Dritëro Agolli: Nëse sëmundja vjen tek unë
Nëse sëmundja vjen tek unë,
ju mos më shpini në spital,
më merrni fshehur e pa zhurmë,
më ngjitni lart, diku në mal.
Atje dyshek e shtrat nuk dua
dhe as çarçaf e as jorgan,
por tek një çezmë e tek një krua
më shtroni dushk e jargavan.
Ma lidhni kokën me një kulpër,
ma njomni buzën në burim,
dhe kur të vijë andej një flutur
s’ka gjë se rri në ballin tim.
Të ndalet udhëtari i mirë,
të pijë i heshtur një duhan,
të thotë: Mjaft qëndrove shtrirë,
për ty e gjora rrugë qan!
Dhe, ju betohem, po s’u ngrita,
i madh, i bukur, plot shëndet,
dhe rrugës sime nga e nisa
T’i them: Më prit se po vij shpejt!
Please follow and like us: