Vetingu “rrëzon” kreun e Gjykatës së Vlorës
Kreu i Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci është shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Trupa gjykuese e kryesuar nga Olsi Komici dhe e përbërë nga Roland Ilia relator, Valbona Sanxhsktari anëtare, si dhe Elka Ermenkova vëzhguese e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit vlerësoi se Haluci ka bërë deklarim të pasaktë të pasurisë. Në gjetjet e saj KPK ka dalë në përfundimin se kreu i Gjykatës së Vlorës nuk ka paraqitur dokumentacion për pasuritë e tundshme dhe të patundshme si dhe nuk justifikon shkollimin e vajzës në Bosnje dhe Shtetet e Bashkuara. Për këto sipas KPK ai rezulton me një balancë negative në analizë financiare. Gjatë seancës së përballjes e me gjetjet e KPK-së, Haluci kundërshtoi analizën financiare pasi sipas tij vlerësimet e bëra për pasurinë e tij të patundshme ishin jo realiste dhe kërkoi rihapjen e hetimeve. Në mënyrë të veçantë ai kundërshtoi me forcë vlerësimet e KPK për shkollim e vajzës së tij në Bosnje dhe SHBA, duke nënvizuar me krenari se e bija kishte marrë një burse të plotë me vlerë 247 mijë USD, që ishte paguar nga taksapaguesi amerikan dhe nuk kishte pse t’i jepte llogari shtetit shqiptar. “Në moshën 23-vjeçare jam dënuar me vdekje nga regjimi i kaluar, kjo është më keq” tha Haluci gjatë seancës dëgjimore. “Po më ngarkoni atë që nuk e kam bërë,” shtoi ai, duke u ankuar se KPK i kishte ngarkuar me pa të drejtë një barrë pasurore të barabartë me 1 miliardë lekë të vjetra. Ai ka paralajmëruar se do të apelojë vendimin e sotëm të KPK-së në Kolegjin e Pavarur të Apelimit.