Nikollaq Neranxi: Për at Kozma Karavellën dhe pronat e himariotëve!
Po lexoj statuse të ndryshme të himariotëve të cilët po akuzojnë për një ligj për pronat, një njeri të cilin unë e respektoj dhe e admiroj shumë, por jo vetëm unë. Himariotët janë duke përgojuar sot father Karavellën, një personalitet, vlerat e të cilit në shërbim të kishës ortodokse dhe humanizmi i tij, janë të njohura botërisht. Personaliteti i Father Kozma Karavellës është vlerësuar nga Presidenti i SHBA-ve Donald Trump, duke e shpallur atë si një mik të ngushtë.
Personalisht kam shkuar për ta takuar rreth tri vite më parë në Washington, në kishën ortodokse ‘St. Kostantin and Helen Annapolis Maryland’ ku ai shërben. Kam shkuar t’i kërkoj ndihmë për problemin e pronave të Himarës dhe kam zbuluar tek ai një mik të madh të himariotëve. Edhe për avokatin Simo Dhima që ka kontribuar për këtë ligj, gëzoj shumë respekt!
Çdo sugjerim që i ka ardhur qeverisë shqiptare nga Father Karavella për ligjin e pronave dhe pajisjen e himariotëve me certifikate pronësie, nuk mund të jetë tjetër veçse dashamirëse dhe pozitive. Prandaj iu bëj thirrje himariotëve të mos nguten në nxjerrje konkluzionesh. Himariotët kanë 30 vite që presin Greqinë t’i ndihmojë për të marrë certifikatat e pronësisë dhe deri tani nuk kanë gjetur zgjidhje, rruge për të cilën unë asnjëherë s’kam qenë dakord. Ky ka qenë një gabim i madh, çmimin e të cilit po e paguajnë sot.
Tani që ka një kontribut nga himariotët e Amerikës, ç’ne që nuk po ju pëlqen dhe s’keni durim? A keni kërkuar zgjidhje të problemit të pronave apo thjesht keni dashur të mashtroheni nga disa individë me agjenda personale këtej dhe andej kufirit?
Tregohuni më të pjekur dhe jepni mendimin tuaj kur të jeni më të qartë dhe mbi të gjitha kur ta kemi ligjin të plotë. Nëse ai nuk mbron të drejtat tona pronësore, do gjejmë hapësira ligjore për ta ndryshuar.
Himariotët e ndershëm duan regjistrimin e pronave, nuk kanë axhendë tjetër përveç kësaj! Kush do të merret me politikë, gjeopolitikë dhe probleme etnike, lërini në hallet e tyre!