Ilir Levonja: Kur thërret Erioni…
Një nga deputetët e kuvendit të Shqipërisë dhe zëvendës kryeministri Erion Braçe, i bën thirrje shqiptarëve për një mbyllje një ditore dhe një herë në muaj si tani. Pra një lloj karantine me qëllim pastrimin, dizifektimin a ruajtjen e mjedisit nga sulme të tilla epidemollogjike. Në atë sportivitetin qeveritar bën përjashtim pikërisht ai ose faktori politik që duam apo nuk duam ne janë sot një covid më i qelbët se ky që ka ngujuar një komb të tërin. Dhe Erjoni nuk bën përjashtim, nuk ka se si…
Ndaj sot ka një kulturë vrazhdësie me rrahje e gjoksi dhe përbuzje mbi sfidantët e urdhrave, mbi abuzuesit e çmimeve etj., ku domosdo viktimat e frontit më të parë janë si gjithmonë njerëzit apo nocioni popull. Përshembull sot shqiptarët e kanë lehtë t’i vënë gishtin disa provincialëve në moshë që kanë ndjekur fëmijët në Tiranën gjoja metropol, por që nuk i tuten aspak dominove apo shahut në parqet publike. Sot shumë syresh e kanë të lehtë t’i vënë gishtin disa tregtarëve tezgash që fatkeqësia u dha shancin të ”zhvasin” ca qindarka më shumë për kilen e limonit, nga që mund të kenë sosur ditën pa shitur më parë një kokërr. Megjithëse kurrë nuk u indinjuan në masë, nuk denoncuan në masë vjedhjet me reportabël të djersës së tyre nga ndrikullat e pushtetit. Denoncojnë dhe përbuzim një rritje çmimi limonash, madje me inat nga ai i shqiptarit për shqiptarin, shkrumb u bëfsha vet veç ai mos të ketë.
Pra a duhet të mbyllen shqiptarët kështu në një karantinë, një ditore, një herë në muaj? Pa diskutim që duhet. Sepse edhe tani pavarësisht urdhrave ndihet qartë që në pjesë dërrmuese janë ngujuar për faktin se kuptuan më në fund se sa duhet jeta, se sa i vlefshëm është njeriu për njeriun deri në rang global. Mund të jetë një kulm kohor që ka shmangur deri një luftë të tretë botërore për shkak të ratifikimit të egos së perandorëve e perandorive me mjetet e demokracisë. Covidi a corona ka mbyllur studiot e neveritshme dhe foltoret politike të adresuar në luftë emrash se sa programesh, njerëzit po kuptojnë se koha e tyre nuk është përshembull vetëm Tak Ngjela dhe Tak Braho, por jeta në rrethinë dhe humori, keqardhja e shqiptarit për qytetarin italian, grek, kinez, iranian etj., pasi prej kohësh po mufatet një urrejtje globale. Po shohim foshnje kufoma nëpër brigje deti, karvanë shtegtarësh pa përfilluar kufijtë. Për hir të iks shtetari nuk na dhëmbi për prindërit e asaj fëmije, po ashtu as për dhimbjen e atyre refugjatëve që na kujton vetveten kur hapnin shtigje në monopatet e maleve tona me Greqinë. Kur dënoheshin e deklasoeshim për Amerikën dhe perëndimin. Kishim harruar të donim njëri-tjetrin, aq sa edhe Zotin e bëm ushtar pervers të çifutit apo arabit. Eshtë fije peri kjo që rrjedh, e ka emrin jetë, ikën dhe nuk vjen më. Ndaj mos u çudisni që kjo dëm pandemia mund të ketë shmangur një luftë të tretë botërore. Megjithatë shqiptarët zëvendës kryeministri i vendlindjes sime duhen të mbyllen e të mos dalin fare deri sa zhduket rraca jote që këlthet karshi një tezgazhiu limonash, karshi ndotjes mjedisore, karshi dizinfektimit etj., pasi burimi i të gjithave epidemive je ti dhe soji yt i neveritshëm. Një corona virus që nuk ka karantinë ta luaj vendit.