Albspirit

Media/News/Publishing

GAZETA DIELLI/KUSH ISHTE ‘NGJALA’, ‘LIQENI’ DHE ‘FLETORI’ QË SPIUNONIN FAN NOLIN TEK ‘MISIONI’ DHE QEVERIA E TIRANËS?

No photo description available.

DOSJA E VATRËS- EDITORËT E DIELLIT NË OBJEKTIVIN E SIGURIMIT

– KUSH ISHTE “NGJALA”DHE”LIQENI” QË SPIUNONIN FAN NOLIN TEK “MISIONI” DHE QEVERIA E TIRANËS?-PO ”FLETORI”?

– EDITORI I DIELLIT NË LUPËN E SIGURIMIT DHE TË FBI-(DOSJA E HAPUR NË 1962 U MBYLL NË 2005)

– MISIONI: AS ME PETER PRIFTIN, AS ME QERIM PANARITIN, NXITNI KONFLIKTIN MES TYRE!

NGA DALIP GRECA

Në dosjen e sigurimit, që i ishte hapur Vatrës nga Minsitria e Brendshme, Drejtoria e Sigurimit, dalin shpesh pseudonimet e “Ngjalës” dhe “Liqenit”, që dukej se kishin pushtet tek Peshkopi, por edhe e spiunonin atë tek padronët e tyre. “Luani”, që furnizohej me raporte nga”Ngjala” dhe “Liqeni” informonte Tiranën se Peshkopi s’ishte 100 për qind i besuar.
“Ngjala”, me 11 gusht 1959, njoftonte me tel Nr. 203 se F.B.I , sipas Dhimitër Trebickës kishte thirrë Niko TH dhe e kishin pyetur për këto gjëra:
1-Si do të pritej në Shqipëri një ndihmë prej 500 mijë ose një milion dollarësh e dërguar në emër të Vatrës?
Niko Th ishte përgjigjë se Vatra nuk kishte më kredibilitein e dikurshëm në Shqipëri, autoriteti i saj pas lufte kishte rënë.
2- Pyetja e dytë kishte qenë rreth “Kështjellës”. F.B.I kishte pyetë: -ç’punë bënte “Kështjella” në Shqipëri?
Përgjigja kishte qenë: Nuk e di me saktësi, nuk kam informacion. Ai kishte spjeguar se kur kishte shkuar në Shqipëri, nuk e kishte takuar”Kështjellën” nga që ishte i sëmurë.
3- Sipas këtij informacioni njerëzit e F.B.I. kishin pyetur Nikon dhe Trebickën nëse mund të gjendej ndonjë nga punonjësit e Misionit që shfaqte shenja lëkundje ndaj Tiranës dhe të mund rekurtohej?!!!
Raportuesi konkludonte në raport: Shuma prej 500 mijë apo 1 milion nuk disponohet nga Vatra, kështu që mendohet se amerikanët do t’ia jepnin Vatrës atë shumë.
“Luani” ne tel nr 222 data 28 gusht 1959 raportonte se sipas porosive që i kish dhënë”Kalaja”-“Ngjala” ishte takuar me Fan Nolin dhe kishte përcjellë të dhëna të rëndësishme: Si”Lirija” ashtu edhe “Ngjala” ishin të pakënaqur nga qëndrimi i Fan Nolit ndaj Vatrës. Ngjala ka raportuar se Fan Noli i paskish thënë se po të bëheshin zgjedhje të rregullta në Hungari, Shqipëri dhe Rumani, regjimet që ishn në fuqi nuk do të mund të qëndronin më, do të binin nga fuqia.”Luani” informonte se”Ngjala” nuk kishte dashur t’ua tregonte këto gjëra shokëve të Misionit, por i tregoi tash nga dëshpërimi dhe zhgënjimi prej kryepeshkopit, dhe këshilloi që të mos lëvdohej më Fan Noli prej Tiranës dhe Misionit.
Nga ana tjetër Noli paska kërkuar përmes “Ngjalës” që të mos goditej më gazeta Dielli.”Luani” shtonte se Qerim Panariti kishte botuar në Diellin e 14 gushtit 1959 pjesë nga një artikull të marrë nga “Shqipëria e Re”, por kishte hequr paragrafet ku goditej ai vetë. Këtë , editori i Diellit, e ka bërë për të ngritë presitigjin e Vatrës, por degët e Vatrës në Pitsburg dhe Nju Jork vazhdonin të kërkonin shkarkimin e Qerim Panaritit si editor i Diellit dhe sekretar i Vatrës. Në emër të tij kishin kërkuar që të emërohej”Fletori”, që konsiderohej element “patriot”, por ky vepronte i drojtuar nga që i ruhej sipas raportuesit F.B.I-së.
Andoni Athanas, raportonte”Luani” ishte ngarkuar për të drejtuar komisionin e 50 vjetorit të Diellit, kishte thënë se do të padiste gazetën”Lirija” si antiamerikane dhe komuniste. Ky, raportonte informatori është një person shumë reaksionar!
Interesant është fakti që krahas”Ngjalës” shfaqet në vitet ’58-59 edhe pseudonimi “Fletori”, që cilësohet pozitiv sipas Misionit dhe Tiranës, dhe se mbahej shpresë që ai të zëvendësonte Panaritin, I cili në këto vite e kishte humbë besimin e Tiranës.
Raporti: “Fletori” nuk ka mbajtë qëndrim të keq personalisht, por atij i mungojnë zotësitë dhe nuk është lejuar të kufizojë Qerim Panaritin në “Dielli”, pasi Panariti gëzon mbështetjen e kryesisë së Vatrës.
Nga ana tjetër “Fletori” shihej si shumë i urtë se ç’duhej për të qenë agresiv ndaj Panaritit.

SHQETESIM I TIRANES: ANETARESIMI I EMIGRACIONIT POLITIK NE VATER!

Konkluzioni i “Luanit”: Jemi të mendimit që këshillat e “Ngjalës” dhe shumë të tjerëve lidhur me qëndrimin tonë karshi Fan Nolit të merren në studim. Siç kemi raportuar, F.B.I kërkon që të rritet kredibiliteti i Vatrës në Shqipëri.
Si Tirana edhe Nju Jorku ishin të shqetësuar se në Komisionin e festimeve të 50 vjetorit të gazetës “Dielli”(1909-1959) , po planifikoheshin që të futeshin edhe elementët reaksionarë, pra të arratisurit. Burimi informonte se në një mbledhje që ishte bërë në Boston, Dervish Rexhepi, që kishte bërë lutjen fetare, kishte folë për historikun e Vatrës, por nuk e kishte përmendë fare pushtetin popullor të Tiranës. Ky qëndrim duhej kritikuar me anë të patriotëve.
Burimi informonte se Musa Hajro, që kishte bërë vizitë në Shqipëri, pas kthimit kishte shkruar artikuj shumë të mirë për Shqipërinë dhe Qeverinë, por menjëherë pas botimit të tyre Qerim Panariti kishte shkruar kritika të forta kundër Musa Hajros, duke replikuar me Hajron: Nuk është ai që shkruan ti realiteti i Tiranës.
Shqetësimi i Tiranës ishte bërë editori i Diellit Qerim Pnariti, i cili prej 1957-ës ishte bërë i padëshirueshëm nga Misioni dhe nga vetë Tirana Zyrtare. Kundër tij nisën sulmet nga Radio Tirana. Gjithësesi editori i Diellit ishte mes dy zjarresh, që kërkonin ta digjnin- ata që “ngjala” dhe Misioni I cilësojnë “reaksionarë” kishin kërkuar që ta largonin Qerim Panaritin si editor dhe sekretar i Vatrës. Madje ata ia kishin dalë që t’i mbushnin mendjen Qerimit që të jepte dorëheqjen, me qëllim që të sillnin në vend të tij një elemnt nga krahu i tyre. Si partizanë të këtij krahu raportoheshin: Kristo Thanas,(Kryetrai i Vatrës), Thanas Proko, Peter Prifti(të ardhurit e fundit në Vatër), Ramadan Arreza, Nuri Mborja, Adem Vishochica, Miko Kokolari. Sipas raportusit-spiun, ky krah kishte mbështetjen e organeve amerikane. Por nga ana tjetër edhe elementi “përparimtar”, “patriot”, ku radhiteshin: Musa Hajro, Ulisi Kavo,Jashar Vranishti etj., sipas “ngjalës” dhe “Liqenit”, kishin kërkuar heqjen e Panaritit si editor i Diellit dhe Sekretar i Vatrës.
Në raportet që i niseshin Tiranës, analizoheshin shkrime të gazetës Dielli dhe vizitat e kryetarit të Vatrës Kristo Thanas nëpër koloni, që synonte t’i mbushte mendjen vatranëve të thjeshtë se duhej të ndodhte ndryshimi në Vatër, me qëllim që ajo të shpëtonte nga falimentimi, duheshin pranuar të arratisurit politik. Raportusi ndalej gjatë në një shkrim të Peter Priftit me titull” Shqiptarizma në Amerikë… Ku qëndrojmë?), botuar me 30 korrik 1958.Sipas raportit Prifti shpreh mendimin shumë reaksionar se nuk mund të quhet patriot një i emigruar për arsye ekonomike.Ai i quan shqiptarët e Amerikës të larguar për arsye ekonomike dhe jo idealistike, pasi erdhën në Amerikë për të përmiërsuar rrojtjen dhe jo për të ruajtur kulturën shqiptare, madje sundimi i Turqisë kishte dobsuar shumë dhe kishte zhdukur ndjenjën kombëtare midis shqiptarëve. Raportusi ndalej edhe në krahasimin që bënte Peter Prifti në artikullin e tij mes arbëreshëve në Kalabri dhe shqiptarëve të Amerikës, duke arritë në përfundimin se patriotë ishin arbëreshët, dhe jo shqiptarët e Amerikës. Në këtë mënyrë, sipas raportit, qëllimi i artikullit të Priftit ishte që t’u jepte vlera të arratisurëve politikë, dhe t’u hapte atyre derën për të hyrë në Vatër.
EDITORI I DIELLIT NE LUPEN E SIGURIMIT

Raporti që i niset Tiranës është ndalë gjatë në Kuvendin e 31 gushtit 1958, duke analizuar, raportin mes’patriotëve’ dhe “të arratisurve politikë”, ku këta të dytët duket se janë triumfues. Ka qenë Ramadan Arrëza ai, që sipas raportuesit- ka propozuar futjen e të arratisurëve në Vatër. Nuri Mborja ka propozuar Peter Priftin për të editor të Diellit, ç’ka shihet me dyshim nga raportuesit pasi Peter Prifti sipas tij nuk ishte marrë më përpara me Vatrën, as me koloninë shqiptare. Kryetar i Vatrës ishte zgjedhë Kristo Thanas, ndërsa nënkryetar Thanas Proko. Anëtar të Komisionit: Miko Kokalari, Erakli Letcho, Angel Sotir, Adem Vishochica, Nikolla Arthur.
Anëtar të Këshillit: Ramadan Arrëza, Sadik Pepellashi,Tom Christo,Sotir Mborja, Fazlli Jaup Pojani. Editor dhe sekretar i Vatrës u zgjodh Peter Prifti.
Në raport i jepet hapsirë profilit dhe biografisë të editorit, i cili vihet në Lupën e Sigurimit: Peter Prifti, shkruhej në raport, ishte nga Rehova e Kolonjës. Kishte shkuar në Amerikë prej kohësh. Kishte studiuar për Filozofi dhe Art në Filadelfia. Në Shqipëri, raportohej se kishte nënën, babën dhe një vëlla ne redaksinë e revistës “Hosteni”, element me qëndrim të keq politik. Gjatë luftës, familja ka mbajët qëndrim indiferent, por ka pasë dhe raste kur ka ndihmuar luftën. I ati i Peter Priftit ishte riatdhesuar në vitin 1957. Në Amerikë, Peter Prifti kishte një vëlla, i cili pat mbaruar studimet në shkollën Navale, dhe shërbente për një kompani për trasportin detar. Peter Prifti kishte kushëri shokun Koço Prifti, Minsitër i R.P. SH në Itali. Peter, aso kohe ishte 34 vjeç, me kulturë, njeri i zgjuar, sipas raportusit: agjent i mundshëm i amerikanëve. Kur ka qenë në Filadelfia ishte spiker i Radios së Filadelfisë për gjuhën shqipe.
Kur emërua editor i Diellit ai ka deklaruar se nuk do të lejojë që gazeta DIELLI të merrej me politikë. Në raport shkruhej: Është anëtar i Organizatës reaksionare A.A.N.O.
Në një letër që i kishte dërguar të vëllait shprehej:” Ti Naum mos u shqetëso që unë mora drejtimin e Diellit.Unë e di që në Shqipëri nuk e duan këtë gazetë sepse ajo shanë Qeverinë e atjeshme, por unë, me të marrë drejtimin në të, do të bëj që ajo të mos merret më politikë, pasi politika në të vërtetë është në kundërshtim me Kanunoren e kësaj Organizate…”
Mirëpo raportusi konstaton se mënjëherë pas Kuvendit, filluan të vihen në jetë masa të atilla , të cilat shpejt do ta bëjnë Vatrën vegël të emigracionit reaksionar.

MISIONI: AS ME PETER PRIFTIN, AS ME QERIM PANARITIN, NXITNI KONFLIKTIN MES TYRE!

Raportusi nga Misioni ne Nju Jork konstatonte: Qerim Panariti, edhe pse kishte thënë se do të largohej nga drejtimi i Diellit, tash nuk po do të largohet dhe po përpiqet të diskretitojë editorin e ri. Ai së bashku me Miko Kokalarin dhe përkrahës të tjerë po përhapin fjalë se “atë(Qerimin) po e përzënë të krishterët sepse ëshët muhamedan etj..”
Kështu që gjendja në Vatër është plot mosmarrëveshje, dhe aty mbizotëron elementi reaksionar, konstatonte raporti që i nisej Tiranës dhe që do të zinte vend në Dosjen”Vatra” dhe shtontë: Emigracioni reaksionar vazhdon të përkrahë frymën e re në Vatër. Nexhat Peshkëpia në një bisedë është shprehur në favor të Peter Priftit. Gazeta e muajit nëntor 1958 ”The Albanian American”, që është një vegël e grupit independent, në një artikull të gjatë me titull ”VATRA NË UDHËKRYQ”, përkrah hapur editorin e ri dhe ndryshimet që ai do të bëj në Vatër.
Ja një fragment nga artikulli:
”Midis grumbullit të emigrantëve që patën fatin e mirë që të vijnë në këtë vend të bukur, ka njerës të kulturës, dhe bile të përgatitur mirë; mjekë, farmacistë, kimistë, inxhinierë, profesorë, dhe gazetarë. Këta të rinj kanë marrë shtetësinë amerikane, prandaj, do të ishte mirë një Vatër që të interesohet e të bazohet kryesisht jo për Shqipërinë, politikën dhe brezin e vjetër, por në brezin e ri.”
Këto fjalë janë vënë në thonjëza sepse janë fjalë të Peter Priftit.
Konkluzioni i raportuesit: Ka afro 10 vjet që kjo gazetë dhe disa drejtues të Vatrës mbajnë një qëndrim reaksionar kundrejt R.P.SH, megjithatë ka dhe lementë patriot në këtë organizatë.
Duket se Misioni është penduar që në fillim ka udhëzuar përkrahjen e Peter Priftit. Më pas, pas analizave që ju bë gjendjes së krijuar në Vatër dhe ecurisë së Diellit, “Shokët e Rezidenturës” u udhëzuan që të mos e përkrahin Peter Priftin, madje as Qerim Panaritin, por ta bazojnë punën në orientimin e ashpërsimit të kontraditave mes të dyve, dhe nxitjen e konfliktit, dhe elementi patriot brenda Vatrës, të luftojë për të nxjerrë një tjetër kandidaturë që të merrte drejtimin e Diellit.
Konkluzioni: Faji ishet edhe i Fan Nolit, i clili po të donte mund dhe duhej të ndërhynte, dhe falë autoritett të tij, e ndreqte gjendjen!Ky ishte dhe mendimi i “Ngjalës”.
Raporti merrte miratim dhe firmosej nga Toger Naxhi Capo.
Ndërsa në raportin që nis informimin për zhvillimet në Vatër për vitin 1960, të dhënat janë siguruar nga agjenti me pseudonimin ”Liqeni”: Gjendja në Vatër nuk vlerësohet e mirë. Dominojnë reaksionarët. Rolin kryesor e luan Qerim Panariti, i cili nga njëra anë duhet të ketë mbështetjen e organeve të spiunazhit të vendit të vendit(Amerikës) dhe nga ana tjetër ka siguruar përkrahjen e një numri personash reaksionarë që janë në kryesinë qendrore të Vatrës ose në krye të degëve, kryesisht asaj të Detroitit, e cila është në zotërimin e plotë të reaksionarëve!… Në këtë degë shumica nga emigracioni janë bërë anëtarë të Vatrës dhe pajtimtarë të Diellit, veçanërisht ata të Ballit Agrar. Shumë nga krerët e reaksionit janë bërë anëtarë në qendër. Psh Vasil Germenji, Xhevdet Blloshmi, “Tablloja” e të tjerë po nxisin hyrjen në Vatër të arratisurve….Në bazë të të dhënave të Villiamit, edhe Fan Noli nuk është kundër hyrjes të arratisurve në Vatër, por ai paskish thënë se ata duhet të përulen, të pranojnë se kanë gabuar e janë mundur. Në Nju Jork më aktiv drejt Vatrës janë ata të Komitetit Shqipëria e Lirë. Sipas raportit më të fundit të “Linkolnit” ata të Ballit të Hasan Dostit paskan edhe udhëzim nga amerikanët për t’u bërë pjesë të Vatrës.
Misioni konstatonte: E vetmja degë që ka mbajtë qëndrim të mirë është ajo Pitsburgut e përbërë nga gjirokastritë, punëtorë fabrikiash, me në krye Hulusi Kavon, që nuk kanë pranuar emigracionin e arratisur në radhët e Vatrës.
Dega e Nju Jorkut, pas shumë përpjekjesh nga ana e Misionit, duke shfrytëzuar “Liqenin” ,”Ngjalën” dhe patriot si: Sh. Bença, Musa Hajro, viheshin re përpjekje për ta bllokuar hyrjen e emigranëtve të arratisur. Në krye të degës së Nju Jork-ut, raportusi shkruante: janë zgjedhë persona që mbajnë qëndrim përkrahës ndaj Tiranës zyrtare, por me kaq nuk janë kapërcyer pengesat. Në këtë degë ka shumë përkrahës të Panaritit-ndër më aktivët është”Charles”, i cili duhet të jetë agjent i FBI-së dhe agjent personal i Qerim Pnaritit.
Misioni ka raportuar:” Në bazë të udhëzimeve tona, me anë të “Liqenit” u kërkua që të thirrej në raport nga kjo degë, Kryetari i Vatrës , Kristo Thanas, me 14 shkurt 1960. Qëllimi:”Ti bëhet presion kryetarit të Vatrës dhe Kryesisë së saj në qendër kundër veprimtarisë së Qerim Panaritit.Si pretekst u përdorën artikujt përbuzës që kishte shkruar Panariti kundër Musa Hajros. Me këtë rast, raporton Misionari, u takuam dhe ne me Kryetarin e Vatrës K.Thanas.’Charlesi” nuk ka pasë guxim të flasë hapur kundër nesh, është ky një raport që i nisej Tiranës.
Duket se mbledhja e 14 shkurtit , ku ishte thirrë kryetari i Qendrës, K Thanas, nuk i ka realizuar pretendimet e Misionit pasi në mbledhjen e Vatrës ka marrë pjesë edhe Vasil Gërmenji dhe “Tabloja” e të tjerë. Pat persona në atë mbledhje si Vaihid Chika, që mbrojtën hapur qëndrimin e Qerim Panaritit.
Pas kësaj mbledhje, Misioni ka thirrë për drekë Musa Hajron, Shefqet Bençën dhe”Vullnetin” dhe biseduan se si t’i frenojnë të arratisurit që të hyjnë në Vatër. “U bëmë presion atyre, duke i prekur në anën morale, duke i prekur në sedër: Si mund të rrijnë emrat tuaj krahas emrave të arratisurve? Ata u vunë në sedër dhe thanë se do të dërgojnë në Boston “Vullnetin” dhe Qemal Veselin, që të bisedojnë çështjen e pranimit ilegal të arratisurëve në Federatën Vatra.”Vullneti” do t’i bëj presion të drejtëpërdrejtë Qerim Panaritit, me të cilin ka dhe një farë miqësie.Atij do t’i thonë se hyrja e ballistëve në Vatër përbën rerzik dhe për atë vetë. Këto propozime u bënë kryesisht prej Sh. Bençës.Pas këtij takimi iu dhanë detyra ”Liqenit” dhe “Ngjalës”, që të ndjekin zbatimin e zotimeve.
Raporti firmosej nga “Luani”…Raporti në tel 100, 7 prill 1960,”Luani” njoftonte”Kështjellën”: Goditja që i kishte bërë Qerim Panaritit Radio Tirana së bashku me të arratisurit politik, i kishte dhënë armë Qerimit të godiste Tiranën zyratre. Mendimi është që të mos merremi fare me shkrimet e Diellit, por të godasim fort të arratisurit. Dielli i 7 prillit 1960, botoi dy artikuj që godisnin Ballin.
Informacioni firmosej nga S. Çomo dhe mbante datën 13 prill 1960.
Emri i agjentit me pseudonimin”Ngjala” del sërish në raportin telefonik nr 171, 27 qershor, 1960, ku raportohet se shokët e Misionit kishin marër takime me patriotët brenda Vatrës dhe po u bënin atyre presion kundër të arratisurve që donin të merrnin Vatrën. Për këtë qëllim ishte marrë takim me “Liqenin” dhe katër vatranë të tjerë dhe ishte biseduar hapur me ata duke u spjeguar situatën.Ata dërguan”Ngjalën” tek Noli, për ta paralajmruar atë se po kompromentohet keqazi duke përkrahur të arratisurit, prandaj ti bëhet presion dhe të këshillohet që të marrë masa.
Propozimi: Mendojmë që të të bëhet presion i hapur Vatrës: a-Me anë të emisioneve në radio
b-Më anë të letrave.
Kjo të jetë intensive deri në gusht kur është Kuvendi i Vatrës. Të shfrytëzohen ata që vijnë në Shqipëri për t’u bërë presion. Të goditen hapur ”Charles” dhe Fehmi Kokalari…
Psudonimet “Ngjala” dhe “Liqeni” dalin edhe në një raport të pas një muaji, që mbanë firmën e Kapiten S. Comos dhe ka miartimin e Gjeneral Zoit.
Po kush ishte “Liqeni”? Po “Ngjala” që dërgohej herë pas here nga Nju Jorku në Boston për t’i bërë presion Peshkopit”? (Vijon)

Please follow and like us: