Albspirit

Media/News/Publishing

Historia globale e pandemive nga Dhiata e Vjetër e deri më sot

Që nga kohët e largëta të Dhiatës së Vjetër deri më sot, historia e pandemive është pothuajse e gjatë sa historia e njeriut. Çdo shpërthim masiv pothuajse ka të bëjë me urbanizimin dhe veçanërisht me “problemet e vogla” gjatë globalizimit. Në shekullin e 21-të, denduria e pandemive vdekjeprurëse ka qenë në rritje, gjë që na detyron të rishikojmë të metat në raundin e fundit të urbanizimit dhe t’u hedhim një sy mësimeve nga historia.

Loja në celular “Plague Inc.” (Kompania Murtajë)

Pandemia në përfytyrime

Në romanin e botuar në vitin 1998 “Ylberi Gjashtë”, shkrimtari amerikan Tom Clancy përfytyron një skenar të tillë: në ceremoninë e hapjes të Lojërave Olimpike të Sidneit 2000, terroristët mjedisorë, duke shfrytëzuar sistemin e ajrimit, ua ngjitën virusin e ebolës qindra mijë shikuesve. Kur epidemia u përhap në mbarë botën, kompania farmaceutike e kontrolluar nga terroristët shpejtoi përhapjen e virusit nëpërmjet vaksinave false. Në fund, pjesa dërrmuese e popullsisë së Tokës vdiq. Në filmin hollivudian “Contagion” (2011), fokusi përqendrohet në sistemin e shëndetit publik të ShBA-së, si dhe në gjendjen e zymtë të njerëzimit përballë virusit vdekjeprurës.

Posteri i filmit “Contagion”

Në vitin 2012, studioja e lojërave elektronike “Ndemic” publikoi lojën në celular “Plague Inc.” (Kompania Murtajë). Qysh nga ajo kohë, kjo lojë ka qenë shumë e pëlqyer gjatë çdo pandemie globale. Kësaj here, gjatë epidemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), “Ndemic” gjithashtu shtoi linkun me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, për t’i orientuar lojtarët ta njohin koronavirusin në realitet. “Pandemi” është termi i përgjithshëm për një sërë epidemish që përhapen në një sferë të gjerë gjeografike. Sipas standardit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pandemia duhet të plotësojë njëkohësisht tre kushte: numri i të prekurve të ketë një rritje eksponenciale brenda një kohe të shkurtër (karakteri epidemik); të ekzistojnë simptoma ngjitëse (karakteri ngjitës); sfera e përhapjes të mos kufizohet vetëm brenda një vendi a rajoni. Ish-këshilltari i Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë Keiji Fukuda e përgjithësoi pandeminë si “shpërthim global, që do të thotë se, me përhapjen e patogjeneve, shfaqen edhe sëmundje të tjera krahas virusit.” Sipas këtij standardi, mund të përjashtohen nga lista e pandemisë gripi stinor, kanceri, si dhe viktimat e shkaktuara nga armët kimike taktike. Në të kundërt, është një gjë shumë e vështirë që të paraqiten patogjenet që shkaktojnë pandeminë, sepse pjesa dërrmuese e epidemive shkaktohen nga viruset, por në çdo metër kub në Tokë ekzistojnë 800 milionë viruse, të cilat nuk ndërpresin kopjimin dhe ndryshimin. Një kompleksitet i tillë nënkupton se njerëzimi e ka të vështirë të prodhojë ndonjë vaksinë si antibiotikët me spektër të gjerë, që të asgjësojë patogjenet epidemike para shpërthimit. Por rastet pandemike në histori prapëseprapë mund të shërbejnë në njëfarë mënyre si referencë. Pjesa më e madhe e tyre kanë ndodhur gjatë 5 mijë vjetëve të fundit dhe sfera e prekjes e numri i të vdekurve kanë lidhje të drejtpërdrejtë me konsolidimin e transportit në largësi. Nga analiza e mëtejshme mund të zbulohet se pandemia mund të konsiderohet si dukuri e papritur anësore e urbanizimit dhe globalizimit. Çdo përhapje e epidemisë zbulon të metat në sektorin mjekësor dhe kushtet shëndetësore të ndonjë qyteti, madje edhe në sistemin e shëndetit publik të një vendi. Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, pandemia ka hyrë në një periudhë aktive dhe mësimet e historisë nuk janë të largëta për ne. Me gjithë përmirësimin e mjekësisë, njerëzimi nuk mund të mos mbajë parasysh raundin tjetër të sfidave, jo vetëm në përfytyrimet e romaneve, filmave dhe lojërave elektronike.

Kambana e vdekjes së perandorisë

Në veprën e tij të njohur “Guns, Germs, and Steel: The Fates of Human Societies”, antropologu dhe profesor i gjeografisë në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos, Jared Diamond, vë në dukje një fakt të rëndësishëm: megjithëse mikrobet dhe viruset kanë ekzistuar më gjatë se njeriu në Tokë, vetëm deri rreth viteve 1600 para erës sonë, lia filloi të përhapte si e para epidemi që njihet nga njerëzimi. Kjo ishte rrjedhojë e jetës bujqësore në vendbanime të ngulitura. Në krahasim me jetën endacake të gjuetisë, jeta në vendbanime të ngulitura shoqërohet me dendësimin e popullsisë në njësi sipërfaqeje, gjë që rrit dukshëm mundësinë e përhapjes së viruseve e mikrobeve midis njerëzve. Kur prodhimi bujqësor u grumbullua në njëfarë përmase, u dukën edhe qytetet, ku përqendrohen konsumatorët e bujqësisë. Në krahasim me fshatin, dendësia e popullsisë në qytet pati ngritje të madhe dhe qytetarët kishin nevojë të kontaktonin shpesh me banorët e rajoneve të tjera për shkëmbimin e mallrave të jetesës dhe të zhvillonin tregti. Kështu, mikrobet dhe viruset u përhapën në sferë më të gjerë dhe më dendur. Në fund nisi të shpërthejë pandemia.

Antropologu dhe profesor i gjeografisë në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos, Jared Diamond

Shënimet për shpërthimin e epidemisë vdekjeprurëse në periudhën e Egjiptit të Lashtë (afro 4 000-5 000 para erës sonë) ekzistojnë edhe sot. Në Dhiatën e Vjetër, fjala “murtajë” del 65 herë, ndërsa “epidemi” 47 herë. Në periudhën e qytet-shteteve, qytetërimi i Mesdheut ishte “sakrifica” e parë e pandemisë. Në vitin 431 para erës sonë, shpërtheu Lufta e Peloponezit midis Athinës dhe Spartës. Për t’i bërë ballë Spartës me ushtri të fortë tokësore, komandanti athinas Perikli i shpërnguli banorët në Akropolin me mure të forta dhe ruajti lidhjen me jashtë vetëm nëpërmjet portit të Pireut. Një numër i madh fshatarësh që u shpërngulën me nxitim në qytet, nuk mund të gjenin banesa të përshtatshme, ndërkohë që burimet e kufizuara ujore dhe objektet e shëndetit publik u mbingarkuan si pasojë e shtimit të befasishëm të banorëve. Me këtë rast, skrubtifoja nga Afrika Lindore u soll në portin e Pireut nëpërmjet morrave në anijet e flotës së Athinës dhe u përhap shumë shpejt në Akropol. Brenda vetëm një viti, 100 mijë athinas, përfshirë Perikliun, vdiqën nga kjo sëmundje, afro 1/4 e popullsisë së Athinës. Qysh atëherë, ky qytet-shtet i shkëlqyer dikur i dha lamtumirën epokës së artë. Ai jo vetëm humbi luftën, por nuk mund të kthehej më në kulmin e lulëzimit. Murtaja e Athinës është pandemia e parë e botës perëndimore e shënuar në dokumente historike. Në librin e tij “Historia e Luftës së Peloponezit”, i mbijetuari i kësaj murtaje Tuqididi shënoi trazirat në Athinë me ardhjen e fatkeqësisë dhe përmendi gjithashtu se djegia e kufomave në mënyrë të përqendruar mund të ishte metoda efikase për frenimin e përhapjes së epidemisë. Por tragjedia u përsërit në epokën e Romës. Në vitin 165, në trupat romake që rrethuan Seleukinë shpërtheu për herë të parë lia epidemike. Me zhvendosjen e trupave, virusi u soll shumë shpejt në thelbin e pushtetit të Perandorisë Romake dhe shpërtheu herë pas here në 15 vjetët e mëvonshëm. Kjo murtajë, që u quajt Antonine, sepse ndodhi gjatë Dinastisë Antonine, vrau një perandor dhe 5-10 milionë civilë e ushtarakë dhe, si pasojë, legjionet romake humbën pothuajse të gjitha forcat luftuese. Në shekullin e 3-të, Murtaja e Ciprianit, e shkaktuar nga virusi i fruthit, e çoi në kulm krizën e pushtimit të Perandorisë Romake dhe paralajmëroi ndarjen e saj. Sipas historianit William H. McNeill, deri në fund të shekullit të 3-të, rastet pandemike në rajonin e Mesdheut nuk iu ndanë modelit të “qarkullimit të brendshëm”: virusi i lisë dhe ai i fruthit janë patogjenet origjinale të bregut jugor të Mesdheut. Ato u shfaqën së pari në tufat e bagëtive në Afrikën Veriore dhe pastaj u përhapën në mes të konsumatorëve të mishit të gjedhit në Evropë dhe u shndërruan në pandemi në qytete kryesore. Përhapja e secilit virus të ri mund të ndante nga jeta qindra mijë forca të reja pune dhe kështu ra kambana e vdekjes për Perandorinë Romake. Pas “Murtajës së zezë” të fundit në Mesdhe në mes të shekullit të 8-të, kjo epidemi e ashpër u zhduk në Evropë për afro gjashtë qind vjet. Për këtë, McNiell shpjegon: “Rënia e Perandorisë Romake Lindore (Bizantit) shpërbëri strukturën e popullsisë dhe të shoqërisë, që ishte në favor të përhapjes së viruseve dhe të mikrobeve. Ngritja e Perandorisë Arabe ndërpreu në fakt kanalin e përhapjes së Yersinia pestis-it (bakterit që shkakton murtajën) nëpërmjet Rrugës së Mëndafshit drejt Perëndimit. Por në shekullin e 13-të, me ekspeditën e Perandorisë Mongole në Perëndim, ‘Murtaja e zezë’ u kthye përsëri në Evropë. Kësaj here, ajo kishte një emër që njihet më mirë: ‘Vdekja e zezë'”.

Piktura “Fitorja e Vdekjes” e Bruegel Pieter (shekulli i 16-të) përshkroi pamjen e tmerrshme të përhapjes së “Vdekjes së Zezë” në Evropë

Nga viti 1347 deri më 1352, “Vdekja e zezë” vrau 20-30 milionë evropianë, afro 1/4 e popullsisë së këtij kontinenti. Gjatë mbi 400 vjetëve të mëvonshëm, shpërthyen të paktën 21 epidemi të tilla në Evropë e në Afrikën Veriore, të cilat u quajtën “Pandemia e dytë”. Gjatë tërë shekullit të 14-të, vdiqën 125 milionë veta në mbarë botën dhe numri i popullsisë u kthye në nivelin e vitit 1347 deri në fillim të shekullit të 17-të. Gjatë “Pandemisë së dytë”, vendet e Evropës Perëndimore vendosën me radhë bllokimin e detyrueshëm të zonave të prekura, si dhe sistemin e statistikave të përditshme të numrit të të prekurve të rinj. Në kufirin midis Austrisë dhe Perandorisë Osmane u krijua një “vijë karantine”, dhe çdo njeri a mall nga Lindja në Perëndim duhet të karantinohej rreth kësaj vije për 21 ditë.

 

Kontinenti i vjetër dhe ai i ri

Në kapitullin e tretë të librit “Guns, Germs, and Steel”, profesori Diamond shënon një ngjarje epokale: më 16 nëntor 1532, në Kahamarka të Perusë, kolonizatori spanjoll Francisco Pizarro, në krye të 168 ushtarëve evropianë, mundi dhjetë mijëra trupa të Perandorisë Inkase dhe kapi perandorin Atahualpa. Një vit më vonë, tërë Peruja u mposht nga Pizarro. Kështu Spanja, vendi i “kontinentit të vjetër”, filloi të krijonte perandorinë kolosale koloniale në “kontinentin e ri” të Amerikës Qendrore dhe Jugore. Fitorja e spanjollëve erdhi jo vetëm nëpërmjet shpatave, heshtave, përkrenareve dhe kuajve më cilësorë, por edhe një arme të fshehtë: epidemisë. Në shkencën e mjedisit, kjo quhet edhe “Shkëmbimi kolombian”, term ky që u përdor për herë të parë nga historiani amerikan Alfred W. Crosby. Ai vuri në dukje se, me mbërritjen në Amerikë të eksploratorëve evropianë, të përfaqësuar nga Kristofor Kolombi, në shekujt 15-të e 16-të, bimët me origjinë nga “kontinenti i ri” si patatja, domatja, duhani etj. filluan të hynin në kontinentin evropian. Si këmbim, evropianët çuan oriz, agrume, rrush dhe kafshë shtëpiake në Amerikë. Si efekt anësor i “shkëmbimit”, evropianët u sollën amerikanëve edhe viruse e mikrobe të panjohura, të cilat shkaktuan fatkeqësi vdekjeprurëse në kontinentin e ri. Nga viti 1492 deri në mesin e shekullit të 17-të, 90 % të banorëve vendës të Amerikës vdiqën nga “Epidemia e tokës së virgjër”, siç u quajt nga Crosby.

Në vitin1612, evropianët që mbërritën në Amerikën e Veriut kaluan për herë të parë Ditën e Falënderimeve së bashku me banorët vendës. Gjatë shekujve 15-17, 90 % të banorëve vendës të Amerikës vdiqën nga “Epidemia e tokës së virgjër”.

Por evropianët pësuan hakmarrje shumë shpejt. Gjatë viteve nga 1816 deri më 1826, në Bangladesh e Gadishullin e Indokinës të kontrolluar nga Kompania e Indisë Lindore, në Afrikën Lindore dhe në Kaukazin e Jashtëm, shpërtheu pandemia e parë e kolerës, që shkaktoi mbi 100 mijë të vdekur. Në vitin 1831, kur anijet tregtare me vibrio kolere nga India arrinin në porte kryesore evropiane, kolera shkaktoi 600 mijë të vdekur në Rusinë cariste, Perandorinë Austro-Hungareze, Britani, Francë dhe Egjipt. Duke ndjekur linjën e lundrimit të Paqësorit Verior, vibriot e kolerës sulmuan edhe Kanadanë dhe ShBA-në, dy shtete të krijuara në tokën e marrë nga indianët. Nga shekulli i 19-të deri në vitet ’70 të shekullit të 20-të, në mbarë globin shpërthyen 7 pandemi kolere dhe numri i përgjithshëm i të vdekurve i kaloi 50 milionët. Nga Jugu i Afrikës së nxehtë deri në rrethin e Arktikut të akullt, në botën tonë nuk ekziston më një copë toke e pastër jashtë pandemive. Vibriot e kolerës janë bërë patogjenet epidemike që kanë shpërthyer më shpesh dhe kanë shkaktuar më shumë viktima në shekullin e 19-të në mbarë botën. Është i dukshëm roli i përshpejtimit të globalizimit në shfaqjen e pandemive. Banorët e “kontinentit të vjetër” fituan metale të çmuara, sipërfaqe të gjera toke dhe tregje mallrash, por ata nuk mund të pengonin hyrjen e “Epidemisë së tokës së virgjër” nga Azia e Amerika në Evropë. Përmirësimi i kushteve të transportit ka shtuar edhe rastet e grumbullimit masiv, gjë që është në favor të përhapjes së epidemive. Në tërë shekullin e 19-të, të paktën dy shpërthime të kolerës ndodhën në anijet e myslimanëve të nisur për pelegrinazh në Mekë. Kjo ishte e pamundshme në Mesjetë, kur udhëtimet e gjata nuk realizoheshin lehtë. Ndërkohë, koha e transmetimit të viruseve e mikrobeve nga Azia Jugore në Evropën Perëndimore u shkurtua nga disa muaj në disa javë. McNiell e quan këtë dukuri si “ekuilibri i parazitizmit”. Ashtu si qytetërimi greko-roman është “parazit” i drithërave dhe kafshëve nga Afrika e Veriut, gjatë industrializmit të dytë dhe procesit të urbanizimit të Evropës, “kontinenti i vjetër” ishte i varur shumë nga tregtia e jashtme. Sa më e përparuar industria e vendeve evropiane, aq më e dukshme mbështetja e tyre te materialet e importuara dhe aq më e lirshme rruga e hyrjes së viruseve e mikrobeve në Evropë.

 

“Shekulli i gripit”

Gjatë historisë së gjatë të kundërvënies së njerëzimit me epideminë, nuk ka pasur asnjë moment tjetër ashtu si fillimi i shekullit të 20-të, i mbushur plot me optimizëm. Pavarësisht nga kolera në Afrikën Veriore, Lindjen e Mesme dhe në Evropën Lindore, e murtaja bubonike në Bregun Perëndimor të ShBA-së dhe në Verilindjen e Kinës, publiku në Evropën Perëndimore kishte më shumë besim se kurdoherë për rezistencën kundër sulmit të pandemive. Përhapja e vaksinave ka ulur me efikasitet vdekshmërinë foshnjore në qytete. Ndërkohë, shpërthimi i epidemisë në një rajon konsiderohet si sinonim i prapambetjes. Ky besim vjen në radhë të parë nga prirja e urbanizimit të mbyllur. Në vitin 1900, popullsia e qyteteve në mbarë botën realizoi për herë të parë shtimin e pavarur natyror pa u mbështetur te të ardhurit nga fshati. Në Evropën Perëndimore, qytetet formuan modelin e vet të ekologjisë shoqërore dhe të rritjes së popullsisë. Në përshtatje me këtë ndryshim, qysh nga shekulli i 19-të, vendet e Evropës Perëndimore filluan me radhë rindërtimin e infrastrukturës së qyteteve kryesore, duke përmirësuar mjedisin e jetës së banorëve të thjeshtë, si dhe kushtet e shëndetit publik. Në Ligjin e Shëndetit Publik përcaktohet krijimi i një sërë komitetesh vendore për mbikëqyrjen e burimeve ujore, vendeve të rritjes e therjes së bagëtive, të mjedisit publik etj. Reforma e standardeve mjekësore dhe shëndetësore, e nisur nga kërkesat ushtarake, ishte tjetër masë me ndikim të thellë për uljen e vdekjeve nga epidemitë. Qeveritë filluan ta pajisin ushtrinë me staf mjekësor dhe të siguronin kushtet higjienike nëpërmjet vaksinimit, prerjes së flokëve në mënyrë kolektive, zhdukjes së insekteve, ndërrimit të rregullt të veshjeve të brendshme dhe të mbulesave. Gjatë Luftës së Krimesë (1853-1856), Britania zbatoi e para sistemin e infermierisë profesionale për uljen e vdekshmërisë së të plagosurve në spitalet e luftës. Deri në Luftën Japono-Ruse (1904-1905), numri i ushtarëve të vdekur nga infektimi i plagëve dhe epidemitë u ul nën 1/4 e numrit të të vdekurve drejtpërdrejt në betejë. Por një optimizëm i tillë nuk zgjati as për 20 vjet. Në vitin 1918, e gjithë bota ra përsëri në tmerrin e “Gripit spanjoll”. Sipas studimit të virologut John Oxford në vitin 1999, në fillim ndonjë virus i sjellë nga zogjtë infektoi shpendët dhe derrat në një kazermë të të plagosurve pranë ngushticës së Kalesë dhe shumë shpejt preku dhe njerëzit. Kaleja ishte një nga portet kryesore të zbritjes së ushtarakëve amerikanë në Francë. Kështu, virusi u përhap shpejt nga Evropa Perëndimore në Amerikën Veriore, Lindjen e Mesme dhe të Afërt, si dhe Azinë Juglindore, dhe shkaktoi në fund 500 milionë të prekur, ose 27 % të popullsisë së globit.

Gjatë shpërthimit të “Gripit të Spanjoll”, forcat tokësore amerikane krijuan spitalet e përkohshme karantinore në malin e shtetit Masaçuses, posaçërisht për ofecerë e ushtarë të prekur nga gripi. Një infermiere mbajti maskën, për parandalimin e përhapjen e virusit.

Qysh nga “Murtaja e Athinës”, luftërat kishin qenë vatra e pandemive dhe nga kjo nuk bëri përjashtim edhe rasti i viteve 1918-1920. Përkeqësimi i kushteve mjekësore dhe mungesa e ilaçeve i ktheu shpejt kazermat franceze të të plagosurve në frontin e parë të kultivimit të virusit. Kur të plagosurit rëndë u evakuuan në spitalet e prapavijës, bashkë me ta u çua edhe virusi. Gjatë 24 muajve, 400 mijë francezë vdiqën drejtpërdrejt ose tërthorazi nga ky grip dhe në Britani e ShBA numri i të vdekurve arriti përkatësisht në 250 mijë dhe 675 mijë. Pas 24 muajve, gripi i madh u zhduk papritur, ashtu si erdhi. Asnjë dëshmi nuk vërteton se ai u shërua në mënyrë artificiale. Një pjesë e virologëve janë të mendimit se mutacioni i vetë virusit prodhoi shtamin me vdekshmëri më të ulët dhe përfundoi ciklin e përhapjes në mënyrë natyrore. Me “Gripin spanjoll” si simbol, gripi zëvendësoi zyrtarisht kolerën e murtajën e zezë dhe u bë kërcënimi nr. 1 i shëndetit publik në shekullin e 20-të. Hijet e tij nuk janë zhdukur edhe në shekullin e 21-të. Gjatë periudhës 2009-2010, gripi H1N1 (gripi i derrit) shkaktoi të paktën 150 të vdekur në mbarë globin.

“Ngrohja” dhe “ftohja” e përbashkët globale

Në shekullin e 21-të, njerëzimi vështirë të ketë optimizëm për fitore. Përkundrazi, sa më të pasura njohuritë tona mbi etiologjinë, aq më i madh tmerri për përsëritjen e pandemive. Në krahasim me 800 milionë viruset për metër kub në Tokë, njohuritë e njerëzimit për to janë vetëm një pikë në oqean, pa folur për aftësinë e kopjimit dhe ndryshimit të virusit. Virologu amerikan Kevin Olival është shprehur: “Nga viti 2009 deri më 2014, epidemiologët zbuluan afro 1 000 viruse të reja dhe njëkohësisht u detyruan të hiqnin dorë nga miliona të tjera. Por kush mund të sigurojë se raundi tjetër i pandemisë do të vijë patjetër nga ato 1000”? Pavarësisht nga përmirësimi i transportit si rezultat i globalizimit, apo lehtësimi i përhapjes së viruseve midis kafshëve e njeriut si pasojë e urbanizimit të shpejtë, rreziqet e pandemisë dhe llojet e sëmundjeve janë më të ndërlikuara se 100 vjet më parë. Në vitin 2003, askush nuk e parashikonte se koronavirusi SARS, që e kishte burimin nga lakuriqi i natës, nëpërmjet ndërmjetësit Paguma larvata, mund të përhapej në një metropol si Guangzhou. Në vitin 2012, deveja, e rritur nga beduinët në Lindjen e Mesme për mijëra vjet, u bë papritmas ndërmjetësi i koronavirusit MERS. Olival tha se grupi i tij kërkimor analizoi në vitin 2016 viruset nga kafshët gjitare dhe 188 prej tyre kanë mundësi të përhapen te njerëzit, “pa përfshirë linë, virusin e vjetër që po mëkëmbet, si dhe lloje të tjera me potencial vdekjeprurës”.

Më 18 qershor 2015, stafi profilaktik i Koresë së Jugut dezinfektoi një teatër në Seul, ku u zbulua koronavirusi MERS.

Kina nuk ka qenë në asnjë mënyrë e përjashtuar nga pandemitë globale. Vetëm pak kohë pas “Murtajës Antonine” në Evropë, skrubtifoja ngjalli “Murtajën Jianan” në fund të dinastisë Han Lindore, ndërsa murtaja e zezë masive në fund të dinastisë Yuan, që shkaktoi pothuajse përgjysmimin e popullsisë së mbarë vendit, ishte e njëjtë me “Vdekjen e zezë”, të transmetuar nga kalorësit mongolë në Evropë. Në kohën moderne, Kina ka qenë vend kryesor i shpërthimit të disa pandemive globale, si murtaja e zezë në Verilindjen e Kinës gjatë viteve 1910-1911, që shkaktoi 60 mijë të vdekur, “gripi i Azisë” dhe “gripi i Hong-Kongut” në vitet ’50 e ’60 të shekullit të kaluar, si dhe koronaviruset SARS dhe COVID-19 në këtë shekull. Qysh nga murtaja e zezë në fillim të shekullit të 20-të, Kina filloi të krijonte sistemin e parandalimit dhe të karantinës. Sot, përvoja e Kinës në përballimin e SARS-it, gripit H1N1 dhe COVID-19 mund t’u ofrojë materiale të pasura kërkimore qarqeve mjekësore të botës. Në fund të fundit, gjatë mbi 100 vjetëve të fundit, asnjë vend tjetër nuk mund ta kryente urbanizimin e një numri aq të madh popullsie brenda një kohe aq të shkurtër. Problemet dhe të metat e shfaqura në çdo pandemi mund t’u shërbejnë edhe si referencë vendeve të tjera. Përballimi nga Kina dhe efektiviteti i veprimeve të saj do të jenë të dhëna të rëndësishme në historinë globale të profilaksisë. Nga ky këndvështrim, epidemia e pneumonisë së shkaktuar nga koronavirusi i ri (COVID-19), e shpërthyer në fund të vitit 2019 në Wuhan të Kinës Qendrore, është sfidë përpara sistemit të mjekësisë dhe të kërkimit shkencor të Kinës, por përbën edhe një pjesë përbërëse të “luftës kundër viruseve” të njerëzimit në epokën e globalizimit. Prirja e integrimit dhe e ndërlidhjes së njerëzimit është e pakthyeshme. Përballë pandemisë, asnjë vend nuk mund të mos marrë përsipër përgjegjësinë dhe të përjashtohet nga virusi. (http://albanian.cri.cn/Wang Lei)

Please follow and like us: