Haris Vongli: E ardhmja jonë është Shqipëria ku duam të jetojmë thjesht të lumtur!
Revolucioni Francez dhe tezat e tij ligjërohen sot në mbarë auditorët e botës dhe ato çka mësojnë studentët është se ky revolucion përbën një ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Francës dhe jo vetëm. Protestat e qytetarëve, studentëve, punonjësve dhe të gjithë grupeve të ngritura kundër pushtetit monark të asaj kohe, për arsye sociale, ekonomike e politike, sollën fundin e monarkëve dhe lindjen e një rendi të ri.
Në fundin e shekullit të 18-të, francezët i shkaktuan disfatën më të madhe një ndër mbretërive më të lavdishme. Pra, triumfoi forca e sovranit.
Me revolucionin francez ndryshoi edhe koncepti i pushtetit (ai jo që nuk mund të ishte vetëm shtypës ndaj njerëzve, por sidomos se nuk kishte përse të ishte i përjetshëm) – por mbi të gjitha bota ndryshoi konceptin e saj, duke mësuar nga revolucioni, se gjithçka në fakt mund të ndryshohet, kur sovrani do që zëri i tij të dëgjohet dhe të gjithë të jenë të barabartë përpara ligjit.
Pushteti absolut i kish lënë njerëzit e thjeshtë të varfër e të uritur, pa shpresë, ndërsa brezi që po rritej dhe u ngrit ishte ngjizur tanimë me ide dhe kurajo.
Iluminizmi i atij brezi solli ndryshime galopante që do të ndikonin edhe në shekujt e ardhshëm konceptin për shoqërinë dhe lirinë e saj. Shoqëria europiane, që prej Mesjetës, kishte njohur ndasi të mëdha mes shtresave të shoqërive, pra mes pasurive të klerikëve, fisnikëve dhe popullit. Këtu ndodhet sot Shqipëria. Por iluminizmi i asaj kohe solli zhvillimin në shkencë e filozofi, për rrjedhojë në mendësi. Prandaj kultura dhe arsimi, kur nuk përpiqet të vidhet e shterohet, mban gjallë mendje të mençura të cilat nuk do të lejonin bërjen e asnjë kompromisi kundër lirive e të drejtave të tyre. Parisi u kthye në qendrën më të madhe filozofike të botës. Lindi nevoja për një revolucion të vërtetë. Dhe ashtu ndodhi.
Bastija u mor në duart e popullit. Disa ditë më vonë Asambleja nxorri Deklaratën e të Drejtave të Njeriut, para së cilës të gjithë njerëzit konsideroheshin të barabartë. Pra, protesta është në thelb emancipim dhe e tillë duhet të jetë nëse do të duam të përfitojmë në favorin tonë, ku askush që zgjidhet me votë nga ne, për të na përfaqësuar, mos të na kthehet nga mik në armik, deri në pikën ku mos ketë më kthim.
Të protestosh për kauza që prekin qytetarin drejtpërdrejt, duhet së pari të kthehet në mentalitet, së dyti është padyshim domosdoshmëri për mbrojtjen e të drejtave të gjithsecili dhe së treti tregues i funksionimit të demokracisë në një vend të zhvilluar ku pakënaqësia popullore detyron qeverinë të mbajë përgjegjësi të paracaktuar me ligj dhe të shkruar në Kushtetutën e një vendi. Nuk mund të ketë ndryshime dhe as përmirësime pa llogaridhënie. Nuk mund të ketë pozitë pa opozitë dhe anasjelltas. Nuk mund të ketë dhe nuk duhet të ketë demokraci pa transparencë dhe nuk është aspak futuriste apo ëndërrimtare të duash të jetosh në një vend më të drejtë, më të sigurtë dhe më demokratik se sa vendi ku secili nga ne zgjedh të rrisë fëmijët e tij.
E ardhmja jonë është Shqipëria ku duam të jetojmë thjesht të lumtur.