Rita Petro: U ngritën nga gjumi dy përbindëshat
U ngritën nga gjumi
dy përbindëshat
që jetojnë
në kurmin tonë.
Ky dimër kish zgjatur
më shumë se tre muaj
mbase dhe tre shekuj
kush e mban mend!
I shpërthyen
zgavrat
brenda trupave tanë
një mëngjes
teksa nuhatën
aromat ndjellëse
të natyrës
çmendur në pllenim…
Të unët për ushqim,
të unët për ndërzim
hungërinë
e iu sulën njëri-tjetrit
xixa
sytë iu shkreptinë.
U kapërthyen e u rrotulluan
mbi barin e njomë
i shtypën
lulet e milingonat
aty pranë
u lëpinë.
Derisa pështyma iu tha
u gërvishtën me thonj
pa u shqyer
e pa nxjerrë asnjë pikë gjak
grahën e grahën
sa mundën
ulëritën
deri në ekstazë…
Dhe ashtu të nginjur
u rikthyen
brenda trupave tanë.
Please follow and like us: