Albspirit

Media/News/Publishing

Haris Vongli: Kujtime të trishta Pekin –Tiranë

 

Image result for haris vongli

 

 

 

Ditën që lash pas Pekinin e boshatisur prej ditësh, në mbrëmjen e 23 janarit, u izolua edhe gjithë Wuhani, qendra e provincës Hubei, aty ku nisi e gjitha kjo që sot është kthyer në pandemi botërore, duke mos patur mundësi që askush të dilte nga shtëpitë, të futej apo të dilte nga zonat e bllokuara. Ky ishte urdhër që respektohej me rigorozitet.

Sipas studimeve, nëse Wuahni do të izolohej më datë 22 janar, pra 24 orë më parë nga koha që autoritetet urdhëruan izolimin e tij, do të kishte 40% më pak të infektuar dhe për rrjedhojë shumë herë më pak viktima. Pra, e përsëris, 24 orë më herët izolim, do të thotë 40% më pak të infektuar. Dhe sigurisht që ngjitja e “Coronavirus” ka jo vetëm një shpejtësi marramendëse, por edhe shenjat i jep më vonë. Mund të jemi të infektuar, duke infektuar edhe të tjerët, edhe kur ndihemi në formë të mirë.

Sot, Kina po e merr veten pikërisht nga izolimi absolut. Izolimi u bë jo vetëm në bindje të urdhrave të autoriteteve përkatëse, por edhe sepse ndërgjegjësimi dhe sensibilizimi i popullit kinez është ndër më të lartët që kam njohur ndonjëherë, prandaj dhe jetesa ime në atë vend, për disa vite, më ka bërë të vlerësojë edhe më shumë disiplinën dhe mungesën e egoizmit të sëmurë. Të veprosh duke mos menduar vetëm për veten, por edhe për tjetrin me të cilin bashkëjeton në komunitet; është minimumi i njerzillëkut dhe përgjegjësisë kolektive.

Nuk bëhet karshillik me shëndetin e një komuniteti, qyteti, shteti të tërë dhe përtej.

Në Itali, shumë njerëz të infektuar me COVID 19 kanë dhënë shpirt në shtëpitë e tyre, duke mos patur as mundësinë të shkojnë në spital, apo të arrijnë të kapin të lira linjat telefonike të vëna në dispozicion, si puna e 127-ës sonë.

Italia jonë fqinje është gjunjëzuar, të dashur shqiptarë që në ditë të thjeshta shaheni, rriheni e vriteni me njëri-tjetrin e në ditët më të vështira si këto dilni krah më krah. E dini pse Italia, e vogël sa një provincë e vetme e Kinës, ka lënë pas edhe këtë të fundit për nga numri i vdekjeve? Sepse izolimi për ta përbënte sakrificë të madhe, ishte një luftë e hapur ndaj pasionit të tyre për jetën sociale. E gjithë kjo erdhi si pasojë e socializimit në masë, nga moskarantinimi, nga grumbullimet masive, njësoj si këto tuajat në qendër e në periferi të qyteteve, gjatë orareve të lejuara për të dalë për ndonjë emergjencë dhe jo për të vënë në lëvizje muskujt e ‘fjetur’ prej një jave. Nuk do shumë mënd, që ne të mos shuhemi nga një për çdo 16 minuta, si në Lombardinë të cilën shumë prej nesh e kanë vizituar gati çdo muaj se ja ku është, NE DUHET TË RRIMË NË SHTËPI.

OBSH-ja tha se çdo shtet duhet të testojë, të testojë, të testojë sa më shumë raste të dyshuara me coronavirus. Ne nuk i kemi kapacitetet, ne nuk do ia dalim dot nëse ju nuk rrini në shtëpi. Po edhe nëse vijnë miliona tamponë testues dhe ne lokalizojmë të gjithë pacientët, ne përsëri nuk kemi shtretër dhe asnjë kapacitet spitalor për të përballuar ndonjë katastrofë si kjo e italisë ku numri i të vdekurve kalon 4 mijë. Brenda 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë 627 persona.

Mendoj se gjëja më e mirë për të bërë është të qëndrojmë në shtëpi. Të rrish në shtëpi nuk është sakrificë, sakrificë është puna e mjekëve të cilët po u infektuan në masë ne nuk ka kush të na shërbejë. Daaa!

E nesërmja është vetëm në dorën tonë. Ju lutem rrini në shtëpi.

Mos hani karkaleca këto ditë, do ia dilni mbanë edhe me ndonjë pjatë makarona me salcë domate e borzilok e pak djath sipër. Dhe pini caj, kujdesuni për prindërit, lexoni libra e shihni filma, lahuni në dush e këndoni me krehër para pasqyrës dhe më e rëndësishmja doni më shumë fëmijët, burrat e gratë tuaja. Jemi ankuar gjithmonë se s’kemi kohë të merremi me veten dhe familjet. Ja erdhi ajo kohë, merruni tani.

 

#rrineshtepi #uneqendrojneshtepi

Image may contain: 3 people, including Haris Vongli, outdoor

Image may contain: 2 people, including Haris Vongli

Please follow and like us: