Albspirit

Media/News/Publishing

Taulant Muka, letër publike për kryeministrin Rama

Image result for taulant muka dhe edi rama

Zoti Kryeministër,

si epidemiolog, pasi pashë konferencën tuaj të fundit, dëshiroj të kuptoni që beteja që kemi përpara nuk është me ju, nuk është as për të ardhmen tuaj politike, por për menaxhimin sa më të mirë klinik të qindra e mijra rasteve që mund të kërkojnë trajtim klinik për shkak të koronavirusit gjatë gjithë peirudhës që do e kemi rreth nesh. Uroj kurrë të mos ndodhë skenari më pesimist, por ne duhet të përgatitemi për cdo skenar të mundshëm. Ju kujtoj Shqipëria ka mbi 365,000 persona mbi moshën 65 vjeç, të cilët janë dhe grupmosha që mund të pësojë më shumë komplikacione në rast infektimi. Ndër ta mund të jenë prindërit dhe gjyshërit e shumë prej nesh. Menduam se temperaturat e larta do të na ndihmojnë, por fatkeqësisht trendi i përhapjes së epidemisë sot në vendet e ngrohta tregon se jo.

Unë nuk e di kur do të dali vaksina, mund të kërkojë një vit dhe kur të dali kërkesa do jetë shumë e lartë pasi gjithë bota do e kërkojë dhe ndoshta e shtrenjtë dhe Shqipëria nuk do jetë në gjendje ta përballojë. Në të tillë situatë, kur ne kemi vetëm 500-900 shtretër në dispozicion për trajtimin e rasteve klinike me COVID-19, sfida do jetë e jashtëzakonshme dhe do vijë me pasoja në jetë sikurse shihet në Itali, por edhe në ekonomi dhe me impakt të gjerë social. Karantina nuk do mund të vazhdojë për 6 apo 12 muaj, kjo është e pamundur dhe do vinte me kosto të pallogaritshme në jetë të tjera dhe ekonomi. Edhe karantina aktuale e cila është një hap shumë i mirë, do duhej të shërbente si kohë frymëmarrjeje për të ndaluar përkohësisht epideminë, vlerësuar problemin, ndërtuar strategjinë dhe kapacitetet që do na duheshin për të përballuar situatën pas karantinës. Ne nuk jemi Kina, pasi Kina ka 16 vite që përgatitet për këtë që po ndodh sot.

Unë e kuptoj që jemi në një situatë me shumë parametra të panjohura, por unë sot si qytetar dhe epidemiolog dua që ju dhe politika të lini mënjanë ndasitë dhe shfaqjen mediatik dhe të zgjidhni ekspertët më të mirë të fushes dhe jo militantët, për të garantuar masat më të mira të mundshme dhe për të siguruar jetën e qytetarëve! Beteja nuk është e jotja, por e të gjithëve dhe sëbashku mund t’ia dalim ta kalojmë këtë sfidë!

Please follow and like us: