Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Ta bëjmë botën më të mirë

Image result for ndue ukaj

Ndue Ukaj

Bota po teshtitë përpara një mikrobi
që e ka lidhë tokën dhe po e tund si një lodër të lehtë.

Njerëzit po dihatin se qen të lodhur nga një udhëtim i gjatë dhe pa cak.
Po dihatin të gjithë dhe brenda mureve po kompozojnë simfoninë e frikës.

Përpara kemi mure dhe lajme të frikshme.
Planeti – si një zemër e dridhur është mbyllë
dhe po dëgjon rrufe.

Sonte hëna ishte e bukur dhe unë në dritën e syve të saj
pashë sytë e trazuar të botës së lodhur.

Edhe dita ishte me diell.
Unë rrija në ulësen e pasme te një makine
që gjarpëronte përmes heshtjes dhe frikës
dhe shihja si natyra merrte frymë pa njerëz.

Tashmë akrepat e orës janë të ngadalshëm.
Vajzat nxjerrin kohën prej pizhameve të tyre.
Gratë me rruzure në dorë luten për një mot të ri.
E burrat si unë trishtohen përballë xhamit të zi.

(Trishtohen edhe ata që rrinë në kështjella të mëdha e frone të larta).

Matanë është heshtja si një oqean i tërbuar
ku fundosen anije me dëshira plot –
dhe të mbyllurit shohin si digjet Edeni.

Akrepat lëvizin ngadalë.
Lajmet shtohen dhe frika përhapet më shpejt se virusi.
Dikush numëron orët e jetës që ka përpara
dhe sheh cakun final – vdekjen.
Ata më të rinjtë dihatin si qen të lodhur
dhe fikin cigaret në duart e tyre të përzhitura.
Fëmijët mbushin thasët me lodra
dhe të hutuar presin ditën e re.

Por ka edhe të tillë që nuk kanë nevojë për orë dhe kalandër:
ai plaku që rri i menduar nën pemën e dashur
dhe mjekët që luftojnë për një jetë më shumë.

Tufat e gazetarëve bredhin si era që paralajmëron përkeqësim të motit.
Po shtohen lajmet e këqija – thonë –
sepse disa qëmoti i kanë mbyllë dritaret për lajme të mira.

Mediumet janë të mbushura me trishtim
dhe lajme të trazuara
që teshtijnë viruse dhe mikrobe.

Njerëzimi teshtitë ankth.
Në këtë natë të gjatë me errësirë të frikshme.

Unë rri në ulësen prapa dhe shikoj si teshtijnë orëligët
dhe zërat zemërmirë që rrëfehen në altarin e faljes.

Por kur bien kambanat e katedraleve
të gjithë kthejnë sytë kah qielli –
dihatin e teshtijnë
dhe luten që nesër bota të bëhet më e mirë
dhe të thuhet një meshë e madhe e dashurisë.

(©, 20 mars 2020)

Please follow and like us: