Albspirit

Media/News/Publishing

Ilnisa Agolli: Skica që më risjell Dritëroin…

 

Kjo skica poshtë, më sjell para syve dhe mendjes Dritëro Agollin.

Ai dinte diçka që nuk ma tha kurrë atë natë.

Plot katër vjet, do të më kushtonte një fjalë. Dritëroi ma krahasoi fjalën me liqenin. Më tha se do e shihja liqenin çdo vit e më shumë, e se do të heshtja si ai çdo vit e më gjatë… nëse do e braktisja një ditë këtë eksplorimin në këtë minierë shkronjash.

Ishte gushti i vitit 2014!

Kisha gati dy muaj në Pogradec.

E mbaj mend se s’duhet të lodhej shumë, sapo kishte ardhur të qëndronte një javë. S’duhet të pinte dhe të rrethohej zhurmës së muhabetqarëve (sepse e donte këtë rutinë që binte si gripi e mandej kur shtrohej tavolinës të paloste ore e ore…).

Hapi një shishe vere, ndërsa po i lexoja ato më të mirat, kur befas ndali tek kjo që do të lexoni poshtë.

Ia lexova tri herë! Pastaj më tha ‘lexoje me mend duke pirë verën’. Pas pak më pyeti:

– Ku e shkrove këtë?

– Këtu, në Pogradec, i thashë.

– Ti më sjell në mend Migjenin me këto që shkruan, hajde bëjmë një fotografi, tha fare papritur.

E mbaj mend si tani sa më përqafoi.

“… domethënë, kur zhurma e botës fle gjumë ti bën rrëmujë. Ngatërrove dhe priftin? Kështu? – qeshi pastaj. Ti po sillesh si shkrimtare. Por ata nuk e kuptojnë kurrë si sillen! Kur zhurma e botës fle gjumë dhe ti mendo me zë dhe do ta shkruash rrëmujën e mbiemrit tonë siç duhet. Vëri një shenjë kësaj poezie dhe një firmë në fund kur të bësh sikur do e palosësh rafteve. Mendimet e tua janë për faqe romani po ti zgjedh më të vështirën, ti ndash vëllimet veç. Vëri një shenjë, nënvizo gjelin dhe priftin, tha. Mos e zgjat shumë, e dimë, mendimet e tua dhe në gjumë bëjnë zhurmë…”.

 

MENDIME

 

Kur zhurma e botës fle gjumë

në fakt nuk fle.

Fshihet akrepave të kohës si një e pamëkatë dhe përgjon çatinë e fqinjit.

As unë nuk fle!

E gjej veten duke u ndeshur me mullinjtë e frikës dhe flak orën nga dritarja mbi kotecin e pulave të Vitos.

Ato flen top se nuk e dinë që ajo do i therri

në mëngjes dhe do fitojë ca para duke i mallkuar me vete të gjithë “mos i hëngshi”.

Vito ështe bullafiqe dhe ka mustaqe.

Kur zhurma e botës fle gjumë, një si gjendje e pagojë ma çon mendimin në tavernën e mëhallës dhe ul në një tavolinë që s’i duhen fjalët.

As paratë!

Ku Zeusi i bie lirës dhe tingujve të dërgon kujtimeve.

E ato mungojnë gjithmonë, si pulat.

Ku Hera, zbulon gjinjtë dhe porosit me zë të ngjirur një dashnor.

Dhe ai harron gjithmonë të të dojë, si njerëzit.

Ku Apolloni, dy hapa larg , deh një prift që lotëve me zë të lartë e pyet: A ka Zot?

Ai donte të bridhte lakuriq manastirit.

Si gjeli

që nuk i kish dhënë kurrë pulave kurajo

dhe që pas mesnate

ëndërronte Viton lakuriq.

 

Kur zhurma e botës bën sikur fle duke u fshehur shtratit,

mendja ime hënëzohet.

Mbyll dritaren!

Nxjerr buzëkuqin dhe lyej thonjtë.

Ajo nuk fle më gjumë,

qysh se dëshirat e mia përvëlojnë grykës

për pak zhurmë prej kotecit.

Kjo është e gjitha:

dhe botës ende i eksitohet këqyrja dhe zhgërryhet në zhavorr kureshtish,

ndërsa mendimet e mia

kacavjerrë mehallës

ende pijnë verë Rose.

Kjo është e gjitha bashke me

një prift që diku

mbi nje kryq me rroba

thotë se çdo natë fle.

 

17 janar 2018·

 

Please follow and like us: