Prokuroria e SPAK i komunikon akuzën ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla
Prokuroria a Posaçme e SPAK ka mbyllur hetimet ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe i ka komunikuar sot atij akuzën, pas 2 vite hetimesh. Llalla është marrë i pandehur për mosdeklarim të pasurisë, duke rrezikuar nga gjobë deri në 3 vite burgim. Ai akuzohet për veprën penale të refuzimit për deklarim, sipas nenit 275/a të Kodit Penal. Vetë Llalla tha se është njohur me akuzën e prokurorisë, dhe se pret të mbrohet me avokat në procesin gjyqësor.
Nga ana e tij ish-kryeprokurori ka mohuar akuzat duke e cilësuar hetimin ndaj tij si një goditje politike. Prej kohësh, ai ka sjellë prova në procesin hetimor, duke rrëzuar kështu akuzat e tjera që ishin ngritur ndaj tij. Departamenti Amerikan i Shtetit e ka shpallur Llallën person non grata duke i ndaluar hyrjen në SHBA. Por nuk ka bërë të ditura të dhënat ku ka bazuar këtë vendim. Ish-ambasadori amerikan, Donald Lu, në kohën kur shërbente në Tiranë përshëndeti hetimin ndaj ish-kryeprokurorit teksa fliste për dënimin e “peshqve të mëdhenj”. Kujtojmë se Llalla po hetohet edhe nga Prokuroria e Durrësit për “pastrim parash”.