Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Izet Shehu

Image may contain: 1 person

MALL

Më mjafton të të sjell ndërmend
Për të thënë se aty i kam rrënjët.
Ngado vete, diç më dhemb,
Veç për ty më ndizen këngët.
Kur jam larg, ma beso,
Ndjehem si shpend i hutuar,
Asnjë fole nuk më ngroh,
Asnjë strehëz e praruar.

Më mjafton të të sjell ndër mend
Për të thënë se jam yt bir.
Kur jam larg, ndjehem si shpend,
Krahët hap dhe në errësirë.

SHTEGTARËT

Para se të largoheshin për në Jug shtegtarët,
Mesazhe të egra këmbyen me grabitqarët,
Në ikje e sipër, jo përballë,
Nga bregu në breg,
Nga mali në mal.

Ikën të zymtuar në atë fillimvjeshte,
Me sqepa i shkruan mesazhet e fundit,
Me sms, sigurisht, me celularët e erës
Nga brigjet e Jonit ku dallgët shkundeshin.

Po ikim, thanë, me zemra të thyera,
Fatin tonë mos e pastë as gjarpëri.
Në ëndrra kthetra,
Në zhgjëndrra kthetra,
Nën lëkurën e tmerrit na korri drapri.

Para se të largoheshin për në Jug shtegtarët,
Mesazhet me mllef ua përcolli era:
Po ikim, thanë, me shpirtëra ndër sqepa,
Cullakë e të pangrënë
Ndër vise të tjera.

KUMBULLA E EGËR

Kumbulla e egër mbi bregun e vjetër
Lëpin me gjethe kohën e mbetur.
Në dimër cullake,
Në verë e veshur,
Vetminë e saj vuan e heshtur.

Qëllon që mashtrohet,
Mbushet me lule,
Kur zambakët e dëborës rrëzë maleve ulen.

Atëherë zymtohet,
Vishet me mjegull,
Mbi bregun e vjetërm, kumbull’ e egër.

Kur vjen pranvera,
Stoliset me lule,
Mbi bregun e vjetër pozon si nuse.

Kur vjen qershori,
Rëndohet me kokrra,
Me sqep e çukasin pëllumba dhe sorra.

Kumbulla e egër mbi bregun e vjetër
Lëpin me gjethe kohën e mbetur.

Please follow and like us: