Shkarkohet nga detyra gjyqtari i Apelit, Andi Civici, probleme me apartamentet dhe paratë hua
Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit shkarkon nga detyra gjyqtarin Andi Civici. Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Andi Civici u ballafaqua të hënën me probleme në justifikimin e pasurisë, lidhur me një apartament me vlerë 155 mijë euro të blerë në vitin 2011 në Tiranë, me burim shitjen e një apartamenti në Vlorë dhe një hua prej 40 mijë eurosh nga vjehrri. Trupa gjykuese drejtohej nga Roland Ilia, me relatore Valbona Sanxhaktari dhe anëtare Xhensila Pine, ndërsa në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs. Më herët Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive kishte konstatuar deklarim të pasaktë dhe mungesë të burimeve të ligjshme për gjyqtarin Andi Civici. Andi Civici ishte pjesë e trupës gjykuese që do të shqyrtonte vendimin e Gjykatës së Krujës, që i dha lirinë Endrit Dokles, numrit dy të bandës së Durrësit, por tashmë ai del jashtë sistemit.