Venecia: Interpretimi i Presidentit për Gjykatën Kushtetuese i arsyeshëm
- Armand Mero
Komisioni i Venecias ka përgatitur opinion paraprak lidhur me përplasjet mes parlamentit dhe presidentit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Zëri i Amerikës, ka parë dokumentin konfidencial, që u është dorëzuar palëve të interesuara në Shqipëri. Dokumenti është projekt dhe nuk përbën opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias.
Në bazë të opinionit paraprak të ekpertëve ligjorë të Venecias, çështja e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, është një proces tejet i komplikuar, për të cilin ka interpretime të ndryshme.
Sipas Komisionit të Venecias mënyra se si është vepruar, ka krijuar “një situatë në të cilën të gjitha emërimet, përveç emërimit të zotit Muçi, ishin bërë potencialisht në një mënyrë antikushtetuese”.
ROLI I KËSHILLIT TË EMËRIMEVE NË DREJTËSI
Në interpretimin e Venecias Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, që luan rol kyç për procesin e përzgjedhjees së kandidatëve, ka pasur një sërë mangësish, që nga vonesat, duke mos-funksionuar në vitin 2017 dhe 2018 e deri tek vendimet që Venecia i quan “të diskutueshme” në vitin 2019.
Dy vitet e para 2017/2018 KED “humbi kohë tepër të vlefshme për të shmangur krizën e tanishme kushtetuese”. Në vitin 2017 qeveria u ankua se anëtarët e KLD nuk kishin kaluar vetingun, disa anëtarë të KED u dorëhoqën, të tjerë u rrëzuan nga vetingu dhe për pasojë KED në 2017 nuk u mblodh asnjëherë.\
Në 2018, KED u mblodh vetëm një herë, pasi përfaqësuesi i parlamentit kërkoi që KED të kufizohej vetëm në vendime adminstrative dhe të mos bënte renditjen e kandidatëve.
Sipas Komisionit të Venecias, “kërkesat e vitit 2017 dhe 2018, që KED të mos bënte renditjen e kandidatëve, nuk janë të bazuara në ligj. Nuk ishte e parashikuar as në Kushtetutë dhe as në ligj, që anëtarët e KED të kishin kaluar procesin e vetingut”, thuhet në opinion paraprak.
Sipas Komisionit të Venecias, një nga elementët më të rëndësishëm të KED është transparenca, për të patur besimin e publikut për procesin e emërimeve. Por me miratimin e një rregulloreje të brendshme, KED përjashtoi nga pjesëmarrja në procesin e vlerësimit te kandidatëve Avokatin e Popullit. Sipas Venecias, ky nen i rregullores së KED, duhet ndryshuar. Po ashtu, Venecia konstaton shkelje, edhe për mos publikimin e proces-verbaleve të mbledhjeve të KED, që kërkohet me ligj.
Pas hartimit të listave nga KED për dy emërime në Gjykatën Kushtetuese, që duhet të bënte Presidenti dhe dy të tjerë, që duhet të bënte parlamenti, sipas Komisionit të Venecias, “është e qartë që data e dërgimit të listave do të kishte pasoja të rëndësishme për shkak të afatit 30 ditor të zgjedhjes së kandidatëve”.
PËRPLASJA PER EMËRIMET NË GJYKATËN KUSHTETUESE
Ndërsa presidenti Meta emëroi një nga tre kandidatët e listës së parë të tij, ai vendosi pezullimin e emërimit të kandidatit të listës së tij të dytë.
Presidenti e argumentoi këtë me faktin se Kushtetuta përcakton në nenin 179/2 se “Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji”.
Për pasojë, sipas presidentit do të duhej që parlamenti të zgjidhte kandidatin e radhës nga lista e tij e parë. Nga ana e saj, shumica këmbënguli se përcaktimi kushtetues lidhej me faktin që Gjykata rinovohet çdo tre vjet me nga tre anëtarë, dhe se kjo dispozitë, më shumë se sa rendin e emërimeve, përcakton sekuencën e të drejtës për të emëruar.
Vetë Komisioni i Venecias, bën një interpretim tjetër, sipas të cilit “rregulli kushtetues bazohet në supozimin se gjithmonë tre pozicione duhet të plotësohen në të njëjtën kohë dhe radha pra zbatohet vetëm brenda këtij raundi të emërimeve. Si pasojë, pamundësia e zgjedhjes së një anëtari nga Gjykata e Lartë, e cila vjen e fundit në çdo raund, nuk bllokon emërimet për një raund tjetër”.
Në tekstin e opinionit paraprak, ekspertët saktësojnë se “preferenca e qartë e Komisionit të Venecias për këtë interpretim, nuk do të thotë që interpretimet e tjera do të ishin të paarsyeshme. Në çdo rast, kur presidenti emëroi vetëm një kandidat, zotin Muçi, dhe më pas pezulloi procedurën e emërimit të një kandidati të dytë, ai ndoqi një interpretim, i cili nuk është i paarsyeshëm.” Nën dritën e interpretimit të Komisionit të Venecias, “pezullimi i emërimit të dytë ishte i vlefshëm dhe bllokoi fillimin e periudhës 30-ditore për emërimin e dytë në mënyrë që emërimi automatik të mos realizohej”.
Detyrimi i presidentit për të bërë emërimin brenda afatit 30 ditor, parashikohet në ligjin për Gjykatën Kushtetuese, ndryshe nga afati i parlamentit, që parashikohet nga kushtetuta. Mos zbatimi nga ana e presidentit të këtij afati, u pa nga shumica si momenti në të cilin hyn në veprim mekanizmi zhbllokues e për pasojë, kandidatja e renditur e para në listë, Arta Vorpsi, u konsiderua prej tyre e zgjedhur automatikisht. Por për Komisionin e Venecias “neni i ligjit për Gjykatën Kushtetuese, nuk duket të jetë i zbatueshëm në një situatë kur është e paqartë se kur dhe nëse periudha 30-ditore fillon të funksionojë”. Komisioni i Venecias rekomandon që, “nëse mekanizmi zhbllokues për emërimet nga presidenti do të konsiderohej i domosdoshëm, ky rregull duhet të ishte ngritur në nivelin kushtetues, siç është rasti për parlamentin”.
Ndërsa zoti Meta, nuk mori në konsideratë atë që socialistët e cilësuan si emërim automatik të kandidaturës së zonjës Vorpsi, ai përzgjodhi nga lista e tij e dytë Marsida Xhaferllarin, menjëherë pasi parlamenti emëroi dy anëtarë të Gjykatës nga dy listat e veta, ndonëse nuk kishte mundësi zgjedhjeje mes tre emrave siç përcaktohet në Kushtetutë.
Në këtë kontekst, sipas Komisionit të Venecias, dërgimi nga ana e KED-së te Presidenti i dy listave njëkohësisht, dërgimi i listave në Parlament, 6 ditë më vonë, dhe numri I kufizuar i kandidatëve, vetëm 6 për katër vende vakante “krijoi një situatë në të cilën të gjitha emërimet, përveç emërimit të zotit Muçi, ishin bërë potencialisht në një mënyrë antikushtetuese”.
BETIMI I ANËTARËVE TË GJYKATËS KUSHTETUESE
Në muajin shkurt shumica miratoi disa ndryshime ligjore përmes të cilave synohej të shmangej betimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetutese vetëm përpara Presidentit. Sipas propozimit të shumicës “….nëse anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk thirret për të bërë betimin, [brenda afatit nga presidenti], ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë Presidentit të Republikës, organit të emërtesës dhe Gjykatës Kushtetuese. Data e organizimit të ceremonisë së betimit ose data e dërgimit të betimit me shkrim, konsiderohet si dita e betimit dhe e fillimit të detyrës së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese”.
Por Komisioni i Venecias, shprehet qartë në opinionin paraprak se sipas Kushtetutës, anëtari i Gjykatës Kushtetuese e fillon mandatin vetëm pasi bën betimin tek Presidenti. Pasi citojnë Kushtetutën, ekspertët e Venecias shprehen se “kjo do të thotë se anëtari [i Gjykatës Kushtetuese] nuk mund ta fillojë detyrën pa bërë betimin tek Presidenti. Betimi tek Presidenti është parakusht për marrjen e detyrës”.
Edhe në përfundimet e tyre, ekspertët e Venecias janë të prerë në këtë pikë, kur shprehen se “Dispozitat e miratuara kohët e fundit, por që ende nuk kanë hyrë në fuqi…duhet të lihen mënjanë, pasi ato duket se janë jokushtetuese”.
Presidenti Meta e ktheu pas këtë ndryshim ligjor, të cilësuar prej tij si “një grusht shteti” pak ditë më parë, shoqëruar me paralajmërimin publik, gjatë një manifestimi proteste kundër qeverisë se “nëse grushti i shtetit dhe organizata mafioze që luan me sovranitetin, nuk e merr seriozisht këtë dekret, unë u jap fjalën, në emër të këtij flamuri, se pas datës15 mars, kur të përfundojë reforma zgjedhore, nëse ata nuk do e marrin seriozisht, unë Ilir Meta betohem se do ta firmos atë dekret në mes të parlamentit, në mes të krimit, dhe do i bëj thirrje gjithë popullit shqiptar. Unë i pari dhe gjithë populli kuqezi”, deklaroi zoti Meta.
SHKARKIMI I PRESIDENTIT
Procesi i shkarkimit të presidentit është duke u zhvilluar në parlament. Komisioni i Venecias, i referohet opinionit të tij të mëparshëm, duke theksuar se “procesi i shkarkimit përmban në vetvete dy elementë, ligjorë dhe politikë. Ndërsa puna e Komisionit të Posaçëm Hetimor është kryesisht e një natyre ligjore, në dallim, kur parlamenti të mblidhet në seancë plenare për të vendosur për shkarkimin, ai mundet dhe madje, duhet të marrë në konsideratë, pasojat politike të një vendimi të tillë”.
Komisioni i Venecias shprehet se nuk mund të këshillojë parlamentin se si duhet të votojë, por thekson se “i takon parlamentit të vendosë nëse shkarkimi do të ulte apo shtonte tensionet dhe në fund të fundit, do t’i shërbente, apo do të dëmtonte synimin e ruajtjes së balancave dhe kontrollit, në një situatë kur parlamenti dhe pushteti vendor dominohen nga e njejta parti. Pyetja që duhet t’i bëjë vetes parlamenti është ‘a do të ndihmonte vazhdimi i procedurave të shkarkimit për unitetin e popullit?’
Komisioni i Venecias, thekson se “veprimet e presidentit, lidhur me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, janë përgjithësisht në përputhje me një interpretim të arsyeshëm të Kushtetutës. Veprimet e ndërmara nga presidenti, në përgjigje të mënyrës së veprimit të KED, janë të arsyeshme. Për këtë arësye, nuk ka bazë për shkarkimin e presidentit”, shprehet Komisioni i Venecias.
KRIZA KUSHTETUESE
Procesi i bllokuar i emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, nxjerr në pah vështirësi të mëdha për zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, sipas Venecias. “Kjo për shkak të konflikteve institucionale, si rezultat i mungesës së besimit reciprok mes institucioneve shtetërore dhe prirjes së tyre për të deligjitimuar njera tjetrën. Sistemi institucional në Shqipëri rrezikon një paralizë, që shkon përtej çështjes së emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese”.
Komisioni i Venecias, thekson si ai nuk mund të zëvendësojë Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë dhe as është i aftë të zëvendësojë mungesën e gadishmërisë dhe kulturës së bashkëpunimit mes institucioneve të Shqipërisë.
Duke u shkëputur nga analizave teknike e ligjeve, mesa duket për të theksuar gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet rendi kushtetues në Shqipëri, Komisioni i Venecias, i bën thirrje autoriteteve të “shmangin retorikën agresive dhe çdo institucion të njohë legjitimititen e tjetrit për emërimin e tre anëtarëve të tjerë të Gjykatës Kushtetuese”.
Komisioni i Venecias bën thirrje, siç shprehet në opinionin paraprak, që “institucionet përgjegjëse ‘të bëjnë një çarmatim dypalësh’ për këtë çështje, për hir të demokracisë në Shqipëri.
—————————————————-
Albspirit ka arritur të sigurojë nga burime diplomatike draftin e plotë të Opinionit të Komisionit të Venecias, pjesë të së cilit u bënë publike edhe më parë nga Zëri i Amerikës. Nga leximi i Opinionit të plotë, dalin edhe 10 konkluzionet kyçe të tij:
- Emërimi nga Presidenti i zonjës Marsida Xhaferllari, si anëtare e Gjykatës Kushtetutës është bërë në përputhje me Kushtetutën
- Presidenti dhe Kuvendi duhet të vazhdojnë me emërimin e anëtarëve të tyre me kombinim (sipas rradhës). Në çdo rast, kur Presidenti emëroi vetëm një kandidat, z.Muçi, dhe më pas pezulloi procedurën për emërimin e një kandidati të dytë, Presidenti ndoqi një interpretim i cili nuk është i paarsyeshëm dhe mund të argumentohet. Në interpretim të Kushtetutës sipas Komisionit të Venecias, pezullimi i emërimit të dytë ishte i vlefshëm dhe bllokoi fillimin e periudhës 30-ditore për emërimin e dytë në mënyrë që emërimi automatik (për shkak të ligjit i kandidatit të renditur i pari) të mos realizohej. [prg. 99 &100]
- Veprimet e Presidentit, lidhur me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, janë përgjithësisht në përputhje me një interpretim të arsyeshëm të Kushtetutës. Veprimet e ndërmara nga Presidenti, në përgjigje të mënyrës së veprimit të KED, janë të arsyeshme. Për këtë arësye, nuk ka bazë për shkarkimin e Presidentit. [prg. 104]
- Emërimet pa garë nga Kuvendi, në mungesë të 3 kandidatëve të vlefshëm për çdo vend vakand, nuk janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin
- Pas emërimit të z.Muçi nga Presidenti më 15 tetor 2019, vetëm dy kandidatë mbetën në listën për shqyrtim nga Kuvendi, që duket se nuk është në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi. [prg. 69]
- Mekanizimi zhbllokues, pas skadimit të afatit 30 ditor, nuk është i zbatueshëm për emërimet e bëra nga Presidenti i Republikës, por vetëm për emërimet e Kuvendit
- Parashikimi i një mekanizmi zhbllokues në nivelin kushtetues për Kuvendin bën sens sepse si një organ politik kolegjial mund të jetë e vështirë për Kuvendin që të sigurojë gjithmonë votat e nevojshme (3/5) për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kushtetuta nuk rregullon procedurën në lidhje me emërimin nga ana e dy organeve të tjera, d.m.th. Presidenti dhe Gjykata e Lartë. [prg. 74]
- Mekanizimi zhbllokues i parashikuar nga ligji nuk duket të jetë i zbatueshëm në një situatë kur është e paqartë se kur dhe si periudha 30-ditore fillon të zbatohet. Komisioni i Venecias rekomandon që, nëse mekanizmi zhbllokues për emërimet nga Presidenti do të konsiderohej i domosdoshëm, ky rregull duhet të ishte parashikuar në nivelin kushtetues, siç është vepruar tashmë për Kuvendi. [prg. 75]
- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka kryer veprime të dyshimta, në mungesë transparence dhe në shkelje të Kushtetutës
- Mënyra e veprimit të KED në 2019 është e diskutueshme. Efekti i kombinuar i (a) dërgimit të dy listave njëkohësisht te Presidenti (që nënkupton që periudha e tij 30-ditore, nëse aplikohet, do të fillojë të zbatohej për të dy listat në të njëjtën kohë), (b) dërgimin e listave në Parlament gjashtë ditë më vonë duke e bërë të pamundur të parashikoni si për Presidentin ashtu edhe për Parlamentin se cili nga kandidatët identikë mund të zgjidhet nga ato lista, në çfarë momenti kohor, dhe kush nuk është më i vlefshëm për zgjedhje, dhe (c) dërgimi i gjithsej katër listave me vetëm gjashtë kandidatë, në kombinim me vendimin e marrë nga Kuvendi për të emëruar, pas skadimit të periudhës kohore 30 ditore të Presidentit, dy kandidatë në të njëjtën ditë, pa i dhënë një shpjegim Presidentit, krijoi një situatë në të cilën të gjitha emërimet, përveç atij të z.Muçi, ishin bërë potencialisht në një mënyrë antikushtetuese. [prg. 70]
- Rregulli i KED për të përjashtuar Avokatin e Popullit nga vëzhgimi i procesit të diskutimit, votimit dhe vendimmarrjes, është në kundërshtim me Kushtetutën, rregullat ligjore përkatëse dhe me kërkesën për të siguruar besimin e publikut në procedurën e zhvilluar nga KED. Komisioni i Venecias rekomandon ndryshimin e këtij rregulli antikushtetues. [prg. 59]
- Pavarësisht se ligji detyron publikimin e diskutimeve të bëra në mbledhjet e KED, këto procesverbale nuk janë publikuar. Komisioni i Venecias rekomandon që minutat e takimeve të KED të publikohen. [prg. 57]
- Komisioni i Venecias nuk është në gjendje të vlerësojë nëse shpjegimi i Kryetarit të KED për dërgimin e listave me vonesë në Kuvend, është apo jo i besueshëm, por konstaton se anëtarët e KED nuk ishin informuar për këtë mënyrë të dërgimit të listave në kohë të ndryshme. Në çdo rast, ishte e qartë se data e dërgimit të listave do të kishte pasoja të rëndësishme për shkak të zbatimit të mundshëm të emërimit automatik në bazë të rregullit 30-ditor. [prg. 67]
- Bllokimi i veprimtarisë së KED në vitet 2017-2018 është bërë në mënyrë antikushtetuese nga Qeveria
- Dy vitet e para 2017- 2018 KED humbi kohë tepër të vlefshme për të shmangur krizën e tanishme kushtetuese. Në vitin 2017 Qeveria u ankua se anëtarët e KLD nuk kishin kaluar vetingun, disa anëtarë të KED u dorëhoqën, të tjerë u rrëzuan nga vetingu dhe për pasojë KED në 2017 nuk u mblodh asnjëherë.Në 2018, KED u mblodh vetëm një herë, pasi përfaqësuesi i Parlamentit kërkoi që KED të kufizohej vetëm në vendime adminstrative dhe të mos bënte renditjen e kandidatëve. [prg. 51 &52]
- Kërkesat e vitit 2017 dhe 2018, që KED të mos bënte renditjen e kandidatëve, nuk janë të bazuara në ligj. Nuk ishte e parashikuar as në Kushtetutë dhe as në ligj, që anëtarët e KED të kishin kaluar procesin e vetingut. [prg. 53]
- Ligji për betimin me shkrim i miratuar nga mazhoranca, por i kthyer për rishqyrtim nga Presidenti në 2 Mars, është në kundërshtim me Kushtetutën
- Kushtetutshmëria e ndryshimit ligjor të miratuar nga Kuvendi është e dyshimtë, pasi Kushtetuta shprehet qartë se betimi duhet të bëhet “përpara” Presidentit. Për më tepër, dispozita e miratuar është shumë e paqartë. Cili është “njoftimi i emërimit” dhe kush është kompetent për të bërë një njoftim të tillë? Edhe nëse do të ishte Gjykata Kushtetuese, konteksti i situatës në Shqipëri e përjashton këtë mundësi. Kështu, ndryshimi krijon pasiguri në lidhje me legjitimitetin e anëtarëve që fillojnë detyrën në Gjykatën Kushtetuese pa u betuar sipas procedurës së parashikuar në Kushtetutë. [prg. 84]
- Dispozitat e miratuara kohët e fundit, por ende jo efektive, në lidhje me një mekanizëm të paracaktuar për të marrë betimin duke i dërguar një letër me betim Presidentit në rast të refuzimit nga Presidenti për të pranuar betimin, duhet të braktiset pasi ato duket se janë jokushtetuese. [prg. 114]
- Zbatimi i procesit të vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve krijon hapësirë për manipulime politike
- Disa persona nuk e kaluan vettingun sepse bashkëshorti i tyre nuk mund të shpjegonte disa të ardhura të fituara shumë kohë para se të martoheshin. Ka një zbatim tepër të ngurtë të afateve procedurale. Dokumentacioni duhet të sigurohet rreptësisht brenda një afati prej dy javësh, gjë që ndonjëherë nuk është e mundur, veçanërisht kur dokumentet e çertifikuara duhet të merren nga jashtë. Komisioni i Venecias rekomandon që të rivlerësohen modalitetet aktuale të procesit të vettingut, përfshirë fushën e veprimit të tij dhe zbatimin e rregullave procedurale siç janë afatet në një mënyrë, më pak të ngurtë. Vettingu duhet të aplikohet në një mënyrë koherente. [prg. 40 &41]
- Ndërsa Reforma në Drejtësi dhe procesi i vettingut mbeten prioritet dhe duhet të sjellin një përfundim të mirë, duhet të vlerësohet nëse rregullat siç zbatohen, çojnë në zgjidhje të mira ose nuk krijojnë shumë hapësirë për manipulime politike. Verifikimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të përshpejtohet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Nga ana tjetër, në raste të arsyeshme, afate kohore tepër të ngurta dhe jorealiste për të siguruar dokumentacioni duhet të rishikohen. [prg. 111]
- Mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë ka pasoja kritike për stabilitetin e Shqipërisë
- Mungesa e Gjykatës së Lartë mund të jetë edhe më kritike për stabilitetin e Shqipërisë sesa mungesa e Gjykatës Kushtetuese. Rastet nga gjykatat e ulëta nuk mund të merren në shqyrtim dhe Shqipëria shkel sistematikisht të drejtën për një gjykim të drejtë brenda një kohe të arsyeshme. Në mungesë të ndonjë mjeti tjetër juridik, kjo ka të ngjarë të çojë në raste të shumta që përfundojnë para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. [prg. 32]
- Është me rëndësi jetike për Shqipërinë që të rivendosë sa më shpejt në funksionim Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, aq më shumë në një kohë në të cilën paraqiten pyetje mjaft komplekse që kanë të bëjnë me kushtetueshmërinë e punëve publike në Shqipëri. Një numër çështjesh në pritje në Gjykatën Kushtetuese nuk mund të gjykohen. Për të kapërcyer këtë krizë, kërkohet dialog konstruktiv ndërinstitucional dhe bashkëpunim midis institucioneve shtetërore. [prg. 109]
- Komisioni i Venecias propozon zgjidhjen: secili institucion të njoh legjitimitetin e emërimeve të institucionit tjetër
- Komisioni i Venecias nuk mund të zëvendësojë Gjykatën Kushtetuese. Ndihma e Komisionit të Venecias nuk mund të kurojë as të zëvendësojë mungesën e gatishmërisë dhe kulturës së bashkëpunimit midis institucioneve shqiptare. Për zhbllokimin e procedurës së emërimit, një tjetë rrrugë duhet të zgjidhet. Retorika agresive duhet të shmanget, dhe secili institucion duhet të njohë legjitimitetin e institucioneve të tjera në emërimin e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. [prg. 107]
- Problemi kryesor pse situata u përkeqësua nuk është interpretimi i ndryshëm i nenit 179 të Kushtetutës dhe dispozitave të tjera, por mungesa e dialogut dhe bashkëpunimit luajal mes palëve. Të dy palët duhet të shmangin retorikën agresive. Shumë nga problemet mund të zgjidhen përmes bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, siç është theksuar disa herë nga Komisioni i Venecias. Ashtu siç Presidenti i Komisionit të Venecias insistoi kohët e fundit në lidhje me Armeninë: “Kultura demokratike dhe pjekuria kërkojnë kufizim institucional, besim të mirë dhe respekt të ndërsjellë midis institucioneve shtetërore”. [prg. 116]
- Sistemi institucional i Shqipërisë rrezikon një paralizë që shkon përtej çështjes së Gjykatës Kushtetuese
- Bllokimi i procesit të emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nxjerr në pah vështirësi të mëdha në zbatimin e Kushtetutës dhe ligjit në fuqi. Këto varen në një masë të madhe nga konfliktet institucionale, për shkak të mosbesimit të ndërsjellë midis pushteteve dhe prirjes së tyre për të delegjitimuar njëri-tjetrin. Sistemi institucional i vendit rrezikon një paralizë që shkon përtej çështjes së procedurës së emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa të gjithë aktorët theksojnë besnikërinë e tyre ndaj Kushtetutës, ata akuzojnë palën tjetër për shkeljen e dispozitave kushtetuese. Për shkak të mos ekzistencës së Gjykatës Kushtetuese, këto konflikte nuk mund të zgjidhen nga organi kompetent për ta bërë këtë. [prg. 105 & 106]
- Kriza kushtetuese në Shqipëri nuk është shkaktuar nga një akt specifik, por është pasojë e ndërveprimit të disa faktorëve. [prg. 110]