shoqja ime, moj; të të ngre, moj, mi peqin; do të kap, moj, mu në mes, etj. si një dozë kompleksiteti për t’i dhënë më tepër pathos poezisë. Them “kompleksitet” sepse përdorimi i tyre jo vetëm bën një lloj diferencimi, por na shtyn më tej në atë që ne e quajmë folklor, taban popullor, gurra popullore etj, gjë që i jep tonin dhe individualitetin poezisë se tyre dhe madje e bënë këtë poezi shumë popullore e të pëlqyeshme, që pavarësisht viteve kur ajo është shkruar, sot i ka rezistuar kohës dhe tingëllon tejet aktuale për vlerat njerëzore.
“Loja” e bukur poetike e këtyre poetëve luhet në trevat e toskërisë, ku fryma, stili, fjala e përzgjedhur me ngjyrime të dallueshme, ka ndikime të forta nga tabani i folklorit të labërishtes!
Poezia e Asllanit, Hakiut dhe Arapit dhe lidhjet që ajo mbart me elementët morfologjike, e bënë më të plotë e të kuptueshëm diskursin e këtij ligjërimi poetik. Përdorimet e përemrave lidhorë, pjesëzave, apostrofit, trajtës së shkurtër, i japin po aq bukuri dhe tonalitet vargut, sa edhe përdorimet e foljeve në kohë e veta të ndryshme, emrave, kallzuesve, mbiemrave e ndajfoljeve, në të cilat gjejnë terren të përshtatshëm sepse këto lidhje vijnë natyrshëm në fjali, për të arritur atë mesazh fort të këndshëm e gazmor në poezitë e të tre poetëve.
Përemrat lidhorë përbëjnë të veçatën tek këto poezi. Fenomeni i POLISISIDENTIT, ose, siç quhet më thjeshtë, grumbullimi i lidhëzave dhe i përemrave lidhor në një fjali, përbëjnë vlerë dhe ndikim të përbashkët në poezitë e A. Asllanit, N. Hakiut dhe F. Arapit dhe i japin vargut ngopjen e duhur estetike. Ato krijojnë efektin e ndryshimeve sasiore dhe cilësore në ligjërim.
Siç dihet, lidhëzat dhe përemrat lidhorë janë fjalë të pandryshueshme, që shërbejnë për të lidhur fjalë, grupe fjalësh, ose fjali midis tyre. Një ndikim të tillë e ritheksoj për faktin se, roli i përemrave lidhorë dhe lidhëzave në përgjithësi në këtë krijimtari poetike, si një fenomen i përhershëm dhe i përdorur me mjeshtëri estetike nga autorët, i jep poezisë më shumë dinamizëm, koloritin befasues, kontekste prekse dhe mendim te thellë poezive, nuance ngjyruese, lojra fjalësh ledhatuese, sikur të jetë kaq reale dhe e prekshme sa edhe vetë poetët nuk e kanë imagjinuar kur e kanë thurur këtë lloj vargu me shpirtin e tyre poetik.
Nexhat Hakiu
(N.Hakiu, ”Këngët e Zambares”,Tirane 2005, fq. 175)
”Vaj- medet, çobankë, vaj! / Qaj, çobankë e vogël, qaj / Se kasollja ty t’u doq / Se manarja ty t’u poq,/ Qaj çobankë, që të qaj / Se kjo bota qënka vaj! / Moj e gjor’, çobankë e gjorë,/ Mbete moj me krrab’ në dorë / T’iku syska me këmborë, / Vaj- medet, çobankë, vaj!/ Qaj, çobankë e vogël, qaj / Se kjo bota qënka vaj! / Kú- kú- kú, çobanë kú,/ Bú-bú stani seç t’u doq / Pú-pú nëna seç t’u poq, / Bú-bú-ú, çobankë, bú, / Ku je ti, çobankë ku, / Mbete qyqe dhe kërcu! /….Há-há-há, çobankë, há / Qesh, çobankë e vogël, qesh / Se ky trimi të pru desh,/ Qesh, çobankë, qesh, mos qaj, / bota qënka gas e vaj / Poezia Qesh, çobank’, që të mos qaj!”.
Po t’i bashkojmë gjithë tingëllimat, muzikalitetin, virgjërinë e këtyre poezive të shkruara në kohë e mjedise të ndryshme, lexuesi do të ndihet si në një mbrëmje simfonike, ku fjala burimore bëhet “këngë e marrë”, “për botën tragjike”, “me një zemër, me një shpresë”!
E, për të depërtuar qartazi tek efektet stilistike, kam përzgjedhur tri poezi me të cilat dëshiroj të shpalos mendimet, idetë dhe ndjenjat e autorëve përmes unit lirik, ku mbizotërojnë përfytyrimet dhe përjetimet artistike, si dhe të tregoj se kemi të bëjmë me prurje vetiake, të cilat shprehen përmes simboleve dhe figurave të ndryshme stilistike, që i japin poezisë stilin individualizues. Në poezitë e tyre diskursi paraqitet në vetën e parë, ose dhe në vetën e dytë si më poshtë:
Një vështrim i arratisur
(http://www.forumishqiptar.com/threads/145176-Nexhat-Hakiu)
Një vështrim i arratisur
Nga qepallat e qëndisur
Ku është shpirti im skalisur,
Nga dy syt’ e zezë të tu
Vjen më thotë ashtu-kështu
Më thot’ jo edhe më ndez
Më thot’ po edhe më vdes
Nata zgjatet edhe zgjatet
Ah kjo nat’ me or’ nuk matet!
Stili është tejet popullor me individualitete të spikatura. Gjuha është e thjeshtë por e ndjerë, dhe e përzgjedhur bukur e me forcë shprehëse, e cila na jep një tablo interesante e të vërtetë, të jetuar, të bukur, të ndjerë shpirtërisht. Ku autori të veçantën kërkon ta përgjithësoj dhe të përgjithshmen ta kthejë në të veçantë. Rima shpesh formohet nga mbiemra: i arratisur – e qëndisur; nga folje: ndez – vdes; zgjatet – matet; nga emra: mërzia – dashuria, fytyrë – ngjyrë, etj., e vazhdon:
E un’ mbetem duke lutur
Lutem yjeve të këputur.
Dhe un’ lus e kërkoj ty,
Atë vetull, atë sy!
Se në syrin tënd të zi
N’ate sy të zi, mazi
Shenj’ e buzës sime duket
Si një prush në re kur muget.
Ç’është dashuria?
(http://www.forumishqiptar.com/threads/145176-Nexhat-Hakiu)
Ti nga gazi, nga mërzia
Pyet ç’është dashuria,
Por ajo nuk ka fytyrë,
Nuk ka tingull, nuk ka ngjyrë!
Ajo s’ndihet as me fjalë,
Vjen e fshehur dhe ngadalë,
Vjen një herë’ e prap s’e njeh
Brenda zemrës ti s’e sheh!
Po t’ ish lule, fshehur barit,
Do këputesh, do të thahesh,
Po t’ish perlë, fij’ e arit
Do rrëmbehesh, do të ndahesh;
Po t’ish zog, do të vajtonte
Brenda zemrës në kuvli,
Ta liroje, do këndonte
Larg nga ty, nga çdo njeri!
S’është lule për në fushë,
S’ është perlë për në gushë,
S’është as zog për në kuvli:
Ajo zemrën ka shtëpi….
Ja se ç’është dashuria!
Ësht’ a s’është nuk e di,
Por un’ di se lumturia:
Nuk është vetëm dashuri!
Ti do të më dashurosh patjetër
(Fatos Arapi, Vepra “Më jepni një emër”, Botimet Neraida, Tiranë 2014).
Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër.
shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër.
Në mallin tënd ky karafil i egër,
Ti do të më dashurosh patjetër!
Në sytë e tu diej të vegjël
e ndezën natën dhe ditën e ndezën.
Mirë sot, po si durohet pa ty nesër?
Ti do t’më dashurosh patjetër.
Kapërcej ty e kapërceva veten,
dhe përtej vetes kapërcej jetën,
dhe përtej jetës kapërceva vdekjen,
I hapa krahët të pushtoj ty vetëm:
Ti do t’më dashurosh patjetër!
Këtu vihet re se”Uni” lirik është i fuqishëm, i pazgjidhshëm, krenar, me frymëzim dhe i dallueshëm midis tyre. Secili nga autoret ka mikrobotën e vet poetike!
“Sa më shumë të hyhet në botën lirike të poetit (Ali Asllani), aq më tepër do të na shpaloset dhe do të na zotërojë e veçanta, e papërsëritshmja e poezisë së tij”, thekson Fatos Arapi (Në konferencën shkencore “Ali Asllani, princi i lirikës Shqiptare”).
Po kaq individualitet dhe tipare vetjake gjejmë në poezinë e N.Hakiut, apo në mënyrën e kompozimit dhe të lëvrimit prej tij të poezisë, e cila vjen si prozë poetike!
Ndikimi i folklorit në poezinë e F.Arapit shihet si më pranë poezisë moderne, si një përkushtim, i trajtuar dhe i realizuar në mënyrën e vet, për nga struktura e vargëzimit. Në kqyrjen e vargëzimit të poetëve A. Asllani, N. Hakiu dhe F. Arapit ballafaqohemi me stilin e secilit.
Elementët stilistikë të këtyre poetëve, zgjerojnë marrëdhëniet e fjalëve dhe përftohen më shumë ngjyrime sematike kuptimore. Është organizimi i tyre i të shprehurit për të dhënë figuracionin domethënës; është organizimi i vargut, rimës, ku figuracioni dhe natyrshmëria e të shprehurit marrin ngjyrimet poetike e i dallon nga njëri-tjetri!
Në këtë rast poeti rrëfen duke u nisur nga ajo, çka zhvillohet në mendjen e personazhit, (p.sh. të së dashurës), ku ndjenjat dhe mendimet i kaplojnë dhe i forcojnë me madhështi gjithë tiparet e formave, ndodh ajo që e quajmë: “gjysma më e mirë e vetes” të cilën e gjejmë të personalizuar me figura të përzgjedhura nga bota ku jetojme si p.sh:
Ali Asllani
(Poezi të zgjedhura, Toena, Tirane, 1999, fq.244-249)
“…Vidi-vidi pëllumbeshë,
dëgjo zemrën virgjëreshë,
çdo gjë shkon e çdo gjë vete,
s’metet gjë, asgjë për vete…
Ato thashë e këto theme,
jan’të kota e të rreme,
e janë në ëndrra e përrallë,
e çdo ëndërr ësht’ rrëmallë…
Po ajo që s’ka të sosur
gjer në diell të lemerisur,
mbetet yll në sy skalitur
janë kujtimet rreth flori,
rreth të shkretës dashuri”.
Nga poema “Hanko Halla”, Ali Asllani, botuar 1960.
Për të parë më me kujdes tiparet dhe veçoritë e lirikës dhe poetikës së Ali Asllanit, duhet të ndalesh seriozisht në lirikën e dashurisë, veçanërisht në poemën “Hanko Halla”, ku vjershërimet e tij kanë muzikalitetin e valleve popullore. Ai ka një përkujdesje brilante për ritmin, rimën dhe vargun “këngëtimin me gaz në buzë”, i jep poezisë “atë ermim dhe shije të papërsëritëshme që të lë në buzë kripa e shkumës së valëve…”
Ali Asllani ka shkruar lirika dashurie, që dhe sot janë të freskëta, plot ngjyra dhe ëmbëlsisht të ndjera, por ai përmëndet në radhë të parë për “Hanko Hallën” me ritmin e gjallë njëmbëdhjetërrokësh e me fjalorin e pasur popullor të qëmtuar me elegancë poetike.
“Hedhur si lastare, hedhur si billonja,
Zonjat mu si çupa, çupat mu si zonja;
Palët mu si valët, shkon e vjen një tjetër,
Duket thanë e kuqe edhe femr’e vjetër!
Dhe ajo që duket, ëngjëlleshë e butë,
në një shishe brenda dy shejtanër fut!
Llëra lakuriq, këmba lakuriq
Demek, sa për mua… edhe burri vdiq!”
Të tilla vargje i bëjnë më të dallueshme ngjyrimet kuptimore semantike, nga ku vijmë në përfundime të tilla se fraza, shprehje të ndryshme, njësi frazeologjike kombinojnë leksikun morfologjikisht e sintaksisht, në mënyrë estetike e artistike, për të sjellë perla të vërteta me vlera të një letërsie lirike të mbështetur fort në vlerat folklorike kombëtare të popullit tone, e vecanrisht në ato të trevave të Laberisë.
Madrigal
(N.Hakiu “Përpjekja Shqiptare” Mars 1937, fq. 22).
Prapa drrasash, ther e kalbur, gojën pash të përgjëruar / Kur po çelte e zilepsur afshe gazi mirësie, / U thëthiva i mahnitur se në buzn’ e ngashëruar / M’u duk zemra / kur më fale një përshtypje miqësie.
Në të çarat, nëpër vrymat t’asaj portës mykur tënde, / Pash dy syt’ e tu që nxinin të groposur, të brengosur. / Dhe me zi pash këmb’t e zbathur që po shkelnin n’ato vende, / Ku, mes drrasash thyer e kalbur, po më fshihe e rreckosur…
Çast buzë Jonit
(F.Arapi, Vepra, “Më jepni një emër”, Shtëpia botuese, Neraida, Tiranë 2014, fq, 42.).
Dhe vargjet erdhën me ritme të kaltra
Nër degë të tyre figurat e gjelbra
Çelin – si gjethet nëpër portokalle.
Nën degëza vargjesh fëshfërijnë figurat,
Si mbrëmjes Jonit fletësat e ullinjve.
E mbusha gojën me erëra të Jonit,
Ndjej nëpër dhëmbë kokrizat e jodit,
Shoh se si thyhen mirazhet mes valësh,
Se si thërmohen përflakjet mes gurësh…
Dhe jam i tëri
grimca dritaresh e ngjyrash.
Në poezinë e A. Asllanit karakteristikë të veçantë përbënë dinamizmi gjithnjë në rritje i fjalës dhe vargut.(si tek poezia-Vidi-vidi pëllumbeshë). Studiuesi Behar Gjoka shkruan: “Ali Asllani, për nga natyra e lirikës së tij, të përkujton hidhësinë e vargut të GJ.Fishtës, aq dhe L.Poradecin për heretikën e brishtë”. (Ali Asllani dhe përkujtesa e Bardhosh Gaçe, fq. 251)
Në krijimtarinë poetike të A.Asllanit ndeshemi shpesh me një leksik që mbart ngjyrimin emocionues, që përftohen nga përdorimi i prapashtesave të larmishme, të cilat pasurojnë fjalorin e tij poetik, krijojnë një tingëllimë e një prehje, që e sjell vetëm poezia, si:
“valëzë moj valëzë,/ Fletëzë moj fletëzë, / them ta them një fjalëzë, / un’ poet i shkretëzë, /as ta them. E as ma thua / këndoj këngëzat e tua /e mu bë një halëzë! / gjithë jetën e jetëzë!”
Tek poezia e N.Hakiu ka më shumë ngjyrime, lirizëm dhe më shumë përshkrime. Poeti N.Hakiu dallohet për detajet e tij poetike, ku mbiemrat foljorë, pjesëzat mohuese dhe antitezat përbëjnë një risi dhe kanë efekte estetike, (në prozën poetike “Madrigal” dhe “Ç’ është dashuria?”). Ndërsa në poezinë e F.Arapit ndihet forca e metaforës dhe figuracioni poetik me vargje të rregullta e të rimuara! (poezia “Ti do më dashurosh patjetër, ose “Margaritë moj”). Në krijimtarinë poetike të tre poetëve, vargjet e tyre janë “britma” dashurie! Aty gjejmë shumë elementë të përbashkët ndikues. Një nga këto është pyetja retorike, e cila shpesh shfaqet si element dhe veçori e lirikës! ((Nxjerre nga Vilam Bello Konferenca shkencore “A. Asllani, Princi i lirikës Shqiptare”fq.93)
Pyetjet retorike janë trope-t më shprehëse që përdoren me shumicë në dobi të efekteve emocionalë. Ato s’kanë nevojë për përgjigje. Brenda pyetjes përgjigja qëndron e fshehur dhe e kuptueshme: Si tju them moj motra…?; Apo sjell melhemin zemrës së goditur?; Ej, ju vasha, doni zemër…?; Mos vallë turp ka dashuria që sodit fshehtësinë, Apo druhe se je veshur me një zhele të arnosur?; Do të vish a s’do të vish?, etj. Them se, këto efekte janë dhe të veçantat e poezive të këtyre autorëve.
Ali Asllani
(Poezi të zgjedhura, Toena, Tirane, 1999, fq.244-249)
“Si një zall të bardhë, si një zall të fortë
Me shami në krye anë e mbanë qëndisur
Dhe me flokë të gjatë prapa arratisur
Dhe me flokë të gjata deri mu në mes
Mu si natë janari sa të thellë të zes
Me shami të hollë balle e faqe hedhur
sa t’i duket syri në qepalla kredhur
Me flori në gushë hapur mu si prush
Si tju them moj motra… pjergulla me rrush”.
Zemra në ankand
(http://www.forumishqiptar.com/threads/145176-Nexhat-Hakiu)
“Merrni zemër kush do zemër! /Ej, ju vasha, doni zemër / E kish marrë lozonjarja / Nga kraharor’ i një poeti! / E si mund ta mbante zemrën / Me tallazet e një deti / Lundr’ e thyer, pëlhur’-çjerrë, / Pa timon e kiç të shtrembër? / Po bërtet përsëri kasneci / Se në dorë zemra i ngeci: / Ej ju vasha, doni zemër? / Kjo nuk shitet, as nuk blihet, / Kini zemër, o ju vasha, / Se me zemër kjo shkëmbehet!”
Fatos Arapi
(Fatos Arapi, Vepra”Më jepni një emër”, Botimet Neraida, Tiranë 2014 f, 16.
“Në sytë e tu diej të vegjël / e ndezën natën dhe ditën e ndezën.
Mirë sot, po si durohet pa ty nesër? / Ti do t’më dashurosh patjetër”
“Ti do vish, e dashur, si s’do vish? / Kur e di që unë po të mundnja,
rreth vetvetes rruzullin do vërtitnja / si një portokall’ në dorën time-
të rrjedhë koha shpejt / e ti të vish…”.
Elementë të natyrës dhe lirika e dashurisë tek poezia e poetëve Ali Asllanit, Nexhat Hakiut e Fatos Arapit
Të paharruara kanë mbetur vargjet e poetit Arapi:
”Hej, vend! / Plot diell e pa dritë / Pagan dhe fron për perënditë / Jetojmë nër male të lartë / Ku qiellln me dorë mund të zëmë / Dhe prapë: / Në ç’humnera kemi rënë!”.
Ose
“Lamtumirë /koha që shkoj / jam një copëz pejsazhi nga vendi im.”
“I vogël, me pantallona të shkurtëra / me këmbë të zbathura e një këmishë humaje / që e qepte vetë gjyshja.
“Ashtu darkë për darkë dilja në breg / Ndër gishtërinj të këmbës së ftohtë më rridhte rëra / Unë prisja me orë të tëra/ gjersa përnjëherësh / tutje nëpër fushat e gjera të natës ngriheshin kope të çuditshme, të panumërta / kuajsh të bardhë /… / të cilët hingëllinin në fushën e gjërë të natës …dhe suleshin nëpër fortunë…Dhe tani, kudo që jam / ashtu fantastik e i madhërishëm, më ndjek pas deti”. (Fatos Arapi, Vepra ”Më jepni një emër”, Botimet Neraida, Tiranë 2014, fq, , 19, 42, 43).
Elementet e natyrës i gjejmë kudo, ndër këto poezi. Si pjesë e jetës, si elemente simbolike, ato paraqesin kontekste nga jeta njerëzore për të treguar qëndresën, besnikërinë, zgjuarsinë, e mbi të gjitha të lidhura ngushtë me dashurinë njerëzore, me vete jetën.
- Dielli – personifikon madhështinë, dritën, vetë jetën etj.
- Hëna – simbolike e vashëzës së dashuruar etj.
- Shpendët (bilbili, pëllumbesha etj.), – simbolike e shpirtit të lirë etj.
- “prush me re kur muget” (retë) – si shumësia e ndjenjave të ndryshme etj.
- Brigje, krua, zall, gurët etj., – janë elemente folklorike ku shpalosen bukuritë e vendit, e këtyre zonave, që “japin zemër”, jetë e shpresë poezisë së tyre.
- Pemët, frutat, ullinjtë, pjergullat me rrush – simbol i bollëkut etj.
- Deti, valët, qielli etj. – shpesh sjellin idenë e madhështisë, të luftës, të shqetësimeve por edhe ledhatimet me përdorimin e prapashtesave zbukuruese “valë-zë moj valë-zë” etj.
- Stinët – si ndryshime të botës shpirtërore të njeriut etj.
Këto vlera me përmasa të shëndetshme, të cilat kurrë nuk e humbasin shkëlqimin e tyre estetik, për të cilat studiuesit Albert Abazaj thekson: “Nexhat Hakiu mbahet mend si poet i ëmbël dhe njeri i ditur. Kur themi që Nexhat Hakiu është tërësisht poeti i dashurisë, kuptojmë, që ai e zbërthente dashurinë me detaje shpirti si një sistem zinxhir në klasifikimin hierarkik të kësaj ndjenje universale, që thur ylberin më të bukur të botës njerëzore. Më të vjetërit në qytet kujtojnë lirikat e tij melodioze, (idilet e madrigalet) që vijnë si vijim i këndshëm nga këndvështrimi i tij artistik e shpirtëror por përsëri, Nexhat Hakiu është zë i veçantë, sepse është zëri i tij, origjinal, me këngët e zambares si një simfoni pranvere”.
Në poezinë e këtyre tre poetëve, është e dukshme vëmendja ndaj përzgjedhjes së leksikut. Ata kanë leksikun e tyre, që i dallon më së miri nga njëri-tjetri, ku në çdo strofë e poezi, gjenë aty, njëherazi sasi emrash, mbiemrash, foljesh, përemrash, lidhëzash, parafjalësh, ndajfoljesh etj., ku dënduria e përdorimit të këtyre elementëve shfaqet si shprehje e individualizmit dhe e veçantisë. Domethënia, semantika, kuptueshmëria dhe cka synon fraza përbëjnë hapsira dhe dimensione në krijimtarinë e këtyre poetëve. Shprehjet e shumta ledhatuese, frazat e goditura dhe njësitë frazeologjike (…dhe ajo qe duket ëngjëllushe e butë, në shishe brenda dy shejtanë fut; në dorë zemra i ngeci; qeshi buza; prapa krahësh; dëgjo zemrën; mbete qyqe dhe kërcu; bota qënka gas e vaj, etj.), i japin lezet poezisë dhe tipare folklori që i përkasin trevave të Labërisë.
Pi e puth (Poezi te zgjedhura, Toena, Tirane, 1999, fq.244-249).
Ti përhera në shtëpi / dhe përhera puth e pi. /Pi e puth / si një zog i zën’ në kurth
përpëlite nëpër odë, / mbush një godë e zbraz një godë / dhe me fletë për poezi.
Vitit të ri
(http://www.forumishqiptar.com/threads/145176-Nexhat-Hakiu)
Prag më prag duke trokitur ndezë mallin dhe kujtimin / Sa i rëndë dhe me ngadalë! /
Falë shpresa më të reja duke zbutur zemërimin! / Zemërdjegurit me fjalë, / I freskove zagushinë (kur për ty uroi çupa /. Kur të priti me të tok…) / Qeshi buza, zemra deshi pranë mikes të ngre kupa, / Miqësia: shoqe-shok. E mallëngjyer prapa krahësh me ca lemza u lëndua.
Ti do vish
(Fatos Arapi, Më jepni një emër, Botiemt Neraida, 2014, fq. 16
Ti do vish, e dashur, si s’do vish?
Kur e di se unë ty të pres
duke ndjer’ frymëmarrjen e vet mbrëmjes
duke ndjer’ frymëmarrjen e vet pritjes
duke ndjer’ frymëmarrjen e vetmisë
Ti do vish, e dashur, si s’do vish?
Kur e di që unë po të mundnja,
rreth vetvetes rruzullin do vërtitnja
si një portokall’ në dorën time-
të rrjedhë koha shpejt
…e ti të vish.
Përfundime
Gjërësia dhe moskufizimi me shprehje popullore e frazeologjike, një liri poetike e lakmueshme tek këta poetë, ndërthuret qartazi nën këndvështrimin: “frazelogji-gjuhë poetike-individualitet krijues”.
Për të shtjelluar pak a shumë elementët që i bashkohen frazeologjisë si gjuhë poetike dhe individualitetit tek këta poetë, shtoj se:
- Tipar dallues është zgjerimi dhe shtimi i vazhdueshëm i kuptimisë që ka çdo fjalë e tij- (nënkupto vargun).
- Ata i kanë dhënë parësi kushtit barazfuqi teorike të fjalës poetike.
- Trekëndëshi i mësipërm është një pllajë ku lëviz trashgimia gjuhësore e shoqërisë.
- Frazeologjia e poetëve Asllani, Hakiu dhe Arapi është tejet e pasur dhe origjinale.
- Ata shfrytëzojnë frazeologjinë popullore të trevave ku kanë jetuar. Frazeologjia gjuhësore është e përqasur si individualitet, si një “materie” poetike e prekshme për gjatë leximit të poezive të tyre.
- Po kështu dhe leksiku i përdorur prej tyre është në funksion të botës shpirtërore e materiale të Labërisë.
- Ato janë me vlera semantike dhe me ngjyresë krahinore, emocionale dhe shpirtërore.
- Frazeologjia e tyre shquhet për përmbajtje të gjerë, për figuracionin dhe për ngjyrim të fortë emocionues.
– Frazeologjizmat me prejardhje popullore në krijimtarinë poetike të të tre këtyre poetëve përbëjnë një vlerë artistike e leksiko semantike në gjuhën Shqipe, sidomos në poezi, ku dhe mundësia është më e kufizuar se në prozë.
– Frazeologjitë e tyre i gjejmë më të shumtat foljore, madje edhe të motivuara me krahasim dhe që përmbajnë lidhëzën krahasuese “si” dhe atë sasiore “sa”, Pi e puth/si një zog i zën’ në kurth; zonja mu si çupa, çupat mu si nuse; me shami të hollë balle e faqe hedhur, sa t’i duket syri në qepalla kredhur.
Apo edhe njësi të tilla frazeologjike: T’i ka zënë faqet pushi (është rritur e zbukuruar); qeshi buza (u gëzua); Merrni zemër kush do zemër (të kenë kurajo); ndezë mallin dhe kujtimin (rikujton të shkuarën), etj. frazeologji emërore ku spikatin: yll në sy skalitur; zonja mu si çupa, çupat mu si zonja; brigje më brigje, etj.
- Në thelb, krijimtaria e poetëve A.Asllani, N.Hakiu dhe F.Arapi ka individualitetin e tyre, që nuk tjetërsohen me të tjerë pavarësisht ndikimeve nga e njëjta treve burimore.
- Ndikimet, nuk janë imitime, as kopjime, ato janë pjesëza që përthithen në kohë nga krijues të ndryshëm. Janë ato vlera, që në kohë të caktuara kanë rëndesën e tyre, që ndikojnë si hope cilësore poetike tek të tre poetët!