Endri Shabani: Përgjigje për mesazhin e padëshiruar që më nisi kryeministri nga Vodafone Albania
Dy ditë më parë unë postova një përgjigje për mesazhin që Rama më dërgoi në celular.
Ajo përgjigje kishte nota sarkazme, por thelbi i asaj që unë mendoj është se Rama nuk duhet të jetë personi që iu bën thirrje qytetarëve të lajnë duart.
Unë mendoj që, ashtu si vendet e zhvillura, Rama duhet të emërojë në krye të kësaj fushate një mjek apo shkencëtar me reputacion kombëtar (në Amerikë ky person quhet ‘car’).
Në shkencën e komunikimit publik mendohet se kur publiku dëgjon diçka në televizor, bën tre pyetje, për të kuptuar nëse ajo që po dëgjon ja vlen të besohet.
- Kush po flet?
Personi që po na tregon se si duhet të ruhemi nga virusi është Rama. Një figurë politike që në rastin më të mirë besohet nga 700 mijë shqiptarë. Ndërkohë ndër 2 milionë shqiptarët e tjerë, ka me mijëra që pikërisht si formë rebelimi ndaj tij zgjedhin të mos bëjnë atë që ai i keshillon. Siç ka edhe militantë të partive të tjera që mund të besojnë se këto janë pjesë e retorikës politike të Ramës, duke qenë edhe në prag të fushatës dhe për pasojë nuk e marrin fare seriozisht atë që ai thotë.
Nga ana tjetër, publiku ka 22 vite që sheh Ramën duke gënjyer për importin e plehrave, për papunësinë, për rritjen ekonomike etj etj. Përse do ta besojnë tani kur flet për virusin?
Prandaj këtë fushatë duhet ta drejtojë një personalitet që gëzon besimin dhe respektin e pjesës më të madhe të shoqërisë, sepse këto masa nuk mund të jetë efektive nëse do të respektohen vetëm nga delegatët e kongresit të PS, të cilët kur do Rama i ekspozon ndaj virusitdhe kur ndërron mendje i mbyll në shtëpi.
- Çfarë po thotë?
Duke mos qenë mjek, apo shkencëtar, të gjitha gjërat që Rama na thotë, janë interpretime të gjërave që atij ia thonë ekspertët. Pra informacioni që ai na jep është po aq i mirë sa ekspertët që ka, të cilët ne nuk i njohim cilët janë. Nga ana tjetër, këtë informacion ai e interpreton sipas njohurive të veta. Siç ishte përshembull deklarata që bëri në Shkurt ku nxitoi të thoshte se askush nuk fliste që 97 % shërohen. Dhe askush nuk fliste, ngaqë mbase kjo nuk është e vërtetë. Pasi sipas statistikave të OBSH megjithëse vdekshmëria është në kufijtë e 3.6%, rreth 20% e të prekurve kane komplikacione, një pjesë e të cilave mund të zgjasin edhe tërë jetën.
Prandaj, dalja e një mjeku apo një shkencëtari do na jepte mundësi të kishim një informacion më të plotë dhe më të besueshëm për seriozitetin e sëmundjes.
- Si e thotë?
Duke qenë një politikan i mësuar me manipulimin e turmave, por edhe frikësimin e tyre, Rama duket sikur edhe këtë herë po përdor dy teknika të gabuara. Nga njëra anë iu thotë njerëzve që masat janë për pak ditë (“tre ditë do bllokojmë rrugët” apo “tre javë do mbyllim shkollat”). Ndërkohë që dihet se këto masa do të zgjasin shumë më gjatë.
Mirëpo, eksperienca e vendeve të tjera ka treguar se nëse nuk iu thua njerëzve që në fillim se masat do të zgjasin, rrezikon që me kalimin e kohës ata të lodhen dhe të humbasin përfundimisht besimin tek ajo që iu thua, duke neglizhuar zbatimin e masave pikërisht atëhere kur mund të jetë edhe piku i rrezikut.
Nga ana tjetër i kërcënon me dhunë policore, duke besuar që ai që nuk bind mund të imponohet.
Por, historia ka treguar që nuk ka polici në botë që mund të menaxhojë një popull të tërë (ku edhe ata bëjnë pjesë) nëse mosbindja është në masë të gjerë.
Kjo është një fushatë që kërkon mobilizimin e gjithë shoqërisë për një kohë të gjate dhe kjo ndodh vetëm nëse njerëzit binden për rëndësinë e veprimeve te tyre.
Fatkeqësisht këtë bindje nuk mund ta sigurojë dot Rama. Prandaj, ai duhet të heqë dorë nga përdorimi politik i kësaj çështjeje dhe të tërhiqet sa nuk është tepër vonë.
E ndërkohë që Rama e lehtëson veten nga punët që nuk i takojnë, do t’i mbetet më tepër kohë për t’u marrë me punët që i takojnë, siç janë:
E para, t’i thotë Vilmës që milionat që i japim për analiza cici, t’i përdorë për të ngritur në mënyrë urgjente një qendër vetë-diagnostifikimi (drive-in) për koronavirusin.
E dyta, të sigurohet që spitalet kanë mjaftueshëm maska oksigjeni dhe medikamente anti-virale, nga ato që po testohen me sukses në disa vende të botës. Sërish le t’ia marrë atij koncesionarit tjetër, se jeta e shqiptarëve është më urgjente se xhepat e oligarkëve.
E treta, të sigurohet që karantinat janë funksionale dhe jo vetëm si reklamë facebooku. Se po shohim që mjekët në vend që t’i karantinojnë aty të sëmurët, i çojnë në shtëpi, duke rritur rrezikun e përhapjes së virusit.
Dhe e fundit, por më e rëndësishmja, të marrë masa për të lehtësuar financiarisht bizneset e vogla dhe të ndihmojë ekonomikisht njerëzit më të varfër në shoqëri. Le t’ia marrë atyre që iu ul taksat e dividentëve. Se oligarkët, mund t’ia lejojnë vetes edhe të izolohen tek vilat e tyre dhe të mos punojnë fare për ca kohë. Por mijëra punëtorë, as nuk mund ta marrin lopatën apo ekspresin në shtëpi dhe as nuk kanë rezerva për të qëndruar gjatë pa punë.
Kjo është një luftë që duhet ta luftojmë të gjithë sëbashku, por barra nuk mund të bjerë në mënyrë shproporcionale mbi shpatullat e pjesës më vulnerabël të shoqërise. Dhe jeta e shqiptarëve nuk mund të vihet në rrezik për karrierën politike të një njeriu.