Ilnisa Agolli: AKTORIT!
I dashur mik
dikur kishe një ëndërr
të mos mërziteshe më
por, e ke vënë re
gjithëherë kur të flas unë
ti vetëm hidhërohesh.
A e di se ditë të ftohta priten të vijnë?
Lejomë të të them se
dëshirat grisen shpejt
dashuritë po ashtu.
E vetmja gjë që zgjat përgjithnjë
është gjumi në spital
dhe sytë e infermieres
kur kalon një natë të qetë.
Por ky nuk është fati yt
Sa keq
A e di se do zgjohesh një mëngjes
me mornica ankthesh
dhe tradhëtitë do të të djegin ballin?
Se mandej, do rrëmosh në dollap për batanije
e do kujtohesh që as xhup s’ke më?
Oh, i dashur mik ç’padrejtësi
Ti e vare dimrin e shkuar në kremastarin e një bordelloje bashkë me zemërimet dhe ankesat
e nuk pate kurrë guxim ta merrje më
Ndaj vendose të rrije aty
derisa sëmundja seksuale të të paralizohej
ashtu në atë dhomë, krejt lakuriq
me në shtrat gjithnjë të njëjtën fytyrë prostitute
njëjta skenë pallimi
njëjta krizë
njëjta bisedë
për një të huaj që ka lënë vendin
dhe një tjetre që kërkon të ikë jashtë
I dashur mik, ç’skenë
E drejta jote
e kemi diskutuar
unë nuk të gjykoj.
Por, ditë të ftohta priten të vijnë
dhe këtë dimër s’ta përballon trupi
Imuniteti të ka rënë.
Aspirinat nuk të qetësojnë frikërat
dhe vetëm tani ti po e ndjen
si t’i morën të gjitha, në një metër katror
aty ku vare xhupin.
E, padashur veten
Nuk kam asgjë, jo
Por, lejomë të të them se
thjesht i druhem një mëngjesi
Tëndit, në orën 7
që vjell nga
dhimbja e stomakut
dhimbja e vetmisë
dhe ulëret si i marrë për botën mizore.
Natyrisht, unë do të jem larg
duke pirë kafenë e zakonshme
lexuar gazetën dhe nuk do të dëgjoj
as fqinja
as roja pallatit
asnjë.
E gjitha si një ëndërr, mik
ajo që ti dikur
kishe.