Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Kadare: Mësueset e fshatit

 

Në udhëkryqet ndanë xhadeve,

Ditët e Shtuna dalin shpesh.

Dhe zgjatin dorën nga makina,

Herë dy nga dy, herë veç e veç.

 

Po shpesh ata që janë brenda,

Me njeri-tjetrin shkëmbejnë fraza.

-Si shumë pretendime kanë,

More shoku Jani, këto vajza!

 

Dhe janë ata që bëjnë zhurmë,

Që kanë për vete dyzet gojë!

Që i shkruajne letër presidiumit,

Për një guzhinë po t’ju mungojë.

 

Dhe ato presin makinë tjetër,

Aty në borë, aty në shi.

Ato të urtat gjer në dhembje,

Të thjeshtat gjer në madhështi.

 

Tek presin, java që kaloi,

Iu kujtohet si në tym.

Klasa me nxënësit, gabimet,

Q’u përsëritën në hartim.

 

Në mbrëmje radion dëgjon njëra,

Tjetrës në mend i vjen sërish,

Shikimi i fotoreporterit,

Q’andej kaloi rastësisht.

 

Koha e fejesës i ka ardhur,

Dikujt ndoshta i shkon çdo ditë.

Pluhuri i shkumësit, vello e bardhë,

U bie mbi supe dhe i trondit.

 

Po s’ngrënë ato botën në këmbë,

Në komitet, në ministri!

Ato të urtat gjer në dhembje,

Të thjeshtat gjer në madhështi!

Please follow and like us: