Ilir Levonja: Pushteti është i juaji!
Soji më regresiv këto orët e fundit janë ata që hedhin idenë se në protestën e nesërme po suportohet Ilir Meta, jo Presidenti, jo Kushtetuta. Dhe ajo që të habit është fakti se për këta të gjithë janë të tillë, prandaj nuk ia vlen të ngrihen e të dalin nesër në shesh. Ky që po del është një hajdut, ai që po qeveris po ashtu, por edhe ai në opozitë i tillë është.
Ta marrim të mirëqënë këtë, a thua se ky është justifikim për ta lënë kështu evazive situatën në vend. Të paktën nga kjo trio hajdutësh ky i presidencës ka deklaruar publikisht që vendi ka nevojë për një president që ta zgjedhi populli. Jepjani vetes këtë shans dhe kërkojeni në shesh që kjo të bëhet publike, madje filloni të firmosni se mund të jetë pragu i nisjes së një epoke të re që aq të domosdoshme e ka Shqipëria.
Në këto 30 vjet demokraci numrat me shumicë dërrmuese të Kuvendit prodhuan vetëm kriza politike, mendoni se si i dhatë fronin një ushtaraku që ishte duke luajtur domino, por edhe të tjerët që keni sjellur kanë qënë butaforik për shkak të kompetencave false. Rasti më i përkryer është ky aktuali…, shtypi rilindas nuk ka mbetur gjë pa thënë, Rama po tall bythën me të në çdo dalje publike.
Nëse do ishin të sinqertë me ju dhe vendin e tyre sidomos shtypistat duhet të kishin qenë kaq agresivë edhe kur nënshkruan aleancën në Shkodër në vitin 2013. Atëherë kishin të freskët akoma 21 janarin e 2011-ës, por nuk e bënë. Ju mbyllën gojën duke thënë që pa këtë aleancë nuk vihet në pushtet. Madje i dhatë kreun e Kuvendit dhe Iliri nuk ishte hajdut, nuk ishte vrasës, nuk ishte ky që është sot për ju, horri, atentatori, shkelësi i Kushtetutës. Biles, biles e bëtë edhe President për shkak të përvojës dhe eksperiencës në politikë, por edhe si i vetmi për të komunikur dhe bërë pakte si me të majtët ashtu edhe me të djathtët.
Nga ana tjetër ka edhe një shpurë të ashtuqujturish demokratë që edhe pse ka kaluar 30 vjet akoma nuk e kanë kuptuar abc-në e opozitarizmit, sheshi është flori për frymën opozitare. Akoma nuk e kanë kuptuar se opozita nuk është më njëshi, sidomos në kushtet e sotshme, por tërësia e mendimeve sado fort ato ta kundërshtojnë njëri-tjetrin, madje mesatarja e artë del pikërisht nga kjo vlojë.
Nganjëherë opozitarizmi është më shumë se njëshi sidomos kur ai i lëvizë fjalës së dhënë, nuk njeh sakrificën dhe i druhet si dreqi franksioneve brenda frymës. Nuk mund të bësh opozitarin duke thënë po shkoj në pushime, shihemi në vjeshtë kur ta zëmë se studenti proteston, bujku hedh prodhimet në fushë, minatori në grevë, naftëtari po ashtu. Dhe për më keq akoma në një institucion drejtësie flenë me dhjetra dosje përgjimesh ku vetë i madhi është i implikuar në vjedhjen e votës. Një opozitë që fal një skandal të tillë duke shkuar e negociuar me hajdutin ka asgjësuar vetveten. Pa përmendur rënien ekonomike apo borxhin publik, përkrahjen lëmoshë, kultivimin e lëndëve narkotike. Dhe raca më e mbrapshtë janë listat apo listaxhinjtë që mbajtën më këmbë një Kuvend me idenë se po i shërbenin vendit, në fakt i shërbyen xhepit dhe menderes me cektësinë e fshatarit që vuri një kollare dhe u bë akademik. Ata e varën në litar demokracinë e për rrjedhojë vendin duke i dhënë pushtet absolut një dështaku me shallvare që vetëm fyen dhe pështyn lart e poshtë. Shkoni në protestë edhe për të mos parë më kongrese të tillë se ta dini me aq shpenzime sa janë hedhur aty mund të ishin paguar furgonët për ata të dializës.
I shikoni se si rropaten për pak jetë sepse paratë i hanë pankartat dhe sloganet e kongreseve. Madje përbuzni ato forca politike që bëjnë nga 3 ditë kongrese, vetëm vrulle altoparlantësh, përshëndetje propogande arritjesh, kur nuk gjëkundi se çfarë parametrash aktual ka ekonomia jonë, sa është borxhi publik aktualisht, sa janë të ardhurat për frymë, sa është mundësia e punësimit, fermeri, minatori, naftëtari, klima tregtare dhe e investimit. Dhe a e dini përse, se, ne kurrë nuk ngritëm dot ca intstiucione të pavarura si balancim i propagandave të çdo lloj qeverie. Jeta është arithmetikë o njerëz, jo veprat e Edvinit. Dilni dhe nëse dilni mos u ngrini e të ikni duke thënë se do dilni prapë në vjeshtë, por nguluni në shesh dhe jepni vendit pushtetin tuaj.