Dëshmia e vajzës së ish-shefit të Policisë së Tiranës: Si më mbajtën peng komunistët për 24 orë në bazën e tyre
Nga Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur dhe të bujshme të ndodhur në Tiranë në 7 tetorin e vitit 1942, ku gueriljet komuniste të kryeqytetit pas urdhërit të krerëve kryesorë të Partisë Komuniste Shqiptare, kryen aksionin e rrëmbimit të vajzës 12 vjeçare të Shefit të Policisë së Tiranës, Man Kukaleshi, duke e mbajtur atë peng për 24 orë në shtëpinë e Shaban Vrapit në Rrugën “Fortuzi”, në shenjë presioni që ai të ndërhynte dhe të lironte nga burgu komunistin Shyqyri Ishmi, që pritej të ekzekutohej ato ditë nga autoritetet italiane.
Dëshmia e rrallë e Ikbale Kukaleshit, lidhur me atë ngjarje të largët që tmerroi familjen e saj dhe vuri në alarm qeverinë e kryeministrit Mustafa Merlika Kruja, për aksionin e dy komunistëve të njohur, Sabaudin Gabrani (“Hero i Popullit”) dhe Tonin Jakova, të cilët e realizuan me ndihmën e famlijes Çorati që Kukaleshët i kishin fqinjë dhe mik shtëpie, si dhe “garancinë” që dha miku i familjes së tyre, Myslym Peza, kur vëllai i Man Kukaleshit shkoi në Pezë, për t’i kërkuar ndihmë lidhur me atë që kishte ndodhur, duke i thënë atij se: “po t’i ndodhte gjë vajzës, ai do vriste me dorën e tij 100 partizanë”.
Në shkrimin e botuar në numrin e djeshëm të Memorie.al nëpërmjet rrëfimit të znj. Vanda Çorati, u njohëm me ngjarjen e bujshme të vitit 1942, kur gueriljet komuniste të Tiranës të drejtuar nga Agron Çorati, rrëmbyen vajzën 12-vjeçare të Shefit të Policisë së Tiranës, Man Kukaleshit, për t’i bërë presion atij që të lironte Shyqëri Ishmin, një nga komunistët e njësiteve guerile të kryeqytetit që ishte arrestuar që pritej të ekzekutohej ato ditë nga autoritetet italiane. Por në çfarë baze e dërguan ata vajzën, çfarë i thanë asaj rrugës, përse e shëtitën për një orë rrugëve të Tiranës, si e trajtuan atë në shtëpinë ku e mbajtën peng dhe kush u kujdes për të? Përse komunistët e liruan Ikbale Kukaleshin pa e përmbushur aksionin për të cilin e kishin rrëmbyer dhe çfarë ndodhi në shtëpinë e Man Kukaleshit ato 24 orë që vajza u muar peng? Për të ndriçuar të gjitha këto mistere, do njihemi nëpërmjet dëshmive të vetë protagonistes së asaj ngjarje të largët, znj. Bale Kukaleshi, e cila pranoi të na tregonte për gjithshka që ndodhi në 8 tetorin e vitit 1942.
Rrëfimi i Bale Kukaleshit, për rrëmbimin e saj nga komunistët
“Kur dola në krye të rrugës që të shpie tek Pazari i Ri, ktheva kokën, pasi më thirri një njeri që unë e njihja vetëm si fytyrë, i cili më tha: Bale hajde se të kërkon Tata në zyrë. Pas atyre fjalëve, unë u afrova pranë makinës dhe u tërhoqa menjëherë mbrapsht, pasi aty pashë shoferin që nuk e njihja. Por në ato momente, Tonin Jakova, të cilin dhe atë nuk e njihja për fytyrë, më tëhoqi zvarrë dhe më futi me forcë në makinën “Miloçento”. Kështu e kujtonte Ikbale Kukaleshi, vajza e vetme Selman Kukaleshit, Shefit të Policisë së Tiranës në vitet 1940-‘44. Po cila është origjina dhe e kaluara e familjes Kukaleshi, ku kanë banuar ata dhe përse Selman Kukaleshi u emërua në funksionin e Shefit të Policisë së Tiranës? Cilët ishin mardhëniet dhe lidhjet familjare të Kukaleshëve me familjen e Shyqëri e Myslym Pezës dhe përse korrieri i partizanëve të Pezës, kur vinte në Tiranë strehoej tek shtëpia e tyre? Përse i vëllai i Manit, Qazim Kukaleshi, atë natë që u rrëmbye Balja nga komunistët shkoi në Pezë dhe përse babë Myslymi i tha atij se po t’i ndodhte gjë mbesës së tij, ai do të pushkatonte me dorën e tij 101 partizanë që ishin duke fjetur në shtëpinë e tij?
Lirimi e kthimi në shtëpi
Pasi vajza 12-vjeçare e Shefit të Policisë së Tiranës u mbajt për 24 orë peng në bazën e komunistëve në Rrugën “Fortuzi”, ata vendosën që ta lironin dhe e kthyen në shtëpi. Lidhur me këtë Bale Kukaleshi dëshmonte: “Aty nga mbrëmja kur ishte errur, ata m’i zgjidhën sytë, duke më hequr shaminë dhe më ngjitën letra. Pasi më thanë se po më lironin, më vunë një palë zyze të errta që të mos dukeshin letrat që më kishin ngjitur në sy dhe më nxorrën jashtë duke m’i zgjidhur dhe duart. Aty, Tonin Jakova më hipi mbrapa në biçikletë dhe më porositi që po të më pyeste njeri rrugës, t’i thoja se po shkoja tek doktori për t’u vizituar. Rrugës nuk takuam njeri dhe Tonini më zbriti e më la në qosh të rrugës tek Selvija, ngjitur me portën e shtëpisë së Xhemal Carës. Pas kësaj, ai iku me shpejtësi së bashku me personin që na kishte shoqëruar nga pas për gjithë rrugës. Në fillim mezi u orientova, por pastaj u nisa për në shtëpi dhe rrugës, njerzit të habitur më pyesnin se ku kisha qenë. Një prej tyre ishte goca e Mulletëve që më tha: Ku ke qenë se ti ke humbur?! Unë i’u përgjigja duke i thënë se: ishte tjetër ajo që kishte humbur. Kur erdha në shtëpi, hyra brenda dhe në këtë dhomën që jemi ne këtu, gjeta vetëm nënën Zojen dhe djalin e dajës së saj. Kur më pa mua në derë, nëna shtangu nga habia dhe nuk mua afrua fare. Qazimi, xhaxhai ynë, u hodh përpjetë nga gëzimi dhe më përqafoi. Pas kësaj shtëpia u mbush plot me njerëz, nga fqinjët, të afërmit tanë dhe miq e shokë të babait. Burrat që vinin më përgëzonin duke më thënë: patriotja e babës. Po atë mbrëmje, unë shkova dhe takova babën në Kuesturë, ai më puthi dhe nuk i përmbajti dot lotët. Mbas dy tre ditësh në shtëpinë tonë erdhën dhe miqtë e ngushtë të babait, si dhe gruaja e Jakomonit, e cila më solli si peshqesh një biçikletë”, kujtonte Bale Kukaleshi lirimin e saj prej komunistëve dhe kthimin në shtëpi.
Lym Peza: Do vras 100 partizanë!
Atë natë që Balja e vogël u mbajt peng nga komunistët, xhaxhai i tyre, Qazim Kukaleshi (shofer i Kryetarit të Bashkisë, Ymer Fortuzit), i cili nuk ishte i martuar dhe linte kokën pas dy fëmijëve të Manit, shkoi në Pezë për të takuar Myslym Pezën. Lymi ishte mik shtëpie i Kukaleshëve dhe korrieri i tij, flinte vazhdimisht në shtëpinë e tyre. Lidhur me këtë, Balja kujtonte: “Atë natë që më rrëmbyen mua, xhaj Qazimi u bë si i çmëndur dhe me autoveturën e tij, shkoi në të gjithë periferitë e Tiranës ku streoheshin çetat e partizanëve, për të më kërkuar se mos më mbanin atje. Qazimi shkoi dhe në Pezë, ku Babë Myslymi e mori dhe futi aty ku ishin duke fjetur partizanët e çetës së tij, për t’i treguar se unë nuk ndodhesha atje. Myslymi i tha xhajës: Mos u boj merak Qazim, se në qoftë se do t’i ndodhë gjë gocës Manit, kam për të pushkatuar me dorën time 101 partizanë. Pas disa kohësh nga kjo ngjarje, u martua xhaja jonë Mustafai dhe ai kishte thirrur në dasëm të gjithë shokët e tij. Bashkë me fëmijët e tjerë, u afrova edhe unë aty për të parë dhe dëgjuar ahengun, por kur aty në tavolinë pashë Tonin Jakovën, ika në shtëpi si e tmerruar. Kur i thashë xhajë Qazimit se aty ishte njeriu që më kishte rrëmbyer, ai më tha: Lëre mër xhajë se iku ajo punë. Ndonëse unë i kisha njohur ata që më rrëmbyen, babai ynë Mani, nuk mori asnjë masë dhe kurrë nuk dërgoi policët për t’i arrestuar ata. Jo vetëm që baba nuk i ngacmoi komunistë, por ata vinin dhe na provokonin vetë, si Sabaudin Gabrani, që vinte dhe më pyeste se: ku banonin Çoratët”, e mbyllte rrëfimin e saj, Ikbale Kukaleshi, për atë ngjarje të largët që i shkaktoi një brengë të madhe familjes Kukaleshi, nga e cila për më shumë se një vit, atë kishin frikë që ta linin vetëm qoftë dhe tek dera e shtëpisë.
I biri i Man Kukaleshit: “Po t’u kishte marrë lekë komunistëve babai ynë, ne s’do ishim në këtë kasolle…”!
Shtëpia e Kukaleshëve ndodhet në Rrugën “Luigj Gurakuqi”, e futur në mes pallateve diku në të majtë të Bulevardit të gjerë që të shpie në Sheshin “Avni Rustemi”. Hyseni, djali i vetëm i Man Kukaleshit, me një fizik dhe portret që dukej sikur nuk përkonte aspak me moshën e tij, porsa mësoi qëllimin e vizitës sonë dhe “garancinë” që na kishte dhënë për ne, Shit Mulleti, (djali i ish-Prefektit të Tiranës), na ftoi brenda në atë shtëpi të vjetër tiranase, që dukej sikur do të shembetj nga çasti në çast. Në atë shtëpi, së cilës i’a kishin “zënë frymën” pallatet shumëkatëshe që e kishin zaptuar rreth e rreth, Hyseni jetonte vetëm me zonjën e tij dhe djalin e vetëm, i cili punonte po në atë mëhallë, jo shumë larg shtëpisë, aty tek Pazari ose siç i thonë ata: te Bajat e Demnerëve. Teksa e zonja e shtëpisë, na uronte mirseardhjen dhe na gostiste me qerasjet e rastit, për të ngarë bisedën deri sa të vinte Balja, e bija e Man Kukaleshit, e që ishte dhe “objekti” i vizitës sonë në atë familje, e pyetëm Cenin, se ku jetojnin vëllezërit dhe motrat e tjera të asaj familje. Pasi tund kokën për një çast në shenjë nervozizmi, ai na u përgjigj: “Shumë njerëz na e kanë bërë këtë pyetje, sepse jënë gënjyer nga Komedia “Prefekti”. Në atë Komedi, që nuk e di se si disa televizione lokale, vazhdojnë ta transmetojnë ende, duke na fyer rëndë në dinjitetin tone, njëlloj si në kohën e Enver Hoxhës, thuhet se Qazim Mulleti, gjoja kur u merrte lekët hallexhinjve që i trokisnin në derë, u thoshte që: ‘t’ia çonin më mirë Man Kukaleshit, se ai kishte një tufë kalamajsh’. E gjitha ajo është një mashtrim i paskrupullt, sepse Man Kukaleshi ka pasur dhe ka vetëm dy fëmijë dhe po të kishte marrë lekë nga hallexhinjtë që i trokisnin në derë, babai ynë Man Kukaleshi, nuk do të na kishte lënë këtë shtëpi që shikon ju këtu”, na u përgjigj Hyseni tepër i indinjuar, duke na treguar një mur të rrëzuar, që kishte zënë gjysmën e asaj që ata e quajnin ‘dhomë gjumi’. Ceni, na tregonte, se kur është rrëzuar ai mur nga pallati që ishte ndërtuar ngjitur me shtëpinë e tyre, ka shpëtuar për ‘një qime floku’, djali i vetëm i asaj shtëpie, pikërisht atë ditë që kishte ndarë ditën e dasmës. Pa e fshehur nervozizmin, Ceni e sillte përsëri bisedën, tek ato televizione që “po i binin si shumë në qafë asaj familje”, duke shtuar se përveç Komedisë “Prefekti”, kohët e fundit edhe një radio periferike, që nuk dihet se nga i lëshonte valët e saj, kishte filluar duke përmëndur shpesh emrin e babait të tyre, pa pasur as njëlloj njohurie, se kush kishte qenë ai dhe të parët e tij. Si për të na kërkuar ndjesë për faktin që e ndryshoi temën e bisedës për çka interesoheshim ne dhe për të na treguar ta shihnim me sytë tanë, se kush janë Kukaleshët, Hyseni na vë përpara një libër të Ibrahim Hafiz Dalliut. Në atë libër të botuar kohët e fundit, flitej edhe për të parët e familjes së tyre, që janë përndjekur nga Turqia, se përhapnin librat dhe abetaret shqipe, si dhe për të famëshmin, Ali Efendi Kukaleshi, një nga patriotët e njohur tiranas, emrin e të cilit e ka pasur deri në vitin 1947 një shkollë në Tiranë, të cilën regjimi komunist ia hoqi dhe e quajti “Ali Demi”. Hyseni na tregonte se si babai i tij, Man Kukaleshi, nuk donte të largohej nga Shqipëria, se e ndjente veten krej të pastër dhe jo vetëm që nuk i kishte asnjë borxh komunistëve, por përkundrazi i kishte ndihmuara ata në shumë raste. Por atë e nxiti i vëllai, Qazimi, duke i thënë se: “nuk kishte besë me komunistët”. Selman Kukaleshi, u largua nga fundi i tetorit 1944 dhe që nga ajo ditë, përveç telegramit që ai u dërgoi në vitin 1947 me anë të Kryqit të Kuq, ku i njoftonte se ishte në Itali, ai nuk u bë më i gjallë. Fëmijët e tij u rritën nga i vëllai, Qazimi, dhe ata ndonëse nuk kishin lënë gur pa lëvizur, ende dhe sot nuk dinë asgjë rreth fatit të babait të tyre. Dhe më e keqja, ata nuk dinë se ku të trokisnin për këtë./Memorie.al