Kostas Uranis: VAJTIME TË MUZGUT
Pasdite, n’ atë orë që ndjell një mugëtirë vjeshtore,
një makth thëllim e i pashpirt qytetin e mbulon,
këmbanat që nga larg gjëmojnë për lutjen mbrëmësore,
dhe heshtja e përzishme hesht e mbi çatitë pluskon,
mendja më niset e më shkon tek pleqtë e tek jetimët,
që muzgu i ftohtë u hyn në shpirt, u ngrin zemrën e ngratë,
tek prostitutat që gëlojnë nën atë shi të imët,
sokaqeve mbushur trishtim, të vetme nëpër natë:
e tek ata që asnjëherë s’ u ndjenë të lumturuar,
tek vetmitarët e pastrehë nën qiellin e mjeruar,
tek nostalgjikët që jetojnë një jetë që kurrë nuk panë,
tek të sëmurët ca më shumë, që treten në skëterra,
nga ku, të zbehtë e të pa zë, me sytë ngulur te dera,
u bëhet se Dikush e hap dhe vjen u ulet pranë…
Shqipёroi: Arqile Garo