Denis Dyrnjaja: Regjia nga Qeveria
Dhe thonë pastaj që qeveria ska vizion. Jo vetëm që ka, por duket se e ka të tepruar. Psh qeveria ka vizion edhe për programacion në televizion. Akti Normativ i saj për masa ndaj Coronavirusit, mes të tjerash kushtëzon të gjitha mediat vizive të mbyllin programet e tyre dhe kushti është tërësisht paradoksal. Nuk mund të ketë transmetime me më shumë se dy persona në studiot televizive për të shmangur kontaktet dhe ruajtur distancat në hapësirat e studiove televizive. Po kush i pa?! Kush i mati?! Si u arrit në këtë përfundim?! Akti Normativ thotë se nëse shkelet ky kusht, gjoba është 1 milion lekë dhe nëse përsëritet shkohet si penalizim deri në mbyllje të subjektit. Qesharake! Të paktën kështu rezulton për rastin e Top Channel. Ka vetëm një arsye banale e të provueshme për arsyen që kushtëzon Akti Normativ. Hapësirën ku zhvillohen programet e Top Channel. Vetëm vendgrimimin TCH e ka më të madh se studio më e madhe dhe më e mirë e një televizioni lokal. Po të ishte dhe pak më e madhe ndoshta, do ishte aty aty me sallën e hartave të Kryeministrisë. Ç’të thuash për ambientet, studiot dhe hapësirat e tjera që janë të dimensioneve te cilat i tejkalojnë disa herë hapësirat e pretenduara për kushtet e aktit normativ të qeverisë. Së dyti të kushtëzosh programin e mediave televizive dhe në rastin konkret të televizionit më të madh në vend e t’iu heqësh njerëzve programet e preferuara në këtë periudhë depresioni nga karantina kolektive më e pakta është një vendim i nxituar. Per vetë misionin e posaçëm që ka media dhe rëndësinë e ndikimin që ka ajo në të tilla raste do duhej që qeveria para se të vendoste për reduktimin e programeve televizive me urdhër, të ishte konsultuar me grupet e interesit. Fuqia e saj nuk është më një çështje për t’u diskutuar. Vetëm me një thirrje të stafit të Emisionit Hipokrati, në Top Channel kryeqyteti u derdh në dritaret e ballkonet e shtëpive, duke duartrokitur mjekët në misionin e tyre, ndaj zëri i njerëzve duhet dëgjuar e respektuar, sidomos në kushte specifike si kjo e vetkarantinimit.