Albspirit

Media/News/Publishing

Intervistë me pedagogen Haris Vongli/Nisma ‘Mos e braktisni Shqipërinë’ nxit të rinjtë të mos largohen

Melsena Danglli, businessmag.al

Vitet e fundit, shqiptarët po largohen në masë nga vendi. Të rinjtë dhe profesionistët po zgjedhin të punojnë jashtë kufijve. Në një periudhë të tillë të vështirë për Shqipërinë, profesorët e Fakultetit Ekonomik të Tiranës, Haris Vongli dhe Ilirjana Kuçana kanë ndërmarrë nismën “Mos e braktisni Shqipërinë”. Në një intervistë për Business Mag, Haris Vongli na tregon më shumë rreth nismës.

Në një kohë kur Shqipëria është shumë e trazuar dhe njerëzit po orientohen drejt emigrimit ju thoni “Mos e braktisni Shqipërinë”. Si lindi ideja e kësaj nisme?

Haris Vongli: Shqiptarët orientohen drejt migrimit sepse e shohin shpresën tjetërkund dhe kjo është mëse e qartë. Largimi masiv i shqiptarëve, kryesisht të rinjve, është një fenomen i rëndë për kombin dhe zhvillimin e vendit, i cili është i njohur si shpopullim dhe nuk duhet t’i faturohet aspak globalizimit. Shqipëria është një nga 20 vendet me shpopullimin më të lartë në botë. Në fakt ky është fenomeni më shqetësues kombëtar sot dhe askush nuk mund ta zgjidhë këtë veçse vetë shqiptarëve duke zgjedhur të qëndrojnë dhe jo duke e braktisur Shqipërinë.

Popullsia shqiptare është vetë faktori stabilizues për ditët që jetojmë. Unë dhe kolegia ime, Ilirjana Kuçana, kemi vënë re këto vitet e fundit një boshatisje të auditorëve ku japim mësim, apo edhe shqetësim të vetë studentëve tanë, të cilët shprehen se po u largohen shokët e shoqet, familjarët e të afërmit, bashkëqytetarët e tyre dhe se vetë ata duan të largohen. Kjo klithmë kolektive, le të themi, na ka prekur jashtë mase, pasi edhe shumë kolegë të tjerë, nga universitete të ndryshme të Shqipërisë, po përballen me të njëjtat problematika. Siç edhe e dimë, në shumë universitete janë mbyllur disa degë dhe në shumë fshatra janë mbyllur shumë shkolla. Ky përbën shqetësim, ndaj edhe ne vendosëm t’u bëjmë thirrje jo vetëm studentëve tanë, por mbarë shqiptarëve që duke zgjedhur të qëndrojnë në vend, ata mund të ndryshojnë këtë mpirje e pakënaqësi të madhe kolektive.

 Prej sa kohësh është ndërmarrë nisma juaj?

Haris Vongli: Ne kemi kohë që bëjmë thirrje që shqiptarët mos ta braktisin vendin, por në fillim të këtij viti, kur shifrat alarmante të shpopullimit u reflektuan në rritje kudo në media, vendosëm t’a përhapim kudo të mundemi këtë shqetësim e të sensibilizojmë së pari të gjithë se, kemi të bëjmë me një shpopullim, jo thjesht migrim dhe së dyti të bëjmë c’të mundemi për mos rënë pre e propagandës se jetojmë ditë të bukura. Nëse do të ishte kështu, askush nuk do të zgjidhte t’a braktiste Shqipërinë. Së treti, kjo nismë është në formë dhe përmbajtje e ndjerë, njerëzore dhe intelektuale, sepse shpopullimi përbën asimilim, është mbytje e identitetit, dhe në mos i qëllimtë, shpopullimi është pasojë e një sërë shkaqesh e politikash të bëra jo mirë. Për rrjedhojë, lehtësimi i këtij fenomeni sigurisht që kërkon hapa intelektuale, njerëzore, të ndjera dhe mbi të gjitha konkrete. Pra, qëndroni dhe ndryshoni, zhvilloni vendin tuaj, kjo është thirrja.

 

A mund të na tregoni pak më shumë rreth efektit që ka patur nisma?

Haris Vongli: Nisma ka patur efekte shumë pozitive, por ne e prisnim këtë sepse shpopullimi nuk është fenomen që na cënon vetëm neve, por prek të gjithë shqiptarët. Ngritja e këtij shqetësimi ka ardhur si fillim nga vetë studentët, nga shifrat, nga studimet brenda dhe jashtë vendit, nga numrat e INSTAT-it dhe raportet e OKB-së, etj. Ne thjeshtë e kemi bërë atë më publike dhe mediatike duke folur kudo dhe me këdo. Me pak fjalë, nisma nuk është e jona, është e të gjithëve atyre që duan të bëjnë diçka të mirë për Shqipërinë.

 Kush ju mbështet në “Mos e braktisni Shqipërinë”?

Haris Vongli: Shqetësimin serioz për largimin në masë të shqiptarëve e kanë ngritur shumë pedagogë të tjerë, intelektualë, aktivistë të shquar, studiues, politologë e shkencëtarë, komunitetet fetare, gazetarë, artistë, mjek, të rinj e të reja, studentët tanë në fakultete shtetërore dhe private, gjyshër dhe gjyshe, pra jemi shumë. Mediat vizive dhe të shkruara e kanë ndjerë jehonën që ka patur nisma “Mos e braktisni Shqipërinë” dhe thjesht, sikurse edhe juve, na kanë ftuar të flasim e shkruajmë më shumë për këtë. Për sa kohë mediat e mbështesin këtë nismë, ne ja kemi arritur qëllimit. Qëllimi është fare i thjeshtë. Kuptoni se kemi të bëjmë me shpopullim dhe ne të parët duhet ta ndalojmë këtë fenomen shkatërrues, duke zgjedhur të qëndrojmë.

 Çfarë synoni të arrini përmes nismës tuaj?

Haris Vongli: Edhe nëse një njeri të vetëm arrijmë t’a bindim se duhet të zgjedhë Shqipërinë e jo të largohet, kjo është për ne një kauzë e fituar, e kështu vjen reagimi zinxhir, zgjimi nga mpirja dhe mungesa e shpresës, pastaj vjen gjithçka natyrshëm. Nëse rilind shpresa, dita e nesërme do të jetë edhe më e bukur për t’a bërë Shqipërinë një vend më të mirë për të jetuar.

 Sipas jush, cilat janë arsyet kryesore pse po braktiset Shqipëria?

Haris Vongli: Kjo që po i ndodh Shqipërisë, pra largimi masiv i të rinjve e shumë grupmoshave të tjera, si azilantë, studentë apo të punësuar, apo edhe nëpërmjet rrugëve më të rrezikshme për sigurinë e jetës, nuk është si pasojë e globalizimit, por është si pasojë e varfërisë, papunësisë, e pamundësive, pabarazive, padrejtësive, kaosit, korrupsionit, mungesës së meritokracisë, nepotizmit, e një zhvillimi të paqëndrueshëm, mungesës së një konstanteje të një rendi shoqëror të paqtë, mungesës së shpresës për një të ardhme krejt të thjeshtë, por ama të sigurtë. Për ata që thonë se largimi i shqiptarëve është pasojë e globalizimit, dua të rikujtoj se statistikat dëshmojnë se janë vendet e globalizuara ato që rriten me shpejtësi, ndërkohë që ato të paglobalizuara ngelen në vend ose pësojnë rënie.

Ju keni studiuar dhe punuar në disa vende të botës, por jeni kthyer sërish në Shqipëri. Pse kjo zgjedhje?

Haris Vongli: Sepse Shqipëria është shtëpia ime. Unë kam studiuar dhe jetuar prej vitesh jashtë shtetit, në Angli dhe së fundi në Kinë. Gjithashtu kam dhënë mësim andej, por kam marrë çfarë më është nevojitur, akademikisht dhe profesionalisht dhe kam zgjedhur të kthehem e kontribuoj në vendin tim. Auditorët ku unë jap mësim, në Fakultetin Ekonomik dhe atë të Shkencave Sociale, janë më të bukurit që kam dhënë mësim ndonjëherë, krahasuar me kudo në botë. Ata janë auditorët e shtëpisë sime dhe unë gjendem mes studentësh e kolegësh me të cilët flas e ndërveproj shqip. Prandaj si sllogan timin personal përdor: “Zgjidhni Shqipërinë, unë kam zgjedhur Shqipërinë, mos e braktisni atë”.

Pse të “Mos e braktisim Shqipërinë”?

Haris Vongli: Në fakt, ullinjtë, limonat, mjaltin, djathin, detin, diellin, gjyshërit e prindërit që mbesin vetëm, duhet t’i duam më fort dhe të mendojmë se jeta është vërtet e shkurtër dhe ajo që duam të pretendojmë se do lemë pas, gjatë hapave tanë, është një emër i mirë, një ndërgjegjje e pastër, vepra njerëzore, që i shërbejnë jo veç një individi, por një komuniteti të gjerë. Ne nuk mund të jemi pafundësisht egoistë. Mendimet mund të na ndikohen, shpirti duhet të jetë i fundit që duhet të lejojmë të na cënohet. Nëse kjo ndodh, njerëzit dorëzohen sepse janë të brishtë për nga natyra, por janë edhe të lodhur, kapitalizmi nuk është fushë me lule. Sidoqoftë, ne s’mund t’a kuptojmë të keqen kur ajo të jetë në gramat e fundit, ne duhet t’a kapim në kohë për ta luftuar atë me themel.

A është situata ekonomike dhe politike aktualisht e përshtatshme për të qëndruar këtu?

Haris Vongli: Pikërisht se situata ekonomike dhe politike aktualisht janë të papërshtatshme, ne duhet ta ndryshojmë këtë gjë, ndryshe kush do e bëjë Shqipërinë nëse ikim të gjithë? Kujt do ja lemë Shqipërinë?

 Së fundi, a mund të na jepni disa këshilla sesi të jemi të suksesshëm dhe të investojmë në vendin tonë?

Haris Vongli: Punë dhe jo fjalë, shumë punë dhe seriozitet ndaj sakrificës së prindërve, repsekt ndaj ekzistencës sonë në komunitet me të tjerët dhe kurajo, shumë kurajo për të thënë të vërtetat, për të ngritur zërin në mbrojtje të të drejtave tona dhe për të mos e gënjyer veten dhe të tjerët, Raporti i drejtë me të vërtetën më ka udhëhequr në cdo hap timin. Investimi në vendin tonë mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse nuk gënjejmë së pari veten dhe së dyti të tjerët mbi realitetin ku ndodhet vendi sot.

Please follow and like us: