Irma Kurti, ikonë e kulturës shqiptare
Vangjush Saro
Në vështrimin e autorit të këtyre radhëve, shkrimtarja Irma Kurti është sot një ikonë e kulturës shqiptare: nëntëmbëdhjetë libra në gjuhën shqipe, ndër të cilët: “Mesazhe nga lart”, “Kohë për t’u dashur” dhe “Dallgët thërresin emrin tënd”. Një numër të konsiderueshëm botimesh (dymbëdhjetë) në gjuhën italiane; veçojmë “In assenza di parole”, “Il sole ha emigrato”, “In una stanza con i ricordi”. Nuk mungojnë në ‘bibliotekën’ e saj edhe titujt në anglisht.
Poetesha e njohur ka marrë çmime e vlerësime nga më seriozet; kritika letrare në Itali e ka përshëndetur mëse një herë. Po kujtojmë vetëm disa prej tyre: Çmimi i parë në Konkursin Ndërkombëtar të poezisë dhe prozës 2011 “Napoli Cultural Classic”; çmim i parë në seksionin e prozës në Konkursin Ndërkombëtar “Lago Gerundo-Europa e Cultura” në Paullo, Milano; çmim i parë në Konkursin Ndërkombëtar Letrar “Europa 2015” në Lugano, Zvicër; çmim i parë në Konkursin Letrar “Posedonia Paestum 2017” në seksionin e autorëve të huaj; çmimi i parë për librin me poezi “Il sole ha emigrato” (Dielli ka emigruar) në Konkursin “Leandro Polverini” në Romë; çmimi i dytë në Konkursin “Pranvera poetike e Diasporës 2016” në Zyrih në Zvicër; çmimi i dytë në Edicionin e 16-të të Konkursit Kombëtar të Poezisë “Enrico Brianza, 2019” në Treviglio, Bergamo.
Ja se ç’shkruan gazetarja italiane Grazia Pia Licheri për krijimtarinë e saj: “Me një gjuhë të thjeshtë e të drejtpërdrejtë, poetja Irma Kurti na ofron edhe një herë një shumëllojshmëri ndjesish, një lloj ditari në vargje që hapin dyert e reflektimit ndaj temave intime dhe ekzistenciale. Irma Kurti arrin drejt e në zemrën e lexuesit, duke hedhur poshtë si gjithmonë idenë se poezia është një mjet i zgjedhur për disa, sepse format narrative të mbushura me zbukurime dhe artifice letrare nuk i përkasin aspak stilit të saj.”
Krahas poezisë, Irma Kurti po lëvron me sukses edhe prozën, në gjininë e tregimit dhe romanit.
***
Ajo që e karakterizon rrugëtimin e poetes, që e bën edhe më të plotë profilin e saj artistik, është lidhja me muzikën. Irma Kurti është njëra nga poeteshat më të njohura me lidhje të ngushta me këngën. Bashkëpunimin e parë, poetesha e ka pasur me kompozitorin Aleksandër Vezuli, në vitin 1983; dhe pas kësaj, erdhën bashkëpunime të tjera në Festivalet e Studentit në vitet 1984-1985.
Irma Kurti, për vite me radhë, ka dhënë një ndihmesë të madhe në gjininë e këngës; ndër bashkëpunimet e saj, janë të njohura ato me disa kompozitorë ndër më të dëgjuarit: Ferdinand Deda, Luan Zhegu, Osman Mula, Ilir Dangëllia, Agron Xhunga, etj. Qasja e saj te kënga ka sjellë krijime që mbeten si arritje të rëndësishme, për muzikën dhe tekstin e këngës: “Mbrëmja që mban dashurinë time”(1986), “Pranë të kaltrit det”, “Një çast në kujtesën tënde”(1987), “Letër malli”(1988), “Nën qiellin e kaltër të rivierës”, “Shikomë në sy”, “Trokite te dera” (1989), “Nuk iu zemërova pranverës” (1990) të kënduara në Festivalet e Këngës në RTSH apo në Koncertet e Pranverës. Thjeshtësia e të shkruarit, gjetjet interesante, kërkimi i përmbajtur në detyrimet stilistike dhe përshtatja perfekte e fjalës me notën, ka bërë që tekstet e saj të pëlqehen dhe t’i rezistojnë kohës.
Një ‘contrapunkt’ në këtë shënim që ka të bëjë me lirikën e vërtetë dhe muzikën e vërtetë. Rasti i artit të Irma Kurtit, na shtyn ta shqyrtojmë problemin në dy pamje. Pamja e parë: Dëgjojmë të mburren me tepri autorë tekstesh që s’kanë lënë titull e nder pa marrë, anipse me një krijimtari mediokre dhe të larushitur me lajle-lule të kohës kur, gjithsesi, arti ishte nën presion e nën ndikimin e ideologjisë. Një shumicë tekstesh të tyre na flet për dashurinë “gjithnjë mes shokëve e shoqeve” dhe që “m’e bukur puna del” e të tjera motive asfare lirike. Mund të çmojmë lirikat e natyrshme dhe të vërteta, siç edhe përmenda më lart, por jo çdolloj vargëzimi për hir të muzikës dhe ‘zogëluar’ për shkak të limiteve të kohës; (ndonjëherë, vetë autorët i ngushtonin ato, ‘për të qenë brenda’). Pamja e dytë: Kur lexon poetesha të vërteta, mes të cilave bie në sy menjëherë Irma Kurti, kupton më mirë se sa mediokre janë një pjesë e krijimeve të sotme, ndërkohë që për tekstet boshe e të zhytura në banalitet, është folur gjerë e gjatë.
Në vitet e fundit, Irma Kurti ka shkruar mbi 50 tekste këngësh. Vlen të përmenden bashkëpunimet me kompozitorin Nonda Kajno dhe këngëtaren Olsa Pema: “Loti i akullt”, “Dera gjysmë e hapur”, “Cigarja në buzët e tua”, “Bëj sikur fle”, “Shalli”, “Në pragun e magjisë”, “Vallëzim në shi” etj. Për këtë binom të rëndësishëm poezi-muzikë, poetja shprehet kështu: “Lidhja ime me muzikën është e hershme, që kur isha fëmijë dhe ngjitesha në skenën e festivalit për fatosa dhe pionierë në qytetin e Elbasanit, për të kënduar si soliste. Me kalimin e viteve, kur nuk kisha më kurajon për të dalë përpara publikut, e ruajta lidhjen me muzikën përmes poezisë… Sfida ime më e madhe sot është të shkruaj tekste në gjuhën e vendit ku jetoj, pra në italisht; deri tani janë botuar pak këngë prej tyre, por të tjera janë në pritje për t’iu prezantuar publikut.”
Nuk po zgjatemi në të tjera arritje të poeteshës që është tashmë në zenit të krijimtarisë së saj letrare, ngase qëllimi i këtyre radhëve ishte lirika si e tillë në raport me muzikën. Sigurisht, përsëris, mirë është që këto arritje të jenë edhe më shumë në vëmendjen e medias dhe të institucioneve shqiptare. Megjithë kakofoninë që kemi në këtë fushë, emrat e rëndësishëm të kulturës janë të pakët, shumë të pakët; dhe duhen vlerësuar me seriozitet.