Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Spanjolli: Dante dhe testamenti shpirtëror, moral dhe letrar për njeriun…

Image result for artur spanjolli

Artur Spanjolli

 

 

Dante Aligerit i jam afruar që djalosh, në lice, kur mora vesh nga mësuesja kujdestare e letërsisë Diktere Mustafaraj, se në bibliotekën e shkollës kishte një kopje shqip të “Komedisë Hyjnore”, ardhur në dialektin gegënisht nga përkthyesi shkodran Pashko Gjeçi, me kopertinën e sistemuar nge miku im skulptor Albert Metasani. Që atëhere mendoja tmerrin e personazheve të cilët brenda faqeve të librit, akoma vuanin në formë gërmash të ngrira nëpër fletë. Historia ishte shumë më e thellë. Më vonë iu afrova Dantes si shpirtërisht ashtu edhe në dimesionin hapësinor e kohor; duke jetuar në Firence e kam ndjerë gjithmonë e më pranë. Edhe sepse, Dante pëlqente t’i këndonte të paprekshmes, të panjohurës, të parelacionueshmes, të pamundurës dhe në dashuri.

Dante është i madh, sepse duke kërkuar pa fund në shpirtin njerëzor, duke bërë kërkime njohjeje, ai vetvetiu, në mënyre të arsyeshme dhe spontane shkoi drejt Perëndisë. Duke kërkuar të vërtetën ai u has pra, thellë vetes së tij me dritën e Hyjnores. Drita e hyjnores, njihet vetëm nëpërmjet një pune të gjatë dhe të thellë kërkimesh brenda nesh. Ajo është rruga më e thellë dhe e sigurtë. Nuk është rruga moraliste e teoricienteve të përhershëm, të cilat janë të rëndësishme për njerëzit që e mendojnë në atë mënyrë, por jo për ato të cilët duan të konvertojnë vetveten. Duan të binden nëpërmjet arsyes. Dante është bindur nëpërmjet arsyes, se duke kërkuar thellë të vërtetën, njeriu gjithmonë gjen Perëndinë. Koncepti i tij ‘dell’iniziazione për gradi’ është një koncept shpirtëror i thellë. Vetëm nëpërmjet njohjes personale të mëkateve, të dhimbjes, të veseve, të kënaqësive njerëzore, mund të arrihet tek hyjnorja. Ja pse Dante për të parë, për të arritur dritën hyjnore, më parë, në veten e parë, ai e bëri udhëtimin në Ferr.

Të flasim për Danten letrar dhe pak për atë shpirtëror. Pse ai është i pavdekshëm? Ç’sistem krijoj ai nga asgjëja? Ç’fantasi e pasur, njerëzore krijoj Ferrin e tij? Si arriti ai të krijojë një sistem kompleks fetar kristian nga asgjëja. Kjo fantazi supreme, kjo pasuri figurash letrare, ky koncept gjigand shpirtërore, është i paimagjinueshëm akoma sot. Dante na vjen si POET, LETRAR, ESOTERIK, FETAR, POLIGLOT, NJOHËS I NUMEROLOGJISË MISTERIOSË, GJUHËTAR, ESTET, KRIJUES I ITALISHTES MODERRNE, ERUDIT, etj. Shumë plane përfaqësojnë Danten, por ajo më e bukura e tij është krijimtaria letrare.

Të krijosh pra nga asgjëja, një sistem shpirtëror aq kompleks ascensioni, ngjitje shpirtërore, të kesh të qartë ç’duhet të bëjë njeriu për t’u rritur shpirtërisht, është një privilegj i njerëzve të mëdhenj si Dante. Kultura e tij e madhe, njohuritë, sensibiliteti, kërkimet e tij personale, leximet e shumta, lëvizja nëpër Itali, pas dëbimit nga Firence, njohuria mbi të folurën italiane dialektale, koncepti i tij i qartë fetar, jo vetëm kristian, mbi çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të bëjë njeriu moralisht në jetë, kjo ndjesi shenjtërie, di sacralità, janë vetëm disa nga vlerat e tij universale.

Dante nuk lexohet, ai studjohet. Të flasësh për Dantet krijues letrar, duhen bërë artikuj të veçantë, për mënyrën se si ai, me çfarë figurash letrare, epitete, krahasime, hiperbola, etj, ka krijuar Ferrin e tij. Më e bukura nga ana letrare, se sa dy pjesët e tjera të komedisë. Para Dantes, asnjë poet tjetër pagan apo kristian nuk e kishte kënduar botën e përtejme si ai. As Homeri, as Ovidi, as Virgjili (profesori dhe idhulli i Dantes) dhe as dhe tradita 2000 vjeçare e përparme. Vetëm në kulturën arabe ekzistonte ‘Libri i Shkallës së Muhamedit’, të cilën ndoshta, Dante e kishte lexuar në latinisht, nga një përkthim nga gjuha kastiliane, nga Bonaventura da Siena…

Pak na intereson ky fakt për të cilën akoma akademikët grinden dhe ndahen në opinione të ndryshme. E rëndësishme, e vërteta është se Dante i ka lënë njerëzimit një trashëgimi të paparë shpirtërore. Një testament shpirtëror si letrar ashtu dhe moral për njeriun…

Please follow and like us: