Albspirit

Media/News/Publishing

Edmond Kaceli: Në shtëpinë e Babës! 

Në shtëpinë e Babës zilja e portës nuk bie prej vitesh

dera e vjetër nuk troket, askush nuk bëzan prej së largu

A don miq! -o i Zoti i Shpisë!

Xhaketat në varësen e vjetër të rrobave janë rralluar

Rreshti i këpucëve shumëngjyrëshe nuk është më

Baba nuk e hedh xhaketën krahëve të lodhun…

Askush nuk thërret në portën e oborrit pa fëmijë

Në shtëpinë e babës rrjeshti i këpucëve është rralluar

zhurmë nuk dëgjohet nëpër korridoret e gjana

Fëmijët e rritun, as fëmijët e fëmijëve nuk hyjnë e nuk dalin

Në shtëpinë e Babës vetëm Ai dhe Nana

dhe dy qese plastike me ilaçe gjithëfarlloji

shtyjnë ditët e netët e gjata të pritjes

Në shtëpinë e vjetër të Babës, dy hije: Ai dhe Nana

dy hije që mbahen për njëri -tjetrin

dy hije që presin prej mëngjezit herët

deri në orët e vona të mbramjes

videothirrjen e radhës

e nëse ajo nuk vjen

Dy hijet ikin të shtrijnë kockat

me shpresën se nesër

dikush ka me i thirrë

patjetër!

Në shtëpinë e babës nuk hyjnë më njerëz

Vetëm trishtimi, dy pleq -hije malli

dy trasta ilaçesh gjith’farëlloj

dhe shpresa

shpresa për videothirrjen e radhës!

Itali, mars 2020

Please follow and like us: