Albspirit

Media/News/Publishing

Brahim AVDYLI: NËN PLAFIN E TRISHTË

 

 

 

(Panoramë e dytë e poezive nga dorëshkrimi im më ri)

 

STACIONI I POEZIVE TË MIA

 

1.

 

Ku të kthehem

prej të gjitha vargjeve

e të qetësoj

vetëm për pak

zemrën cfilitur,

 

atëhere mendoj

i shtruar prej dhembjes

ulur përballë

shpirtit tim.

 

2.

 

Jeta ime e ka çdo herë

nga një stacion të poezive,

 

me lot e pa lotë

rrjedhin dramat

në vargun e gjatë të ndjekjeve…

 

3.

 

Nuk e di

a është

apo nuk është

këngë me lotë,

 

të Bukurës së Artit

në një vegim

papushim i dridhem,

 

ngashërohem

ndaj të gjitha gjërave,

 

e nuk e marr

fare me mend

a jam i njëjti

përpara kohërave!…

 

4.

 

Në jetë

apo jashtë saj

nuk e ka ndonjë rastësi

a jam,

 

mjafton të jem

përballë të ndodhurave

 

e të them

pikërisht

raportin e gjërave!

 

5.

 

Sidoqoftë

jeta është dinamike-

 

rrotullohen përherë

copat e energjive

anash apo drejtë

e poshtë apo lartë,

 

në drejtimet e pamatura

të lëvizjeve!…

 

6.

 

Ka kohë

që po mendohemi

për këto gjëra,

 

kush e thotë

se nuk e kemi

ndeshjen me njëri-tjetrin,

 

me qëllim rrënues

apo pa ndonjë qëllim,

 

ne, jemi

stacion i madh

me sprovat e dhembjes!…

 

E SHKRETA VJESHTË E VARGJEVE

 

 

Në fillim të shtatorit i lash pesëdhjetë e nëntë vitet e rjepura

vjeshta përsëri fshikullon gjethet me gjollin e tyre të tharë

në qiellin e zemrës sime fillojnë rrepëtimat e tyre të lotëve

saherë e kanë mjegulluar shikimin nëpër bebëzat e vetmuara

ku të dal prej vetes nëpër unin e shtjerrur nga çastet e vrara…

pesëdhjetë e nëntë herë sillet vorbulli i vrapimeve pas një grimce fati

as të zë bulëzimin e këngës me lulet e para të pranverave të djegura

e ku të sillem e pështillem tani nëpër notat e pafund të elegjive

vetëm, fillikat vetëm më lanë çdo herë kukuvajkat e zeza të këngëve

pak kush nga fëmijët e zemrës sime të plasur pas tyre më vie

shikoj, por kot shikoj dhe plas me dënesat e vargjeve të çmendura

Patrioti, Goca e Pranvera nuk më dalin shpesh ëndërrave të përqafimit

ndonjëherë rrallë i shoh për të shtruar bashkë pelinin e viteve

shkapërdherdhur janë, të ndarë, të ndrydhur e të shukatur

nga zërat e vjeshtës…

Askund nuk mund të kthej prap kohën në drejtimin e duhur të shpirtësisë

edhe pse i mendoj me lot në faqe mugëllimet e tyre pranverore,

as Eldini nuk ka guxim të më jap një mat midis psherëtimave të mia

kush e di se cilat pëshpëritje të erës i ndalin mbi gjethet e thara të fjalëve

janë kthyer në furtunat e tmerrshme të viteve largë prej ndjenjës së gjallë

e ato më përcjellin kudo me trishtimin e errët të dorës magjike të stinës…

 

O Zot i Madh, a ka fuqi zemra ime e trishtë të sjellë gufime të gjakut

laps e letër i kam marrur me vete para se të pushojnë rrebëtimat e shpirtit

ku u linda apo rashë nga qielli i juaj, nga kozmosi, pa anë e yje, terrinë

ne të dytë, unë dhe kjo stinë, i sillemi botës anë e përtej me gjollet si hije

stina e shkretë e këngëve melankolike fillon përsëri të ndjehet

e shohim tek bie, aty e këtu, me gjethet vërdallë, nëpër rrjeshta të këngëve

mua nuk më përfillin ata që pëshpërisin fjalët e nënshkruara hapësirës

e i thonë si t`i kenë marrur në ndonjë çast papritmas nga kupa e tyre…

 

Kë të pyes, e shkreta apo e zemërplasura vjeshtë,

a jam unë apo ti autori i përkryer i dhimbshurisë së viteve

të pyes ty, e përgjegjen e pëshpëritë, por nuk e dëgjoj-

 

jam vjeshtë e trishtë e pikëllimeve të vargjeve!…

 

PJESA E HUMBUR

 

1.

 

Cila je ti

pjesa e humbur e tri stinëve

 

të pyes o vjeshtë

edhe pse mendoj

se je dhembja ime e fundit

para dimrit…

 

2.

 

Nuk mund të ndaloj

gjethet që bien

nën fshikullimin e stuhive,

 

a është dashuria për gjallërinë

bukuria me pranvera të luleve

vera që nën Diell

e rrit prore jetën,

 

stina vjeshtore e pjekurisë

cikli i veçantë

i mrekullisë së ftohtë

apo vdekja e bardhë nuk e di…

 

Asgjë nuk duket

nga e padukshmja,

 

është e parakohshme të thuhet

për drithërimin e patjetërsuar!…

 

3.

 

Le të bien gjethet

që nuk mund t’i ndaloj,

 

era fshikëllon

me zërin që nuk kuptohet

 

e pikëllimi

pikë mbi fletët e zverdhura

derisa po mendohem merzitshëm

me fjalët e pathëna,

 

krijuesi e krijon

në shembullin e Krijuesit të Galaktikës

Sferën e Jetës,

 

shpirti del nga trupi

e shkon në botën e përjetshme!…

 

4.

 

Bini ju gjethe

bashkë me lotët

 

prej bulëzimit e mbani në pip

ngjyrën e gjelbërt

deri te zvedhja

sikur vdekjen,

 

koha tek fundi po kalon

e humbja mbulohet

nën fshehtësinë e bardhë!…

 

5.

 

Nuk e di

se si mund ta kuptojmë

këtë cikël

në ekranin pasjetësor,

 

mund të supozojmë

se cila është

ha-mendja e jonë

 

e jeta dallon

si gjethet

nga dita në ditë

 

që bien

në koshin e madh

të dhembjeve!…

 

Image result for teki dervishi

KUFOMË E GJALLË

 

 

-Teki Dervishit

 

1.

 

Nga Pirgu i Vetmisë [1]

zbres poshtë deri te Suka

majën e Shkelzenit e kam futur në xhep

 

nuk e di kush më parakalon

as të vdekurit nuk i përcjell

 

jam Kufomë e Gjallë e Ndjenjave

që bredh i djegur flakë

duke të kërkuar ty,

Teki Dervishi!…

 

2.

 

Një shirit i dritës

që ti i thua shukë

më merr me vete që ta rilexoj

të vërtetën time

brigjeve të pikëlllimit,

 

e dhembja nuk më ndalet

me pirgun e lojtarit

për ta vjedhur fjalën

nëpër paudhësitë e mëkatshme

 

derisa fshehtësia

tërësisht

e gëlltiti të drejtën!…

 

3.

 

Herë kaloj me ty

në majë të Shkelzenit

e herë kalon ti me mua

deri te Maja e Botës,

 

atëherë

Suka mblidhet grumbull

deri te herezia e Dervish Mallutës [2]

të gjithë janë

por nuk ua di emrat,

 

përcëllohet drita

nëpër ngushticë zemre,

 

kur isha i ri

kam qenë

Ibër Dervish Hima,

 

e nuk e di se si më quajnë

derisa të shpallin urtësinë

hieroglifet e dhimbjes…

 

4.

 

Bregut të pikëllimit [3]

kush do të na i lexojë dhembjet

nëse nuk i zgjidhim magjitë,

 

lojtari ynë luan me kohën

është i veçantë si Narcisi

dhe bëhet Apollon i bukur,

 

koha ia vret papushim ëndërrat

pikëllimet, zhgënjimet e pësimet

lugut të vetmisë,

 

kështu

Shpirti i Shenjtë

ka mbetur Kufomë e Gjallë

 

e bërtet për paudhësitë

deri në Kupë të Qiellit!…

 

5.

 

Të kisha qenë përtej varrit

e përgjithmonë

në duart e të Mirit

 

isha mbuluar i qetë

me plafin e vjeshtës

 

e nuk do të digjesha

me flakën nën flatra

 

sa të gërdisja

Shkëlzen e Sukë

me tingujt e mendimit!…

 

 

13.10.2019

 

FJALËT E GURËZUARA

 

1.

 

Duke menduar

fjalët

më shfaqet

bota e tyre

në një bjeshkë mendimesh,

 

e shoh Diellin

që mbi to i then rrezet

sa për ta përtrirë veten…

 

2.

 

Në cepa të zanoreve

na preheshin fjalët

e nxirreshin

me dalta të bashkëtingëlloreve

aq sa e duron

Zemra e Gurëve,

 

pastaj ngriteshin në kala

në mes të shkretëtirës

ku askush nuk mendon

se ka mermer

që buzëqesh diellisht

me të pamundurën!

 

Të vërtetat i nxjerr

edhe prej pluhurit të rërës

për të mbrojtur të drejtën

pikë për pikë drite!

 

Aty ku nuk ka ujë

për të shuar etjen

buzëve të logarisë

pikë shpirti i bardhë

një krua të rrallë zemre…

 

3.

 

Kështu

është e gurëzuar fjala

që njëherë thuhet

e nuk zhbëhet

edhe pse disa herë paramendohet

si fjalë e pathënë,

 

vjen koha që të jenë

bjeshkë mendimesh,

 

e askush nuk matet me to!…

 

06.10.2019

 

PËRROI I DITËVE

 

 

1.

 

Përroi i ditëve

niset prej vendlindjes

 

herë i thatë

me gjurmët e kohës së bjerrur

 

e herë të tjera me rreptima

duke e shtyrë

dufin e egër të një çasti,

 

ndonjëherë fryhet

e del nga vetvetja-

 

viteve të brejtura nga e liga!

 

2.

 

Llabënica i ka

gjurmët e dredhave të saj

 

kur shfryhen retë

me vetëtimat e pandara

mbi Shkëlzen,

 

e rrjedh

me lotin e tharë të fëmijërisë

nëpër shkrepat e Pllanikut

deri në Thur të Zvicrës.

 

3.

 

Ato ia zbrazin

njëra-tjetrës

të idhtit e kohës mbi damarë

 

nëpër dredhitë e ditëve

të një moshe që lëviz

deri në të zverdhur,

 

e nuk i numëroj

sa të djeshme

kanë kaluar

me vetminë e këngëve të mia…

 

4.

 

Tani

jam fund të ditëve,

 

asnjë pulëbadhë

nuk endet rreth meje

 

apo ndoshta

atë e ndjek

dhembja ime pa te.

 

5.

 

Të braktisur më morën

të padukshmit me vete

 

e më lanë përherë të baktisur

si fëmijë i përbuzur

 

në moshën e pjekur

kurdoherë të rris

fëmijët e ndarë

 

e tërësinë të mos e përjetoj!

 

6.

 

Nuk e di

e kujt është

kjo ofshamë e përhershme

që pa zë

ndjehet e thellë,

 

ndoshta ajo

është qenia që bërtet,

 

sikur të jetë

e mbyllur

në harresën e qëllimtë!

7.

 

Ky është

edhe Skifteri

 

ndër vite më përcjell

me vajin e pa shpresë,

 

rreth tij

qenkan mbledhur

rrotull gjarpërinjtë

 

tek bërtet

fillikat

në mes të shkepave,

 

e fëmijët i ka lënë

papriturazi

të ndarë pa prind

 

pasi dhuna e dikton

ulur

në maje të kepit!…

 

8.

 

Të qaj unë

apo të këndoj

krejt thekshëm-

 

lot e gjak përzihen

në një klithje pa fund,

 

i gjej tek malet

dy fëmijët e strukur,

 

breshërima e vajit

thellë në shpirt

padyshim më rrjedh

 

derisa duken

të lagur qull

nga shiu i lotëve!…

 

9.

 

Më në fund

janë strukur ndër lojëra,

 

askush nuk i pranon

të luajnë së bashku

 

vetëm gjyshi

i bashkon psherëtimat

dhe plas i tëri

në një segment të kohës.

 

10.

 

Fëmijët

mbesin prore

në një pikëpyetje,

 

nuk e dinë

as çka do të thotë

të jesh i ndarë

nga zinxhiri i prejardhjes,

 

ku do të jesh

apo si do të jetë

identifikimi i biografisë!…

 

11.

 

Përroi i ditëve

kështu e ka ushtimën

 

përfundoka rrjedhën

në një lumë ndjenjash,

 

lumi del dikund

në det

e deti në një oqean,

 

çdo valë

e ngritur reshjesh

është vetëm një kukamë

e kthyer në këngë

 

e cila bërtet

e ndjehet

edhe përtej kohërave!…

 

 

[1] Nga autori i veprës është “Pirgu i lartë”, roman, të cilin poeti e ngrehë në “Pirgun e vetmisë” dhe e cila identifikohet me “poetin e të së vërtetës”, pra edhe me vetveten.

[2] Romani tjetër i Teki Dervshit, “Herezia e Dervish Mallutës”, është i botuar në Rilindja, Prishtinë 1981.

[3] Drama e Teki Dervishit quhet “Bregu i pikëllimit”, Rilindja, Prishtinë 1985.

Please follow and like us: