Albspirit

Media/News/Publishing

Jeta Dedja: Mbi fuqinë e mirësisë

Dje në kutinë postare gjeta një zarf krejt të ndryshëm nga të zakonshmit. Ai vinte nga New Yorku. E dija kush e dërgonte dhe çfarë kishte brenda. Por sërish zemra më gufoi sapo lobi oksipital dhe parietal i trurit filluan përpunimin e informacionit vizual dhe ndijor duke më shkaktuar përfytyrimin e procesit të dërgimit të pakos, kujdesin për të shkruar me saktësi adresën, dëshirën e shkrimtares Albana Lifschin për t’i dhuruar dy miqve një libër, e të tjera mendime që kalojnë në të qindën e sekondës nëpër tru.

Gjithë kjo mirësi më preku, ashtu siç më prekin shpeshherë edhe mesazhet dhe komentet e përzemërta të miqve e lexuesve të panjohur në FlasShqip.

Mirësia e njeriut nuk do shumë mund të shfaqet. Një gjest apo fjalë në të shumtën e herëve nuk kërkon sforco të madhe motorike dhe as shpenzim energjie. Darvini kur studionte evolucionin e species konstatoi që njerëzit kanë lindur me instinktin e përkujdesjes për njëri-tjetrin.

Dikush e shfaq më tepër e dikush më pak. Ka njerëz që janë të mirë boll, por druhen ta tregojnë se mos abuzohet me mirësinë e tyre. Ka të tjerë që me të gjithë janë njëlloj, sillen siç e ndjejnë, keq apo mirë qoftë. Ka edhe nga ata që nuk janë hiç të mirë, por hiqen si të tillë në publik përmes veprave a fjalëve gjithë sheqer të përpunuar. Punë për ata!

Mirësia e vërtetë ka një veti. Sa më shumë ta transmetosh atë, aq më shumë ajo do të gjenerohet në qënien tënde e po aq kënaqësi dhe çlirim ankthi do shkaktojë tek tjetri.

Dobia është që shfaqja e mirësisë nuk kërkon kushte speciale. Mjaft vetëm të duash dhe ajo mund të veprojë kudo. Mund të fillosh në mëngjes duke u përshëndetur me komshiun në ashensor, falenderuar shoferin e autobusit, buzëqeshur një fëmije në karrocë apo një të moshuari në dyqan. E më tej të vazhdosh duke përgëzuar një të njohur që ka arritur një sukses dhe të gëzosh bashkë me të. Të ndihmosh dikë në punë apo karrierë me çfarë të kesh mundësi.

Të gjithë kanë nevojë për inkurajime e përgëzime, madje edhe për kritikën e mirë konstruktive, por kujdes, ato duhet të jenë të sinqerta. Edhe i panjohuri, edhe fëmija, shoku apo kolegu dinë ta dallojnë fjalën që buron nga zemra. Njëlloj mund të kuptohet edhe dora që ndihmon vërtet, mundësia reale e ofruar, dera e hapur e mikpritjes, buzëqeshja e çiltër apo dhurimi pa interes.

Shumica e njerëzve kur u kërkohet të përshkruajnë njeriun me të cilin duan të shpenzojnë më tepër kohë, rendisin si cilësi; i/e mirë, i/e dashur, zemërgjerë, i/e kuptueshëm, i/e ndjeshëm. Që do të thotë se njerëzit e duan të mirën në jetë.

Por jeta nuk është vetëm Ai/Ajo, por edhe unë, ti, ne, ju ata, ato. Domethënë ne do të donim që mirësia të ishte e pranishme edhe të shfaqej edhe tek të tjerët përreth. Kështu që, duke ditur që brenda njeriut ka dritëza mirësie, pse të mos i ndezim pak më shpesh ato?

E kuptoj që gjendja e brendshme, mendimet dhe ndjenjat janë të ndikueshme edhe nga faktorët e jashtëm. Në Shqipëri, politika ka helmuar gjithçka. Është bërë palë me të keqen. Ka ndarë njerëzit në kampe. Ka nxitur popullsinë të largohet nga atdheu. Prandaj duket sikur njerëzit nuk kanë entuziazëm e as optimizëm. Prandaj duket sikur e mira dhe butësia është fundosur thellë shpirtit dhe me zor nxjerr krye përmes një buzëqeshjeje apo fjalë të mirë ndaj diçkaje që vërtet ngjall mirësi ose kërkon shprehje mirësie. Për mirësinë në nivele personale, ndaj njëri-tjetrit e kam fjalën, sidomos kur as njëri e as tjetri nuk na ka shkaktuar asnjë dëm.

Dikush do të ishte partizan i shprehjes së mirësisë së pastër fare edhe ndaj atyre që na kanë lënduar në jetë. Por kjo kërkon shumë forcë dhe luftë me veten, ndonjëherë edhe amnezi.

E megjithatë, fuqia e fjalës, ndonjëherë edhe heshtjes, dhe gjestit të mirë mbase jetën nuk e ndryshon përgjithmonë, por ditën mundet. Mendoni pak si do të ishte bota sikur shumica ta ushtronte këtë fuqi?

©FlasShqip.ca

Please follow and like us: