Rifat Ismaili: Midis poezisë dhe vjershërimit
Shumë njerëz shprehin shqetësime të ndryshme në lidhje me artin poetik, të qenët apo jo poet dhe përdorimin e gjuhës dhe poezisë vend e pavend, duke e kthyer poezinë në diçka të rëndomtë, që nuk të josh më si më parë dhe në zhvlerësimin e ngadaltë të saj. Për këtë ia hedhin fajin poetëve, që shkruajnë e shkruajnë, pa pa pasur parasysh etikën midis lexuesit dhe krijuesit. Një problem delikat, që duhet prekur dhe trajtuar, por me tolerancë dhe mirëkuptim. Jetojmë në një shoqëri të sëmurë dhe jotolerante, prandaj toleranca e një krijuesi të vërtetë duhet të jetë në një nivel të lartë, ndryshe do përfshihej dhe grupohej si të tjerët?
Shtrohen pyetje si: A duhet të shkruaj gjithkush? Sipas mendimit tim, gjithkush ka të drejtën dhe është i lirë të shkruajë. Por është i lirë të shkruajë çdo gjë dhe për çdo gjë? Këtu duhet ndalur pak. Duhet një sens vetkontrolli për t’u paraqitur përpara të tjerëve dhe kjo duhet të jetë në respekt të mirësjelljes njerëzore dhe brenda kufijve të humanizmit.
Pyetja tjetër është: A janë të gjithë poetë? Përgjigja është jo. Sepse për të qenë poet, duhet shumë talent, punë këmbëngulëse, përvojë, dhe shumë elemente dhe veçori të tjera. Por sigurisht, nuk duhet kurresesi t’i presim hovin dikujt, atij apo asaj, që hyn paksa dobët dhe ndrojtshëm në artin e të shkruarit, por ndjehen shkëndijat e talentit dhe me kalimin e kohës duke përfituar përvojë, mund edhe të përmirësohet.
Pyetja tjetër është: A duhet medoemos që dikush, i talentuar apo i patalentuar, të postojë dhjetëra poezi në ditë, në statusin e tij dhe duke bërë shpërndarje nëpër portale të ndryshme, i bie ta ndeshësh të njëjtin poet dhe poezitë e tij gjatë gjithë kohës? Këtu mendoj se është e gabuar dhe ose është një gjest naiv nga ana autorit ose është mania për t’u dukur, për të pushtuar çdo qiell të vëmendjes së të tjerëve, gati me dhunë dhe arrogancë.
Në rastin e një euforie dhe naiviteti, ky poet ka mundësi të reflektojë dhe përmirësohet. Në rastin e dytë, në atë të manisë së narcizmit dhe madhështisë, është e dëmshme për veten dhe për të tjerët. Sepse siç thotë dhe populli, kripa në gjellë duhet, por me karar. Në këtë lloj mënyre ata nuk e kuptojnë se lexuesi shumë shpejt do të lodhet prej tyre, dhe do ta spostojë vëmendjen diku tjetër. Sepse edhe lexuesi është sqimatar.
Në këtë mori të pafundme autorësh e portalesh, ka mundësinë të përzgjedhë sipas shijeve të tij, dhe të anashkalojë atë që nuk i shkon për shtat. Të shkruarit, shumë e për lumë, vend e pavend, i kudondodhur, ka anën tjetër negative, se sado i talentuar të jesh, humb befasia. Është si me mikun që ë sheh rrallë dhe ke mall. Kur miku bëhet i përditshëm, i padëshiruar, humb dhe bukuria e miqësisë dhe ajo shvlerësohet dhe çmaterializohet.
Pra ky është përfundimi i të shkruarit dhe masës së të shkruarit.
Ne e dimë se në çdo kohë, në çdo gjeneracion, të gjithë nuk mund të bëhen poetë të mëdhenj. Çdokush duhet të jape kontribut, në mënyrë spontane dhe të sinqertë, në shtimin dhe pasurimin e vlerave poetike dhe letrare. Por me sens, maturi dhe në përputhje me ligjet e pashkruara që t’i dikton vetë arti i poezisë.