Mjeku i njohur Petrit Vargu, letër publike për qeverinë dhe opozitën reale
I nderuari kryeministër! Sa herë të shoh më lindin pyetje të reja. Meqënëse jeni shumë transparent doja t’iu pyesja:
- Si shpjegohet që pacientët janë të gjithë nëpër qytete? Mos vallë shërbimi shëndetësor nuk shtrihet dot në fshat edhe në raste alarmi?
- Ju thoni që i keni bllokuar linjat ajrore në momentin e duhur dhe jeni vendi i parë në Europë. Atëhere përse i pyesni njerëzit a keni qenë në Itali dhe gjurmoni kontaktet me italianët në dy javët e fundit? E shikoni pra që linjat duhet të ishin bllokuar më parë.
- Ju thoni që Zvicra i bën tampone vetëm mbi 65 vjeçarëve. Nuk është e vërtetë. Vetëm në qarkun e Bernës bëhen 3000 tampone në ditë. Shiko statusin tim të mëparshëm ku e faktoj.
- Kush përveç jush thotë që në momentin e duhur do themi gjërat dhe do marrim masat e duhura? E keni totalisht gabim; e gjithë bota punon me projeksione pasi kjo është luftë e gjatë.
- Sa shkelje ligjore ka tenderi i respiratorëve që po bëni? Nuk bëni dot një tender normal? Si shpjegohet që ka kohë lëvrimi rreth 1 javë nga disa kompani që japin mall kinez. Mos vallë e kanë blerë dhe janë në stok? Deri tani keni një njeri të intubuar nëpër spitale. Pse u dashkan të vijnë për 6 ditë kur keni deklaruar se keni 150 respiratorë.
- Me të drejtë ju thoni që jemi në gjendje lufte. Por kjo luftë nuk bëhet me plumba. Në këtë rast plumbat quhen tampone dhe kite. Sa të tilla kemi? Armiku nuk mbytet me duar.
- Në mënyrë shumë kalorsiake opozita ka shtrirë dorën e bashkëpunimit. Pse e refuzoni? Mos vallë nëse strukturat e opozitës do të futen në lojë mund të merren vesh gjëra të cilat nuk duhet të merren vesh?
- Nëse nuk kemi tampone, pse nuk urdhërohen privatët të fusin rapid test dhe atyre që i del pozitiv të bëjnë kundërprovën në ISHP? Kështu kontrollohet gjithë Shqipëria dhe realizojmë kontrollin në tapet për një vend të varfër si i yni. Një rapid test bën rreth 10$.
- Meqënëse karantina nuk u përdor asnjëherë, përse pacientët që janë asimptomatikë pas mjekimit, vazhdojnë rrinë në spitale dhe nuk shkojnë në qendra rehabilitimi dhe t’i bëhen tamponet kontrollues ? Mos e ktheni Spitalin Infektiv në një bombë infektive me gjithë dizifektimin e përditshëm që i bëhet.
- Merr masa për infektimin e mjekëve pasi do ngelesh pa mjekë dhe mjekët do të bëhen burim infeksioni për të tjerët. Faktet tregojnë që ju nuk i doni mjekët. Këtë e tregon numri i të dënuarve gjatë qeverisë suaj. Por bëje për shqiptarët.
- Dje deklaruat që po të prishim PPP, kompanitë na hedhin në gjyq. E thënë ndryshe ia ke dorëzuar çelsat e shëndetësisë disa kompanive te vogla dhe je i pafuqishëm të bësh ato që duhen bërë. A ka përgjegjës për këtë?
Të nderuar opozitar dhe jo! E nderuar politikë shqiptare! Nëse doni të respektoheni nga populli duhet të bëni diçka më tepër se kaq që po bëni. Nuk shtyhet me denoncime. Asnjë luftë nuk është fituar me deklarata. Lufta nuk fitohet me deklarata por me strategji e marrje përgjegjësish.
Please follow and like us: