Soreca u shkruan mjekëve: Jemi mirënjohës për angazhimin tuaj!
Shqipëria ka hyrë sot në ditën e tretë të ‘shtet-rrethimit’ si kundërpërgjigje ndaj përhapjes së koronavirusit. Numri i të prekurve në vend ka shkuar 42 nga të cilët 2 janë mjekë. Personeli shëndetësor këto ditë po përballet me një nga sfidat më të mëdha dhe qëndron në vijën e parë të rrezikut teksa përpiqet të ndihmojë ata që kanë nevojë. Mesazhe të shumta solidarizimi dhe falenderimi i janë shprehur nga të gjitha institucionet në vend. Shprehjes së mirënjohjes i është bashkuar sot edhe ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca. “Mendimi ynë sot shkon për të gjithë profesionistët e kujdesit shëndetësor në Shqipëri, të cilët janë duke punuar pa pushim dhe nën presion të madh për të na mbrojtur gjatë pandemisë coronavirus. Ne jemi shumë mirënjohës për angazhimin tuaj në këtë periudhë të vështirë”, shkruan Soreca në Twitter.