Albspirit

Media/News/Publishing

DIALOG ME STEPHEN HAWKING OSE ËNDËRR E NJË MESDITE PRANVERE

Image result for astrit gjunkshi

Dr. Astrit Gjunkshi

 

I mbyllur në shtëpi prej një jave nga rreziku i infektimit prej virusit të rrezikshëm, pasi kisha formuluar  disa reflektime në formën e fjalëve të urta në lap top, bëra një pushim. Ishte mesditë. Po meditoja për katastrofën që po kërcënon mbarë njerëzimin dhe për reflektimin që duhet të kemi tani dhe pasi ai të jetë larguar. Mendja ime fluturonte dhe, paprimtas, m’u shfaq fizikani i shquar britanik, ndoshta më i madhi shkencëtar i këtij shekulli, Stephen Hawking. Mbase po dremisja dhe ai sikur po më përsëriste, atë që e kishte thënë dikur: “Largohuni sa më shpejt nga planeti Tokë! Njerëzimi është i kërcënuar gjithnjë e më tepër këtu!”

Unë: Sër, çfarë nder i madh të bisedoj me ju, Sër! Më lejo të të them se paralajmërimin tënd e kanë dëgjuar të gjithë, por ju e dini se duhet punuar fort për këtë. Ndërsa, shumica, nuk e kanë mendjen aty, por gjetkë…

Hawking: Më thuaj, çfarë bëhet në këto pak vite që unë nuk jam në mesin tuaj?

Unë: Çfarë t’ju them? Përmbytjet dhe ciklonet po shtohen çdo vit, tërmetet po ashtu, temperatura është në rritje dhe po shkrin akujt, po rritet niveli i oqeaneve e deteve- kërcënim për përmbytjen e shumë qyteteve bregdetare prej miliona banorësh, që duhet të zhvendosen pas pak dekadash;  thatësira dhe zjarret në rritje po shkatërrojnë bujqësinë dhe pyjet, duke vënë shumë pikëpyetje për mundësinë e ushqyerjes të mbi 7 miliard njerëzve; ndotja e ajrit është në rritje, shton çdo ditë sëmundjet e rënda, dhe ndotja e ujërave po pakëson rezervat ushqimore të peshkut nëpër dete.

Hawking: Po mirë, akoma nuk po reflektojnë siç duhet njerëzit, qeveritë dhe liderët botërorë?

Unë: Ka reflektim, por ai është sporadik, madje edhe kontradiktor. P.sh. ndonjë lider e quan fallso ngrohjen globale. Reflektimi për të ndikuar në uljen e efekteve të katastrofave është detyrë e çdo individi dhe, në rradhë të parë, detyrë e qeverive dhe e institucioneve ndërkombëtare. Reflektimi duhet të fillojë me ndërgjegjësimin e njerëzve që të ndryshojnë mënyrën e tyre të jetesës, por është ende I dobët. Ndërsa institucionet ndërkombëtare dhe qeveritë e vendeve të zhvilluara zhvillojnë konferenca pafund, ndërmarrin edhe disa projekte parandaluese për krizat, por me pak rezultat për të ndryshuar gjendjen, për të bërë atë ndryshim që sjell më shumë siguri.

Hawking: Po mirë, ku i shpien qeveritë trilionat e tjera që krijon çdo vit ekonomia botërore?

Unë: Në antitezë të plotë me nevojën për shpenzime më të mëdha për përballimin e katastrofave natyrore, pjesa e luanit e shpenzimeve shkon për armatosjen, për sofistikimin e llojeve të armëve dhe për rritjen e stoqeve të tyre. Shtetet punojnë çdo ditë për dominim tregjesh, për të shtënë në dorë sa më shumë burime lëndësh të para dhe për të rritur kapitalet. Shoqëritë shumëkombëshe janë të pangopura në rritjen e pasurisë së tyre, duke qenë të paskrupullta ndaj varfërimit të shtresave të tëra të popullit! Vijojnë konfliktet rajonale për të ndarë kufinj dhe burime lokale të pasurive natyrore, të cilat shkaktojnë viktima të pafajshme dhe valë emigracioni, edhe tani në shekulllin e 21-të!

Hawking: Sa keq! Çfarë miopie përballë nevojës urgjente që ka zhvillimi i kërkimeve shkencore! Po mirë, a nuk funksionon demokracia që të detyrohen qeveritë për të investuar atje ku duhet, për të shpëtuar njerëzimin?

Unë: Si për ironi, brenda çdo shteti, shoqëritë janë të ndara në dysh, në vend që të bashkohen në situata të tilla. Janë të ndara dhe sikur luajnë kukafshehti me termin e demokracisë! Njëra palë që e “ndriti” qeverisjen deri dje, betohet se do të qeverisë krejt ndyshe nga qeverisja e sotme e palës tjetër! Njëlloj janë! Fjalë, vetëm fjalë për demokracinë dhe duart e pastra, ndërsa i kanë njëlloj të ndyra dhe kanë varfëruar e varfërojnë popullin, në bashkëpunim me veglat e tyre të trafiqeve, koncensioneve dhe krimit!

Nuk shkojnë më mirë punët në marëdhëniet ndërkombëtare. Europa luan lojën “tërhiq e mos e këput” me mekanizmin e zgjerimit të Bashkimit Europian. Shtetet e Bashkuara janë një pus i thellë në skenarët e tyre për të udhëhequr një botë të komplikuar, e cila është vështirë që të udhëhiqet tashmë nga një fuqi e vetme. Kina rrit fuqinë e saj, por nuk mund të bëjë e vetme atë që nuk e ka bërë Amerika deri tani! Ndërsa Rusia bën të fortin, ndërkohë që jetesa e popullit është në stanjacion. Ndërkaq, globi dhe njerëzimi vijojnë rrokullisjen drejt humnerës!

Hawking: Kështu ka qenë edhe derisa ika unë nga bota juaj, pak vite më parë. Po ndonjë kërcënim i ri?

Unë: Sikur të mos mjaftonin këto kërcënime, na u shfaq koronavirusi, një virus i vogël, si për t’u tallur me verbërinë që tregon njerëzimi me institucionet e tij, me qeveritë e vendeve të mëdha e të vogla, për t’u marrë seriozisht me sfidat. E kemi ende midis nesh dhe nuk dihet se ku dhe kur do të ndalet. Ai ka arritur të krijojë alarm, të paralizojë jetën, të mbyllë njerëzit nëpër shtëpi, të ndërpresë aktivitetin ekonomik, transportin, lëvizjen e lirë dhe të gjithë aktivitetin social, për të lënë hapur vetëm disa aktivitete jetike të emergjencës. Familjet janë të veçuara, sikur jeton secila në ishullin e vet. Janë katastrofikë disa nga skenarët e ecurisë së mëtejshme të kësaj pandemie. Disa qeveri po investojnë miliarda dollarë në këtë situatë, dhe asgjë nuk garanton që do të shmanget më e keqja. Mund të kishin investuar më herët këto miliarda për të rritur imunitetin e njerëve duke rritur nivelin e jetesës, dhe duke shtuar invetimet për kërkimet shkencore në mjekësi.

Hawking: Po ti ç’mendim ke? Si do të vazhdojë kjo punë?

Unë: Le të supozojmë se do ta kalojmë edhe efektin e dëmtimit të këtij virusi. Dihet që ky nuk do të jetë i fundit, sepse ndryshimet klimaterike, rritja e kontakteve të njerëzve, eksperimentet e qëllimshme me gjenet, sjellin lindjen e viruseve gjithnjë e më të komplikuara. Prandaj, ashtu si në luftën kundër kafastrofave natyrore në rritje, njerëzimi duhet të përgatitet përditë për të parandaluar e luftuar edhe katastrofa të ngjashme virusale.  Situata që po përjetojmë nuk është normale, është në kufijtë e atyre filmave fantastiko-shkencore hollivudianë.

Hawking: Po njerëzit ç’bëjnë para këtyre katastrofave, rrijnë spektatorë?

Unë: Ky realitet që po përjetojmë ka bërë që mjaft njerëz të fillojnë të mendojnë që të mos mbetemi më spektatorë. Duke i ndjerë pasojat në lëkurën tonë, jemi bërë tashmë aktorë të skenarëve të tillë. Ndoshta sot e ndjejmë pak, por zhvillimet e nesërme mund të jenë shumë më të frikshme.  Sot, në kushtet e katastrofës virusale globale, mjaft njerëz që u punon logjika shohin se sa të dëmshme janë shumë veprime e praktika të paskrupullta të individëve, të klasave politike, të disa qeverive e institucioneve ndërkombëtare dhe të aktorëve të tjerë të fuqishëm. Shumë gjëra duhen bërë krejt ndryshe. Është koha që të shpërthejnë energji të ndrydhura që kanë fjetur apo janë shpërdoruar deri tani! Ju e dini se, pas krizave të mëdha, nevojat diktojnë shpërthimin e revolucioneve, përfshirë revolucionet në mënyrën e të menduarit dhe të të jetuarit, si dhe revolucionin në shkencë apo në politikë. Kështu ndodhi pothuajse një shekull më parë.

Hawking: Më pëlqen logjika jote për të bërë hop cilësor në shumë drejtime.  Pa më thuaj, çfarë revolucionesh ke në mendje konkretisht?

Unë: Mund të rendis revolucione që duhen bërë në disa drejtime. Por, të gjitha ato kanë në thelb nevojën për të sfiduar e rivlerësuar mjaft tabu, ndër të tjera për: rolin e parasë e të armëve, për rolin e sovranitetit dhe të kufijve, për rolin e politikës dhe të qeverisjes, dhe për rolin real të demokracisë. Të gjitha revolucionet që më shkojnë nëpër mend nuk do të realizoheshin dot pa një ndryshim të madh që secili të tejkalojë vetveten: duhet kryer një revolucion i madh dhe i guximshëm në mënyrën e të menduarit të njerëzve, në mënyrën e tyre të jetesës dhe të veprimit, në interesat, në marrëdhëniet e tyre me shoqërinë, në marrëdhëniet me politikën, me qeverisjen dhe me sigurinë, me demokracinë me dijet dhe me krijimtarinë etj, etj.

Hawking: A mund të më spjegosh më në detaje secilin nga këto revolucione të guximshme që ke menduar?

Unë: Me kënaqësi i nderuar. Po trajtoj shkurtimisht secilin prej tyre, pa vonesë.

SË PARI, nevojitet një revolucion i thellë në përdorimin e parasë. Ato duhen  investuar në fusha prioritare që rrisin mirëqenien e njerëzve, sigurinë e tyre dhe perspektivën për mbijetesën e njerëzimit.

Kjo katastrofë që po përjetojmë nga përhapja e virusit po dëshmon se fuqia e parasë është relative në kohë katastrofash globale të zgjatura. Deri tani, është bërë gjithçka për t’u pasuruar. Por, shohim se sa relative është të kesh shumë para, vetëm për vete. E ç’rëndësi ka nëse je miliarder kur virusi, apo çdo katastrofë tjetër, të godet thuajse njëlloj si atë që mezi nxjerr bukën e gojës? Cilit të korruptuari i hyjnë në punë pallatet, vilat apo pronat e pallogaritshme që ka hipotekuar gjithandej, ndërkohë që është i detyruar të jetojë i mbyllur në pak metra katrorë? Ç’rëndësi ka që zotëron biznese të mëdha, nëse katastrofa të zgjatura godasin fuqinë punëtore dhe konsumatorin? Pa sigurinë e tyre, nuk ka prodhim, nuk ka konsum dhe as të ardhura.

Mësimi që duhet të nxjerrim është se, në kohë normale, të ardhurat duhen krijuar në mënyrë të ligjshme dhe pa abuzime. Po ashtu shpërndarja e të ardhurave duhet rregulluar që të mos krijohen probleme sociale në shtresa të gjëra të popullsisë.

SË DYTI, duhen ulur në mënyrë drastike shpenzimet për armatimin, ndërsa duhen shumëfishuar shpenzimet në shërbim të sigurisë, të paqës dhe shkencës.

Raketa me mbushje bërthamore, avionë luftarakë, tanke, nëndetëse, anije lufte dhe armë të tjera të sofistikuara, përbëjnë arsenalin e shteteve më të fuqishme. Modelin e tyre marrin edhe shtetet e tjera, sipas fuqisë së tyre ekonomike. Për prodhimin e tyre shpenzohen triliona dollarë, çdo vit. Po kujt i duhen ato në përballimin e kastrofave si koronavirusi, apo në raste katastrofash të tjera? Në rrethanat e këtij kërcënimi, shtetet po bashkëpunojnë për ta përballuar së bashku atë. Në të ardhmen, shtetet do të ndodhen  gjithnjë e më shpesh në të njëjtin front përballë kërcënimeve të tilla. Atëhere, a nuk ka ardhur koha për të menduar se investimet për armatime duhen zëvendësuar me rritjen eksponenciale të shpenzimeve për kërkime shkencore dhe me investime masive për rritjen e sigurisë së njerëzimit nga gjithë katastrofat që i kanosen?

Hawking: Në parim jam dakord. Por nuk është lehtë t’u mbushësh mendjen shteteve që të heqin dorë nga interesat e tyre dhe nga synimet për të arritur ato përmes forcës së armëve. Si mendon të tejkalohet kjo?

Unë: Është plotësisht e vërtetë, madje është në kufijtë e së pamundurës që të realizohet kjo. Por, unë përmenda më sipër se është koha për të bërë një revolucion të thellë në ndryshimin e mentalitetit, për të hequr dorë nga rrugë e praktika që nuk të shpien gjëkundi, veçse në katastrofë. Një mentalitet i ri duhet t’i hapë rrugën një modeli të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ky do të ishte revolucioni I domosdoshëm për të realizuar atë që trajtovë më sipër për çarmatimin dhe paqën. Prandaj :

SË TRETI,  revolucioni rrënjësor në marrëdhëniet ndërkombëtare është domosdoshmëri.

Duhet të jetë një revolucion i tillë që të shpjerë në rënien e shpejtë të kufinjve dhe shuarjen e konflikteve lokale, bazuar në lëshime të mëdha të sovranitetit në interes të paqës dhe të bashkëpunimit pa kufinj. Duke jetuar prej shumë vitesh në globalizëm, rëndësia e kufinjve është relativizuar. Megjithatë nga pikëpamja formale, ata mbrohen dhe mbeten burim konfliktesh territoriale midis një numri jo të pakët shtetesh. Po në rast katastrofash? Cilit shtet do t’i hyjnë në punë që të marrë nga shteti fqinj disa kilometra katrorë më tepër, ndërkohë që nuk shfrytëzon dot për të shëtitur as rrugët e lagjeve ku banojnë shtetasit e tij? Ndërkaq, dëshira për të nacionalizuar burimet vetëm për vete, në dëm të të tjerëve, vetëm se i rrit tensionet dhe pamundësinë për të përballuar sfidat, pa bashkëpunuar me fqinjët. Në këto kushte, relativizohen edhe konfliktet për territore dhe burime. Problemet e mëdha të njerëzimit, kërcënimet aktuale dhe ato që duken në horizont nuk njohin kufinj, prandaj edhe përballimi i tyre kërkon bashkim të të gjitha burimeve në shkallë globale, koordinim të përsosur të përdorimit të tyre, të papenguar nga kufinjtë, nga interesat nacionale dhe nga defektet e koordinimit. Kjo kërkon nevojën e një revolucioni të katërt. Pra duhet:

SË KATËRTI: Të shkohet drejt një qeverisjeje botërore, që të unifikojë përpjekjet e qeverive kombëtare. Kjo qeveri globale të kompozohet me menaxherë dhe shkencëtarë të shquar në arenën ndërkombëtare.

Vërejmë se qeveritë e të gjithë vendeve vendeve kanë ndërmarrë masa drastike për mospërhapjen e virusit, ndërkohë që po kooperojnë pa njohur kufinj në kërkimet shkencore për të shpikur vaksinën kundër tij. Katastrofat e sotme nuk po njohin kufinj, ndaj ka ardhur koha që të koordinohen plotësisht përpjekjet e shteteve dhe qeverive nga një qendër e vetme. Është koha që sovraniteti i cënuar deri tani nga globalizmi, të tolerohet përfundimisht në favor të trajtimit më efikas të të gjitha sfidave të kohës dhe kufijntë të mbeten formalë. Liderët botërorë të sotëm do të mbeten në histori nëse e kthejnë në realitet një supozim të tillë, duke u lënë vendin shkencëtarëve dhe menaxherëve që kanë bërë emër si për qeverisjen e vendeve të tyre, ashtu dhe për qeverinë botërore.

Hawking: Pajtohem plotësisht, por është mjaft e komplikuar. Mjafton të shikosh se sa të vështirë e ka vetëm Europa për të bërë efikase qeverisjen përmes Bashkimit Europian. Sikur po kërkon shumë që të keni një qeversje globale… Edhe diçka, nuk ke parashikuar që të ketë politikanë në qeverinë globale!

Unë: E vërtetë, por unë parashikoj që, një model i tillë, të fillojë të zbatohet edhe brenda çdo shteti. Pra, ëndërroj që:

SË PESTI: Është e domosdoshme që  qeveritë kombëtare të mos përbëhen nga politikanët partiakë. Ata të jenë qeveri të përbëra nga profesionistët më të shquar të një shteti.  

Në rastin e katastrofës virusale po shohim se ishin profesionistët që u vunë në ballë të përpjekjeve për të ruajtur shëndetin e njerëzve, duke rrezikuar edhe jetën. Ishin mjekët, gazetarët, policët. Edhe pse klasa politike në qeverisje nxorri urdhëresat dhe rregulloret, u panë sheshit në vendin tim dhe në mjaft shtete mungesat në pajisje dhe në mjedise moderne për raste të tilla. Opozitat sikur nuk kanë shumë kuptim në kushte anormaliteti, sepse kërkohet veprim i unifikuar me qeverinë. Deputetët fjalëshumë e fodullë në kohë normale, të fryrë nëpër intervista, nuk duken gjëkundi, sikur të mos ekzistojnë. Ku e çuan përgjegjësinë për elektoratin e tyre? Natyrisht ata nuk kanë ndonjë lidhje shpirtërore dhe as ndonjë përgjegjësi sepsenuk janë zgjedhur në mënyrë demokratike, të paktën në vendin tim. Shumë më tepër se qeveritë e dala nga klasa politike na duhen qeveri me profesionistë dhe menaxherë e shkencëtarë, njerëz me integritet e më të përgjegjshëm, që dijnë të qeverisin më mirë në periudha normale, dijnë si të drejtojnë përgatitjen për të përballuar katastrofat e shumta. Edhe politikat mund të bëhen fare mirë dhe më me kompetencë nga ana e tyre.

Hawking: Po si mendon të realizohet një gjë e tillë? A nuk cënon kjo tërë sistemin e funksionimit të demokracisë me zgjedhje të lira dhe pluralizëm politik?

Unë: Edhe për këtë duhet të thyejmë tabunë që është krijuar për demokracinë. Demokracia nuk është qëllim në vetvete. Ajo duhet të jetë funksionale dhe eficiente për të arritur liritë dhe të drejtat e njeriut dhe për të krijuar mirëqenie e siguri, përmes një qeverisje ku të gjithë ndjehen qytetarë të barabartë e të padiskriminuar. Por, edhe në shtetin me demokraci më të zhvilluar, shohim aq shumë probleme sociale edhe në kohë normale, le më pastaj në periudha katastrofash. Unë e shoh burimin e deformimit të demokracisë në interesat e parcelizuara partiake, që venë partinë para kombit dhe njeriut, që i trajtojnë pasuesit e tyre ndryshe nga oponentët dhe nga njerëzit pa parti. Për këtë arsye duhet ndryshuar edhe modeli i demokracisë. Pra:

SË GJASHTI:  Të sfidohet sistemi i funksionimit të demokracisë që bazohet në pluralizmin politik, duke kaluar në sistemin e demokracisë direkte. 

Ajo që nënvizuam për qeverisjen nga teknicienë e shkencëtarë mund të arrihet nga korrigjimi i sistemit të funksionimit të demokracisë. Në përkufizimin e saj, thelbi i demokracisë ka të bëjë me ngritjen e institucioneve që mbrojnë qytetarin e thjeshtë nga plotfuqishmëria e shtetit, në kohë normale dhe në kohë katastrofash. Por, në mjaft shtete, përshirë vendin tim, e dijmë se partitë, para së gjithash, mendojnë se si të fitojnë elektorat duke fryrë edhe propagandën për arritje të paqena, ndërkohë që mjaft halle të njerëzve zvarrisen pa u zgjidhur për vite të tëra. Jo rrallë, emisionet investigative kanë nxitur zgjidhjen e shpejtë të pëdrejtësive të tilla që, për më tepër, janë të krijuara nga vetë institucionet shtetërore. Partitë përdorin biznesin e fuqishëm për të ardhur në pushtet dhe, më pas, ia shpërblejnë atij disafish përmes koncensionesh të paracaktuara e të korruptuara, në dëm të buxhetit të shtetit dhe të taksave. E gjithë lufta për pushtet bëhet se cili krah i politikës do të sigurojë më shumë fitime për klanin politik! Pastaj, e gjitha kjo vishet me termat e rreme për demokraci, për rrotacion politik pëmes zgjedhjesh të lira, që në fakt defomohen e vidhen pa skrupull! E gjithë kjo rezulton në padrejtësi dhe në ulje të standardeve të jetesës, duke mbetur pak për të investuar për përballimin e katastrofave.

Përse atëhere nevojiten partitë dhe pluralizmi politik, që vetëm shkatërron unitetin e popullit dhe ngadalëson zhvillimin në një sistem të demokracisë së deformuar? Është koha për t’i parë gjërat në sy dhe për të thënë të vërtetën. Kjo demokraci që na serviret ka dështuar në shumë vende, dhe është koha për të ndryshuar.  Ajo duhet zëvendësuar urgjent me një sistem vërtet demokratik që punon për popullin. Është koha për të zbatuar demokracinë direkte. Grupe intelektualësh me integritet duhet të vihen në krye të popullit, të organizojnë procese zgjedhore për kuvendin dhe për këshillat vendore, duke përzgjedhur profesionistë intelektualë me integritet, që i respekton populli. Prej tyre mund të dalë edhe qeveria e përgjegjëshme, një qeveri njerëzish të urtë dhe aktivë.

Këta, janë disa propozime për të kryer revolucione politike, sociale e shkencore, i nderuar Sër Stephen Hawking, gjeni i nderuar i shkencës. Ata synojnë të përshpejtojnë edhe arritjet teknike e shkencore që njeriu të shkojë më shpejt në planete të tjera. Por, deri atëhere, njerëzimi duhet të kujdeset që të mbijetojë, të ruajë sa më gjatë shëndetin e planetit, duke bashkëpunuar në mënyrë krijuese, në paqë dhe në mirëkuptim. Këta revolucione mund të duken jashtë realitetit, por duhet të jemi të ndërgjegjshëm se reagimi, ndryshe nga sa është bërë deri tani, kërkon që të mendojmë dhe të projektojmë ndryshe.  Duhet guxim dhe hedhje tej e tabuve, e nacionalizmave dhe e interesave të ngushtë kombëtare dhe partiake, sepse bëhet fjalë për ekzistencën e njerëzimit. Kjo duhet të fillojë te politika dhe liderët, dhe të përfundojë tek populli i thjeshtë, sepse secili e don me zemër një të ardhme më të mirë për fëmijët dhe nipat e tij.

Duke përfunduar spjegimin tim për gjeniun, i zgjata atij dorën që të përshëndetem. Por e tërhoqa menjëherë, sepse diçka e nxehtë ma dogji dorën. Shoh se kisha përpara çajin me kek, që ma kishte servisur vajza, në të majtë të lap topit ku po punoja…! E kuptova se kisha dremitur, në dremitjen e shkurtër që më ndodh në mesditë. Kishte qenë një ëndërr e bukur e një mesditeje pranvere, e mbushur nga një dialog i pafajshëm  me të madhin Stehen Hawking…Duket se mendja kishte vijuar të punojë për inerci, duke u dhënë krahë shumë ëndërrave që më mundojnë mua dhe shumë njerëz të tjerë!

E hodha në letër këtë dialog – ëndërr, ndonëse konstatova se i ngjan më shumë një traktati filozofik e politik. Kushedi, ndonjëherë- tani apo në të ardhmen, dikush që mendon “big” për botën mund ta lexojë rastësisht, dhe mund të marrë shkas nga ndonjë mendim që kam shkruar unë… Por, vërtet, a nuk kanë filluar shpesh nga ëndërrimet intelektuale disa projekte që i kanë ndryshuar faqen planetit dhe fatin njerëzimit?

 

Autori është Doktor i Shkencave për Siguri Globale, Master i Shkencave për Sigurinë nga Universiteti Cranfield i Britanisë së Madhe dhe mban diplomë universitare dhe pasuniversitare në matematikë. Është studjues dhe autor librash, shkrimtar, poet, eseist dhe përkthyes. Ka shërbyer si diplomat – Ministër Këshilltar në Delegacionin e Përhershëm të Shqipërisë në NATO dhe ka kryer detyra të tjera në diplomacinë e mbrojtjes dhe në sektorin e arsimit. 

 

 

 

 

 

 

Please follow and like us: