Azgan Berbati: Përtej pandemisë planetare të koronavirusit
Është e vërtetuar botërisht se në shumicën e rasteve, shëndeti varet në mënyrë eksplicite nga gjendja psikologjike e individit.
Sot, gjithë bota po përjeton një fenomen të padëgjuar më parë.
Është evidentuar një virus rreth të cilit po diskutohet gjerë kudo, në botë.
Së fundmi edhe në vendin tonë.
Qartësisht, është një problem që sa vjen e bëhet më serioz, kërcënues, madje më keq akoma, “vrasës i fshehtë” që ka mbërrirë jo vetëm si një diskutim, por shumë më i konkretizuar tashmë (ndonëse shumë më parë se të publikohej), i përkthyer në raste njerëzore.
Në këtë situatë evidentohen një mori problemesh të tjera, kërcënuese sa vet ai i pari.
***
Prej shumë kohësh (mbi)jetojmë në një problem të përbashkët, gjithë bota. Në fakt, është më shumë se një problem, disa probleme, përtej këtij nocioni.
Bëhet fjalë për ngrohjen globale.
Për nga përmasat një vrasës shumë më i madh për globin, se sa virusi i tanishëm, por një ‘vrasës’ më i avashtë, më gradual në dukje.
Një vrasës që e kemi transmetuar dhe po e transmetojmë (fshehurazi) pa ‘guxuar’ t’a trajtojmë koordinueshëm dhe në koherencë siç ekzaktësisht tani po ndodh me virusin.
Ish-zv.presidenti i SHBA; Al Gor në misionin e tij prej ambientalisti bëri disa përpjekje lidhur me këtë çështje, duke e ilustruar dhe me shembuj e eksperimente hipotetike.
Pra, njerëzit i njohin shkaqet dhe pasojat, por thjesht veprojnë kundër, duke zgjedhur të përshtaten me anën e gabuar.
Në këtë pikëpamje, shfaqet një optikë e pastër që shtjellon më hollësisht veprimet njerëzore, shkaqet, pasojat, zanafillën, dhe mbi të gjitha reagimin, e shpejtësinë e këtij të fundit nga ana jonë.
Kështu, referuar dy problemeve më sipër, prezantohemi me neglizhencën e secilit prej nesh.
Këtu për fatin e keq, bashkë me neglizhencën, në burimin e saj, lind njëherësh lëmshi i madh i amalgamave.
***
Le t’a përafrojmë shqetësimin aty ku dhemb më shumë, këtu në vendin tonë, në Shqipëri.
Pra, le t’i referohemi rrethit vicioz që na rrethon ne shqiptarëve, ndoshta si në asnjë komb tjetër.
Një komb ka nevojë për shtet, dhe fakti që nuk sundohet nga shtete të tjera, nuk e bën të tillë, nuk mjafton kaq.
Ja pra pse në Shqipëri është lëmshi i madh me amalgama, sepse ne mjaftohemi me pak, madje më zi se kaq.
Hermetizmi flak tutje instiktin reagues, qasjen qytetare, sovranitetin, dhe nga ana tjetër sjell në mesin tonë të kundërtat e këtyre, më shumë se sa specifikova më lartë.
Për t’a kuptuar më thjeshtë:
Është bërë ndër kohë, prej kohësh një spostim i madh i figurave të duhura për ecurinë dhe mbarëvajtjen e vendit tonë.
Kaq thellësisht ka ndodhur kjo gjë, saqë (paradoksalisht) dhe në universitete kultivohet injorancë, krejtësisht në analogji me injorancën dhe banalitetin e pamatë që shfaqin nëpër ekranet televizive.
Është komike dhe tragjike njëherazi kur shikon gjendjen e vendit tonë dhe televizionet trajtojnë tema krejt larg realitetit prekës.
Nëse pyeten qytetarët me radhë, të gjithë i shqetëson varfëria, ndërsa programe të ndryshme televizive iu dedikohen individëve, i quajnë të rëndësishëm madje, duke e thelluar akoma më shumë kompleksin e inferioritetit tek ata që e ndiejnë sado pak, trajtojnë tema aspak utilitare, duke e lënë reçesive, në hije, atë, ato pra, të vërtetat e mëdha.
Duke i shërbyer kultit të individit, autoritarizmit dhe kështu duke i ekzaltuar, prap duke e lënë reçesive atë që është thelbësore.
Në këtë rrjedhojë, gjithsesi, sa i përket virusit, nuk kanë munguar fjalët e kujtdo, kushdo ka folur mbi të, rreth tij, edhe më injorantët madje, me kompetenca mundësisht.
Më tepër se kaq, të vetizoluar, njerëzit vendosën t’u shprehin mirënjohje uniformave të bardha duke i duartrokitur, nga një indikacion që e thellon më tej injorancën.
Mirënjohja si shumëçka tjetër nuk është e imponueshme. Mirënjohja lind nga shpirti dhe përjetësohet po nga ai.
***
Është politizimi dhe autoritarizmi i theksuar ai që shkatërron çdo ditë këtë vend, pashmangshmërisht dhe heshtja jonë.
Vendi ynë ndodhet nën peshën e madhe të denatyrimit, të dilemës së ekzistencializmit, të hibridizimit, të heshtjes sonë, të veprimeve që çojnë në kolapse të pakthyeshme.
Prandaj dhe tërmetet, viruset; janë ndëshkime të merituara duke e afruar fundin për të gjithë, sepse të gjithë jemi (duhet të jemi) njësoj, ama askush nuk mendon asgjë të tillë para se këto të bëhen ngjarje.
Prandaj shtimi i injorancës dhe pakësimi i diturisë, dashurisë, etj, lindin shkaqe njëherësh dhe frikë duke kallkanizuar të gjitha instiktet njerëzore, e duke e bërë të pakuptimtë rolin tonë mbi tokë.
Ja pra, sa ngushtësisht janë të lidhura gjërat.