Albspirit

Media/News/Publishing

Sonila Meço: Frikë jo, kujdes maksimal!

Image result for karantina ne shqiperi

Masat drastike po dëshmojnë sukses në Kinë, Korenë e Jugut dhe tashmë edhe në epiqendrën e parë në Itali.

Kemi këtë përvojë, le ta kthejmë në virtyt. Kufizimi, qëndrimi në shtëpi, shmangia e kontakteve, vendeve publike, atyre me grumbullime, higjena ekstreme e duarve dhe trupit janë melhemi për këtë lloj virusi.

Mentaliteti ynë i përshtatur me një stil të tillë jetese është shpëtimi. Çdo mendjelehtësi, shkujdesje, vetbesim për të sfiduar rregullat është një formë krimi ndaj vetes e të shtrenjtëve. Mund të jesh i bindur se nuk të ndodh asgjë, se je me gene rezistente, se nuk kalon nga fryma jote ai i flamosur virus, por mos harro mund të jesh thjesht bartës, pa simptoma, ama fut në shtëpinë e fëmijëve, prindërve e familjarëve të tu të keqen. Mendo për ta, duaje dhe mbro veten! Është nga ato raste ku egoizmi për të vënë veten në plan të parë i bën nder edhe të shtrenjtëve, miqve, njerëzve.

Mendo se pakujdesia jote, nesër do vendosë mjekun përballë dilemës së rëndë, se cilin nga pacientët do duhet të shpëtojë për shkak të mbipopullimit të ambjenteve të terapisë intensive.

E keqja shmanget, për fatin tonë.

Sa shumë janë shëruar, e kanë kaluar lehtë a fare pa simptoma! Por për të mos çuar në kolaps sistemin shëndetësor e për të minimizuar rastet e rënda tek të sëmurët kronikë, le të sakrifikojmë nga liria jonë sot.

Mendo që në disa javë, nëse respektojmë qëndrimin në shtëpi, shmangim kontaktet, ruajmë higjenën maksimale, do të mund të shijojmë pranverën dhe çlirimin nga e keqja e paprecedent. Do t’i rikthehemi jetës normale, punës, festave, argëtimit, pushimeve në vendet e preferuara edhe me më shumë dëshirë e vlerësim të ri për jetën.

Forca! Me ndërgjegjësim mund ta parandalojmë të keqen e përbashkët, duke iu rikthyer gjërave të thjeshta në shtëpi, filmit, komedive, librit, lojrave, muzikës, gjumit sa të na dojë qejfi. Sa i dëshirojmë në kushte normale këto çaste? E keqja shmanget kështu, duke lejuar autoritet përkatëse të bëjnë punën, të shërbejnë e të merren ne rastet kritike.
Madje një komitet mjekësh, shkencëtarësh, elite studimore të fushës, si me një thirrje nën armë mund të jenë pjesë e angazhimit pranë qeverisë.

Pa dhënë shumë mend, por duke vënë mend le ta sfidojmë të mallkuarin.

Frikë jo, kujdes maksimal!
Do t’ja dalim!🙏

Please follow and like us: