Cikël poetik nga Nexhat Halimi
Deti e pulëbardha
Dera e kullës kaq vjet ka e nuk çilet
unë as dal as hy veç mërzitem e pres
veç digjem në ethe, në pije, pak vdes
në pasqyrë ëndrra nën dry mëshilet.
E hana e zbehtë kroki vjen në frëngji
brenda vetmisë e shpirtit në pranga
hija e ikur vetes përvilet për manga
shtrirë në ethe i humbur digjem e pi.
E fanari në shkëmb shenjë e zbehtë
pret e nis anijet në ishullin e vjetër
tërë natën e pikas as zgjuar as fjetur.
Deti shtrihet syprinës së ndezur lehtë
zemra trokon kaq e vetmuar në gji`
era përplaset në shkallë kate frëngji.
Dhembje në gji
Era përplaset në shkallë kate frëngji
e ndiej mungesën e frymës zbrazësinë
mungesën e çeljes së lules gjithësinë
natyrisht liria je ti, prania e etjes në hi.
I ngjes shkallët me hov i zbres e eci
hyj në bibliotekë veçoj `i libër tjetër
të tëra nën tis pluhuri kaherë paprekur
‘Plaku e Deti’ e disa faqe nga procesi.
Në tryezë pluhur e një fletore e hapur
pak shkrim për shtetin e ri të kapur
e më pastaj tre yje e nën ta një poezi.
I fryj pluhurit e më zë kollë e gjatë
pikas qiellin ja tashmë veç është natë
tepër vonë të mos më dhemb në gji`.
Vonë të mos vdes
Tepër vonë të mos më dhemb në gji`
të mos e ndiej kamën të ngulur gurit
të mos e ndiej hijen e lules së murit
tepër vonë të mos rrjedh gjaku në hi.
Tepër vonë të mos vdes për syrin e zi
të mos bredh kullës në shenjë të anijes
të mos vdes ardhje-shkuarjes së hijes
tepër vonë të mos më djeg etja për ty.
Tepër vonë të të mos dua për vdekje
të mos afrohem të dehem me prekje
të mos krijoj ëndërr në të cilën s’ je ti.
Ja në pasqyrë hija për mënga përvilet
e brenda digjet shpirti, jashtë bie shi
ik kot hamendjes, ç’hapet e ç’mbyllet.
Përplasje gjaku
Ik kot hamendjes, ç’hapet e ç’mbyllet
asgjë kurrë s’mund të bjerë me fund
përplaset gjaku, Çamërinë e lëkund
vetëm guri në vendin e vet përfillet.
Ende përplaset gjaku dhe në Toplicë
zgjohet shpirti dhe Malësisë së Madhe
e te kroi i vjetër vjen një sorkadhe
unë mes hijes e trupit dal në Galicë.
Te gur i madh shkruaj letër me gjak
zgjohet kafke nga shpella vetëtimë
e ti shfaqesh për Kosovën në flakë.
Bora ndopak është shkrirë e fryn erë
e në dejtë e këputur të kodrës oshtinë
etja mbetet të bjerë shi pandërprerë.
Vetmi e shtrirë
Etja mbetet të bjerë shi pandërprerë
të zbres malet fushat erë e lehtë e butë
të të kujtoj ty kaq vjet më vonë teutë
në hapësirën e mbuluar me borë e erë.
Qes kokë në frëngji më pikin dy lot
tashmë je kaq larg e bie shi me furi
ndërmjet hijes e trupit shtrihet vetmi
e udhët më endin rreth ëndrrës kot.
Unë tashmë, a të kujtohem fare vallë
çastet të zgjojnë dashuri a veç mall
zinxhirët a t’i rilidhin ende dashuritë.
Gjithçka e gjakut mbetet gjurmë në gji`
përjetohet gjithçka ndër zjarr dhe hi
përjetohet pafundësia e zgjohen sytë.
Hija e dytë
Përjetohet pafundësia e zgjohen sytë
ajo jashtë kullës hyn brenda imazh
figurë e rindërtuar me metaforë kolazh
përfytyrim mishëruar në hije të dytë.
Riprodhoj çdo gjë pa qenë vetë fare aty
i sjell para sysh ullinjtë, sendet, frutat
krejt përafërt me detin, qiellin, fluturat
një e një përmes imazhit fjetur në ty.
E ti je larg as shikon kaq vjet e as flet
kot përjetoj shembje rrënime tërmet
veç zemra nuk jepet në asnjë mënyrë.
E deti me valë i bie kullës, luan me lirë
e lart në bedena zgjohen fshehtësitë
udha vjen te ura e aty ja vetëtijnë yjtë.
Imazhe të hidhura
Udha vjen te ura e aty ja vetëtijnë yjtë
vetëtijnë yjtë e veç ti s’je aty aspak
ti je gjithnjë në mua dritë e lule, je cak
hapësirë e artë zog në etje, te qershitë.
Dal nga kulla shkallët e kalasë i zbres
tashmë agimi është përndezur flakë
gjurmë rërës ikin paralel tërë përgjak
kaq i mangët pa ty çel ky mëngjes.
Ndiej dhembje të shpinës e në kokë
kurmit vetëtijnë ethe me ca të dridhura
shtrihem në tokë e mbahem për tokë.
Therin imazhe të zbehta e të hidhura
më sjellin përzierje e të vjella përherë
lart ikin degë me mollë, është verë.
Zemra e vrarë
Lart ikin degë me mollë, është verë
e ja hëna e ngjashme me banane
ah më thave më tere e më bëne krane
valët zgjohen fryn nga largësia erë.
Kot radhis poezi, më kujtohet poeti
kaq ka dhembje për zemrën e vrarë
njëjtë kam mall shpirtit të ndarë
e pulëbardha sjell lajmin prej deti.
Vjen me pikëllim në pupël të shtatë
bart frymë zgjimin në shtrëngatë
e ti fle e unë kthej në kala me natë.
Bëj përpjekje prapë të radhis fjalë
mendimi i brendshëm e ritmi i gjatë
ëndrra çel dritaren e rizgjohen valë.
Rruaza korali
Endrra çel dritaren e rizgjohen valë
në bedena vë bërrylat e faqet në duar
asgjë s’ka arritur asgjë s’ka shkuar
uji e rrah shkëmbin e vjen një ngjalë.
Rrëshqet `i ngjalë ngjan në gjarpër
çdo gjë ka vajtur e s’vjen t’ i çel sytë
veç vala rruaza korali rërës ndrit
e hapësira e vrenjtur është e kaltër.
Nuk do të vonojë e të vish te gjerana
te kështjella e shkodrës te nëna në mur
te flijimi mitik me njërin gji në gur.
Me libër në dorë ec tek fle e pathëna
eci eci eci e çel derën me kangjella
borë resh e njëherësh çelin asfodela.
Çaste me jehonë
Borë resh e njëherësh çelin asfodela
bien ritme zemre, çaste me jehonë
ndër gema të përndezur, qielli kaltëron
agun e zgjojnë pulëbardha e gjela.
Tufa e dritës për frëngji futet në sy
e deti pafund shtrihet lehtë mbi valë
në liman tashmë ja një anije ndal
ndoshta prej veriut ke arritur dhe ti.
Kot natën e ikur të prisja në peron
ardhjet dhe ikjet e trenit villnin tym
gjirit të ngrirë, veç zemra trokon.
Më ikin mendime me çarje të thella
e prisja ikja visha çastesh me tërbim
Adami e Eva kalojnë mbi kangjella.
Pupla e zjarrtë
Adami e Eva kalojnë mbi kangjella
a veç më përhitet pulëbardha e fjetur
me shpirtin e detarit në ajër mbetur
e uji në fund deti ka krijuar shpella.
I vërvit vetes guacat poshtë e lartë
e hija ende vjen me shpirtin e ikur
s’është mit ky zog as yll i shpikur
me sqepin e verdhë e pupla të zjarrtë.
Herë bart nurin e shpirtit të vdekur
a rrufenë e end qiellit herë tjetër
e në stihi kaq gjatë pret pema e artë.
Befas bie në frëngji i degëz e zjarrtë
të dua këpus për ty të vetmen fjalë
rërës gjurmë guaca e ndonjë ngjalë.
Pulëbardha e deti
Rërës gjurmë guaca e ndonjë ngjalë
gjurmë tua, të mia, gjurmë të Mujit
e përplasje ere, brigje rëre, ndezje të ujit
prapë lart pulëbardha e deti valë-valë.
Prapë deti me syprinë ngjyrë ylberi
afrohet e `i peshk i rrallë me gjemba
e ca rruaza korali e alga me rremba
e krye kalasë jep shenjë drite feneri.
Kthej prapë vetes në shesh të vjetër
e `i qen i vetmuar e leh më kot hënën
unë me mall të kujtoj ty e nënën.
Dua të ik në një ishull a planet tjetër
aty të të dua të të shkruaj me zjarr
dhemb përsëri mungesa zot çel varrë.
Kalaja mbi Bunë
Dhemb përsëri mungesa zot çel varrë
qaj ndërmjet ethesh e ngrirjes në mall
e zjarri i gjakut çdo damarë e kall
qaj për ty zemër me lot kaq i marrë.
Në dënesje qaj e cijatjet çajnë qiellin
kulla brenda fle e jashtë zgjon furtunë
nisem të arrij te kalaja përmbi Bunë
te i njëjti lis dy degësh dëgjoj fyellin.
Pëlcet vetëtimë e shpirtit, djeg në mua
pika e ujit të gurit, pik ndezur në krua
ç’udhë të ndjek, të ngel vetëm zjarr.
Në mes ëndrrës e dhembjes në vetmi
shtroj tryezën me ëndrra, konjak e ulli
a e sjell shkrimi shpirtin tim zvarrë.
Rënia në gjunjë
A e sjell shkrimi shpirtin tim zvarrë
gjakshkrim është ecja e vetes në hapësi
rënia në gjunjë të pish ilaç në vetmi
koha tri copash nga rrëshqet në varrë.
Shkrimi është hamendje ndoshta zar
pik gjakut e përsëri lidhet me gjak
ka vjet njëjtë, i djeg lulet në shuplakë
e librin për ty e robëron vetëm zjarr.
A do të shihemi apo kurrë më Teutë
udhës për shtoj fryn erë e lehtë e butë
e thyej udhën e papritur, ik për Bunë.
Ka dhe ca udhë e hy befas në furtunë
kohë më vonë të mos kujtoj sesi dilet
dera e kullës kaq vjet ka e nuk çilet.
Magjistrali
Dera e kullës kaq vjet ka e nuk çilet
era përplaset në shkallë kate e frëngji
tepër vonë të mos më dhemb në gji
ik kot hamendjes, ç’hapet e ç’mbyllet.
Etja mbetet të bjerë shi pandërprerë
përjetohet pafundësia e zgjohen sytë
udha vjen te ura aty ja vetëtijnë yjtë
lart ikin degë me mollë, është verë.
Endrra çel dritaren e shfaqen valë
borë në male në luginë çelin asfodela
Adami e Eva kalojnë mbi kangjella.
Rërës gjurmë guaca e ndonjë ngjalë
dhemb përsëri mungesa zot çel varrë
a e sjell shkrimi shpirtin tim zvarrë.