Albspirit

Media/News/Publishing

Ibrahim Emiri: Mësuesi i letërsisë, Agim Shehu

Ibrahim Emiri me Ismail Kadarenë

 

Ibrahim Emiri

 

URIME TË PËRZEMËRTA PËR FESTËN E MËSUESIT!

NDERIM PËR VETERANËT E ARSIMIT!

Me këtë rast, në respekt të gjithë mësuesve të mi, po publikoj disa mbresa për Agim Shehun, mësuesin tim të letërsisë.

Në kujtesën time, ndër të parët e mësuesve të nderuar e të respektuar të gjimnazit “Asim Zeneli” të periudhes 1958 – 1962, është gdhendur portreti i mësuesit të letërsisë:

Mësuesit, sa autoritar, të rreptë e kërkues në mësim, aq edhe të urtë e miqësor jashtë shkollës, veçanërisht me nxënësit që e dashuronin letërsinë.

Magjistarit, që në orët e komenteve letrare hipnotizonte klasën me magjinë e fjalës dhe e shtynte imagjinatën tonë rinore të fluturonte jashtë mureve të shkollës, në të tjera kohëra e hapësira.

Krijuesit të pa lodhur, që gjallëroi e udhëhoqi plot pasion jetën e larmishme artistiko-kulturore të shkollës dhe të qytetit, duke konkuruar me dinjitet edhe istitucionet profesioniste kulturore.

Mësuesit të dashur e të thjeshtë, që organizonte mbrëmje vallëzimi të klasave në fundjavë, duke krijuar një atmosferë të këndshme argëtuesë për nxënesit, duke i çliruar ata nga marrëdhëniet e ngurta e të ftohta vetëm brenda klasës dhe duke u plotësuar me mundësitë e asaj kohe nevojat për argëtim, mbas një jave të lodhshme mësimi.

Agimi, si mësues i pasionuar i letërsisë, ka lënë tek unë ish nxënësi gjimnazist shumë mbresa e kujtime, të cilat, ndonës janë zbehur nga mjegulla gjysëm-shekullore e kohës së kaluar, nuk janë fashitur dhe herë-herë vezullojnë, ashtu si rrezja e diellit, që depërton me shkëlqim nëpër të çarat e reve. Ruaj mbresa nga orët e bukura të diskutimeve në rrethin letrar të shkolles, ku ai me shumë dashamirësi na hiqte ndrojtjen e na frymëzonte për krijimet tona modeste, më të mirat e të cilave vendoseshin në Këndin e Letrarit të Ri, gjë që na bënte krenarë e na nxiste sedrën për krijime të reja.

Letërsia ishte dhe mbetet një nga dashuritë e mia, sepse u kultivua tek unë qysh në fëmijëri nga babai, si librar dhe veçanërisht në shkollë të mesme nga mësuesi i apasionuar Agim Shehu.

Në “Librin e Kujtimeve” të gjimnazit, të cilin e ruaj me nostalgji për një nga traditat e bukura të asaj kohe, mësues Agimi më ka shkruar me shumë dashamirësi, me shumë çiltërsi. Vlerësimet racionale e këshillat e urta, që ka shkruar mësuesi i letërsisë, janë aq miqësore e frymëzuese, sa edhe sot, kur i lexoj më krijojnë emocion të veçantë. Në vitet e jetës e kam përjetuar sa më optimizëm poezinë e “prozës”, po aq me dhimbje prozën e “poezisë”, ashtu siç parashikonte ai në shkrimin e tij.

Tashti në moshën e tretë, megjithëse fati e solli të jemi larg fizikisht me mësuesin e paharruar, ndodhemi afër shpirtërisht e virtualisht dhe unë i uroj nga zemra jetë të gjatë, shëndet të mirë!

Please follow and like us: