Mimoza Erebara: LAKMIA LAKMIQARE
Mimoza Erebara
Fragment nga libri ‘Symbrapshti’
Lakmia rrinte e mbledhur kruspull në strofkën e saj, larg rrëmujës së njerëzve. Kishte rënë në dëshpërim sepse kishte disa kohë që njerëzit të zënë me punë sikur nuk e përfillnin…dhe kë pa’…! – atë, dorën vetë, sundimtaren e të gjitha kohrave, luftrave që ishin bërë!
Kjo e xhindoste dhe ajo në asnjë mënyrë nuk mund ta pranonte që njerëzit të mos kujtoheshin më për të. Rrinte ashtu e mbledhur në strofkën e saj të florinjtë dhe mendonte se si do të ishte më mirë të kthehej në mesin e njerëzve, ashtu siç kishte qenë më parë. Rrotullonte nëpër duar një glob dhe përmes tij shihte të gjithë vendet dhe njerëzit, të cilët i dukeshin të gëzuar.
-“E si si mund t’i le njerëzit të jenë kaq të qetë e të gëzuar dhe të më harrojnë fare?”- thoshte me vete tek ziente nga inati i harresës.
-“E di unë se si t’i bëj përsëri për vete”- e një të thënë e një të bërë.
Zbriti nga guva e saj e florinjtë drejt e në mesin e njerëzve. Filloi të ecte në të njëjtën rrugë me ta, filloi të punonte në të njëjtën punë me ta, filloi të merrte pjesë në të njëjtat festa me ta, gjithnjë duke pasur kujdes që askush të mos e diktonte se kush ishte me të vërtetë. Kaluan kështu disa kohë dhe Lakmia ishte gjithnjë në pritje të çastit të saj. Dhe ai çast nuk vonoi të vinte…
Një natë, gjatë një feste mes shumë festash të tjera, një burrë po rrinte i tërhequr dhe i mërzitur. Lakmia që atë rast po priste, nxitoi t’i afrohej dhe ta pyeste se si i kishte punët:
-E si të mos mërzitem, – i hapi zemrën burri i prekur nga ngrohtësia dhe përkujdesja e gruas së bukur.
– Miku im më i mirë ka më shumë fat se mua, ka një shtëpi të madhe e më të bukur se e imja, ka një grua shumë të bukur, të cilën unë e dashuroja, po ajo deshte atë e jo mua, ka fëmijë të bukur, të zgjuar, të shëndetshëm, ka një kopësht të mrekullueshëm ku ajo rrit trëndafilat dhe fëmijët luajnë të lumtur. Kurse unë nuk kam as një shtëpi aq të bukur, as një grua po aq të bukur, dhe as fëmijë. Po unë dua t’i kem të gjitha këto!
-Mos u mërzit, – iu përgjigj Lakmia- të premtoj që shumë shpejt do t’i kesh. Po tani hajt të pimë e të festojmë njohjen tonë, gëzuar! – i tha ajo me sytë që i shkëlqenin nga kënaqësia… Po vinte ora e zbavitjes dhe shumë shpejt ajo do t’ua thyente hundën njerëzve që ishin treguar aq indiferentë me të. Ndërsa burri piu verën dhe filloi të gërhiste aty në stolin e festës ajo filloi të bënte hesapet se nga do t’ia niste. Si fillim ajo filloi t’i pëshpëriste burrit me zë të ëmbël sa më s’bëhet, se gruaja e mikut të tij, se kopshti me trëndafila dhe shtëpia e bukur duhej të ishin të tijat. Burri flinte me të gërhitur dhe në ëndërr shihte një grua të bukur që i pëshpëriste ëmbël.
Të nesërmen kur i doli gjumi burri nuk ndihej rehat. U bë i zymtë dhe i heshtur sepse filloi të vriste mendjen për të realizuar qëllimin e mbrapshtë. Sytë i morën një shkëlqim të pazakontë. Në mesin e njerëzve të gëzuar fytyra e tij e zymtë binte edhe më shumë në sy. Atyre që e pyesnin se çfarë kishte ai u përgjigjej se nuk ndihej mirë, se një kotkë i ishte mbledhur në stomak dhe s’e linte rehat as të flinte dhe as të hante mirë. Njerëzit e besuan dhe u erdhi keq për të. Madje mjaft nga miqtë e tij e këshilluan të shkonte tek mjeku për t’u vizituar dhe të merrte mjekim.
Kur vinte nata burri bëhej keq, sepse vetëm atëherë në veshët e tij kumbonin fjalët e ëmbla të gruas së cilës ai nuk ia shihte dot fytyrën por e ndjente se e kishte pranë… Ajo vetëm sa i kujtonte atë që ai e quante fatkeqësi, padrejtësi dhe ia shtonte edhe më shumë shpresat për të realizuar qëllimin. Vetëm atëhere ai ndjehej mirë, i fortë dhe i sigurt.
Një natë ai s’duroi dot më. U ngrit e shkoi në shtëpinë e mikut të tij. Ata e pritën siç i ka hije një miku, i shtruan tryezën me të gjitha të mirat, hëngrën e pinë dhe u gëzuan për vizitën e papritur dhe askujt nuk i shkoi ndër mend ajo çka do të ndodhte më pas. Kur të gjithë kishin rënë për të fjetur burri u ngrit mengadalë, hyri në dhomën ku po flinte miku i tij, iu hodh sipër dhe e mbyti pa zhurmë. Të nesërmen gruaja e shtëpisë shkoi të zgjonte të shoqin, siç bënte çdo ditë, po ç’të shihte!…ai kishte vdekur!
Burri këtë po priste. I shkoi menjëherë pranë për ta ngushëlluar. Gruaja ishte shkrehur në lot për këtë fatkeqësi që e pllakosi papritur.
-Mos u mërzit, – i tha burri – ti më ke mua për çdo gjë që të kesh. Ai ishte miku im më i mirë dhe unë s’mund të të lë ty vetëm.
Në buzët e tij u përvijua një buzëqeshje e para pas kaq e kaq kohësh. Një zë i ëmbël, si asnjëherë tjetër i foli në vesh:
-“Shumë mirë, ja e shikon që nuk ishte asfare e vështirë dhe ti tani ke gruan e bukur që dashuroje, edhe shtëpinë me gjithë kopshtin e mrekullueshëm dhe asnjë njeri nuk do ta marrë vesh sekretin tënd. Kur të vijë nata e 40 –te do të të kërkoj diçka”- kaq i tha Lakmia dhe iku.
Ceremonitë e rastit u kryen me nderime të mëdha, se mbi të gjitha i vdekuri kishte qenë njeri tepër i respektuar. Burri bënte ç’bënte dhe shkonte e rrinte në krah të vejushës së bukur. Aq shumë shkonte në shtëpinë e saj, sa një ditë nuk iku më.
Kur erdhi nata e 40, siç kishte thënë edhe zëri misterioz dhe i ëmbël, që ai nuk e dinte se ishte i Lakmisë, burri po rrinte vetëm në salon në pritje të tij. Nuk vonoi shumë dhe para tij u shfaq gruaja e bukur që ai kishte takuar në festë.
-Jam e kënaqur për sa bëre, po dua edhe unë shpërblimin tim për të gjitha mësimet që të dhashë.
-Si kështu?
-Do t’i përmbushësh detyrimet e tua, apo t’i marr edhe këto që ke fituar dhe të kthehesh prapa, atje ku ishe?
-Po, patjetër, – nxitoi të përgjigjej burri i friksuar nga frika e humbjes.
-Mirë atëhere, dëgjo – i thotë Lakmia dhe i pëshpëriti diçka në vesh…e me të mbaruar u ngrit e shkoi pa pritur se ç’do thoshte burri.
Nata kaloi. Të nesërmen burri u ngrit si çdo ditë tjetër e nxitoi të shkonte në punë. Gruaja e tij e bukur e cila si çdo mëngjes e përqafonte dhe i uronte një ditë të mbarë, sepse ajo me të vërtetë e donte dhe e çmonte sëtepermi atë që ai kishte bërë për të, duke iu gjendur pranë në çastet më të vështira të jetës së saj, u çudit që buzët e tij nuk ishin të ngrohta, po akull të ftohta. Po meqë i shoqi nxitonte për në punë dhe nuk ishte çasti i përshtatshëm, nuk u ndje. Duke u marrë me punët e përditshme ajo e harroi fare atë ndjesi të vakët të mëngjesit.
Kurse burri vazhdonte punën. Kur mbaroi detyrimet e ditës ai u nis për tek vendi që e kishin lënë pikëpjekje me gruan e bukur të cilës për dreq nuk i dinte as emrin. Në fakt kërkesa e saj nuk ishte shumë e vështirë, se sa e çuditshme për të…
Ajo i kishte kërkuar të gjente ndonjë shok apo mik të tijin që të ishte i pakënaqur nga jeta dhe që kërkonte më shumë prej saj, edhe pse nuk e meritonte atë shpërblim. Dhe ai nuk e kishte patur të vështirë për të gjetur njërin nga miqtë e tij që i plotësonte këto kushte…E pikërisht në atë çast ishte nisur të përmbushte edhe këtë kërkesë. Mikut të tij i pëlqeu shumë gruaja e bukur me të cilën e njohu shoku i vet, por pa i shkuar fare ndër mend se ajo do t’i bënte edhe atij të njëjtën gjë siç i bëri edhe burrit. Kjo ishte edhe mënyra që kishte gjetur Lakmia për të hyrë në zemrat e njerëzve, të cilët kishin disa kohë që e kishin harruar. Kështu ajo nuk u harrua më.
Pak luftra janë bërë që nga ajo ditë?!
Po ç’ditë ishte?
Ah, këtë s’e mbaj mend…!