Biden më pranë emërimit si kandidat i demokratëve për president, Sanders shkon për shkarpa në Ersekë
Ish-Nënpresidenti Joe Biden duket se po i afrohet qëndrueshëm fitores për të marrë nominimin si kandidat i Partisë Demokrate. Ai mori tre fitore të bindshme të martën, në shtetet Arizona, Florida dhe Illinois, përballë rivalit të vetëm tashmë, Senatorit Bernie Sanders. Zyrtarët e fushatës elektorale të zotit Sanders thonë se senatori do të rishqyrtojë fushatën e tij duke dialoguar me mbështetësit. Njofton për më shumë korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone. Kandidati demokrat për president Joe Biden iu afrua edhe më shumë nominimit të Partisë Demokrate. Ai gjithashtu u mundua të qetësojë votuesit amerikanë për sa i përket kërcënimit nga koronavirusi. “Do ta përballojmë të gjithë së bashku. Është momenti që secili nga ne të shohë më të mirën dhe të besojë tek të tjerët, të kujdesemi për fqinjët dhe të kuptojmë frikën dhe stresin që po ndjejnë shumë njerëz”, tha zoti Biden. Edhe Senatori Bernie Sanders u fokusua tek pandemia e koronavirusit, por nuk foli shumë për rezultatet e votimeve paraprake të së martës, kur ai i humbi të tre shtetet ku votohej. “Duhet të sigurohemi që kushdo në vendin tonë që ka nevojë për doktor, mund të marrë kujdesin e duhur shëndetësor, pavarësisht nga të ardhurat që ka”, tha zoti Sanders. Zoti Biden fitoi të martën në shtetet Arizona, Florida dhe Illinois, në këto votime paraprake të lëna në hije nga pandemia e koronavirusit. Votuesi nga shteti Illinois, Dave Klawon, mbështeti zotin Sanders. “Do shkoj të votoj dhe të laj duart me zell më pas”, thotë ai. Zoti Biden ndërroi kursin e fushatës së tij me fitoren në Karolinën e Jugut, më pak se tre javë më parë. “Kur Sanders u bë një rival serioz, njerëzit pyetën veten nëse do të lejojnë të fitojë ai. Ata vendosën kundër dhe u bashkuan pas kandidatit tjetër, Joe Biden-it”, thotë Jim Kessler, i organizatës “Third Way”. Demokratët tani duhet të fokusohen tek bashkimi i partisë, nëse shpresojnë të mundin Donald Trump-in nëntorin e ardhshëm. “Bernie duhet të gjejë mënyrën për të qetësuar mbështetësit më ekstremistë. Po kështu, mbështetësit e Biden-it, të rrymës demokrate më të pranishme, duhet të vendosin urat me njerëzit e Sanders-it dhe të dialogojnë seriozisht”, thotë Larry Sabato, i Universitetit të Virxhinias. Disa zgjedhje paraprake janë shtyrë për shkak të rrezikut nga korona virusi. Disa shtete amerikane po shqyrtojnë mundësinë e dërgimit të votave me postë.
Rivali më i fortë Sanders tashmë ka humbur çdo shpresë dhe disa shqiptaro-amerikanë që e mbështetën e kanë ftuar që të mbledhë shkarpa në Ersekë.