Albspirit

Media/News/Publishing

Esma Dodaj: Dashuri, edhe në kohërat e pandemisë

Tash dy ditë qielli është i laruar nga retë. Edhe sot gjithë ditën brodhën nëpër qiell, kështu që shpeshherë e fshehën dhe nuk e lanë të nxejë e të ndrisë. Ngjante si orë që s’tringëllin.
Shtëpitë e rrugët rrinë të heshtura, të mbuluara prej qetësisë së thellë.
Mjaftuan ca hapa që vijnë nga larg, që përditshmëria jonë të ndryshonte. Do hapa të vegjël, të padukshëm, që duket se po përvidhen, se po vijnë tinëz.
Baptima e atyre hapave është e çuditshme, kaq e pakëndshme. Tërë ky trazim…dhe qe e gjitha kaq e paqartë, e shpejtë, sugjestionuese.
Në të u injektuan frika, pasiguria, ankthi, të cilët së bashku u shndërruan në një ndjenjë të hatashme që të mban pezull.
COVID-19 përshkoi tërë kohën tonë dhe na rrëmbeu atë që e merrnim gjithnjë për të mirëqenë e ndoshta nuk ia dinim plotësisht rëndësinë: LIRINË. Transformoi zonën tonë të konfortit dhe na privoi prej rutinës sonë, që sado monotone, e duam gjithsesi. Dikush prej punës që bën, dikush prej Universitetit që ndjek, dikush për makinën që nget, dikush për vrapin e mëngjesit, dikush për kafen me miqtë, dikush për daljet mbrëmësore, e kështu me radhë, po të gjithë padiskutim për luzmën e njerëzve që kishim pranë vetes. Na mungojnë shtrëngimet e duarve që ne veriorët i bëjmë pak më me ceremoni: duart mbahen gjatë të mbërthyera e shoqërohen me disa tundje periodike. Na mungojnë përqafimet, rrokjet e gjata e të ngrohta.
Njëkohësisht preku edhe tërë kotësinë e kohës sonë, tërë synimin për karrierë, tërë sqimën, lojën e përciptë të një intelekti të rremë, të cekët, por për fatin tonë të mirë nuk është futur thellë. Të paktën ende jo. Nuk ka depërtuar në thellësinë tonë të qenësishme.
Ne jemi qenie sociale dhe gjithë jetën tonë e kemi ndërtuar me kontakte të vazhdueshme, me bashkëveprim – qenia e organizuar dhe funksionale në shoqëri. Edhe ndjenjat tona, emocionet tona, thellësisht intime i kemi të adresuara në referentë të jashtëm dhe i marrin indiciet për zgjim prej tyre.
Mund të jetë e padrejtë por diçka që ndodh brenda pak ditësh, ndonjëherë në një ditë të vetme, mund t’i ndryshojë raportet tona me Tjetrin, mund ta ndryshojë gjithë përjashtësinë tonë, shfaqjet tona, dukjet tona.
Ama së brendshmi ne mbetemi të njëjtët. Përtej gjithë manteleve që hedhim krahëve në një botë, që jo vetëm t’i mvesh rolet, po të bën edhe t’i luash ato pa e kuptuar as vetë, jemi po vetja jonë.
Janë rralluar gjithnjë e më tepër njerëzit që arrijnë të ndiejnë thirrjen e artit të jetës, ata që janë të aftë për të kapur të vërtetën dhe të bukurën e thjeshtë. Fatkeqësisht jetojmë në një botë ku njeriu nuk di më ta vështrojë qiellin, veçse e sheh atë si materie të ftohtë. Dhe ja mjaftoi kjo kohë për veten që ne të riktheheshim në soditjen e qiellit me ndjeshmëri e përulësi.
Patëm e kemi mundësinë për dëftime ëndrrash. Tërë bukuria e tyre: sytë e tyre magjikë, shikimet e tyre që me nxehtësinë e vet mund të të shkrijnë, të të shndërrojnë në flakada, në shkëmb të bazalte ose të të japin krahë puplor.
Rigjetëm pasionet tona të lëna qosheve.
U përlyem me miell e me vezë çdo mëngjes, për të gatuar ëmbëlsira shtëpie. Shijuam ushqimet e preferuara nga dora e mamit që mbetet gjithnjë përbërësi sekret thelbësor i recetave. Dëgjuam albume të tëra të këngëtarëve tanë më të dashur. Pamë filmat që i kishim shënuar nxitimthi cepave të axhendës, për kur të mund t’ju bënim pakëz vend në ditët tona të ngjeshura. U kënaqëm me finesën e shfaqjeve më të mira të baletit. Shfrytëzuam aksesin online, krejtësisht falas, në muze të ndryshëm nëpër botë duke u përmbushur me kryeveprat e arteve pamore.
Lexuam gjatë, pa ndërperje. Më në fund mund ta sheshojmë stivën e librave që i kishim blerë e vënë mënjanë për kur të gjenim kohë. Madje kemi edhe luksin që t’u rikthehemi autorëve tanë më të dashur, veprave më të shtrenjta për ne.
U krodhëm në kujtimet tona. Foto të vjetra, kaq të gjalla në ndjesi; kartolina të zverdhura që buzëqeshin urime; dhurata të kahershme që ta përshpejtojnë frymëmarrjen; letra me njolla të kripura, me parfume erëmira; zarfe që nuk ju shkuan kurrë të adresuarve; ditare me fletë si krahë pulëbardhash; vizatimet e para fisnike si piktura sado larg këtyre të fundit; lulet e thara mes librave; rroba të vockla fare që t’i njomin sytë.
Qetësia e kësaj bote është e mirë, e ëmbël. Tek ajo kthehet së paku një grimë e asaj jete të vërtetë njerëzore.
Është kjo dashuria: sublimja, hyjnorja, eternia.
Shtrëngojmë fort duart që kemi pranë nesh e ashtu të lidhur varg njëri me tjetrin përhumbemi në sytë e tyre ku ndrit shpresa.
Foletë tona janë të tilla, të paqta, të bardha, të ngrohta.
Çerdhet e ndërtuara me dashuri nuk i harrojnë as shtegtarët e tyre. Ata banojnë me ne përderisa marrin frymë me ne.
Kjo kohë izolimi na shtoi distancën midis trupave pa ndryshuar asgjë në atë midis zemrave. Përkundrazi ne jemi më pranë njëri-tjetrit. Kohët e vështira i zbusin mëritë, inatet, krenaritë dhe i bashkojnë njerëzit. Për të dashurit tanë që i kemi larg shtohet malli, shtohet ndjenja, rritet emocioni.
Të dashuruarit edhe me xhamin ndarës të një dritareje karantine midis, ecin në këmbë pranë e pranë me ritmin tipik të dy krijesave që ekzistojnë vetëm për njëra-tjetrën e me hapin karakteristik i cili, i parë më vete, tregon se ata nuk përfillin asgjë, përveç asaj ç’kanë për t’i pëshpëritur ndërsjellshmërisht shoku-shokut.
Qashtërsitë e ekzistencës i përjetojmë vetëmevete dhe na mbajnë gjallë në çdolloj rrethane.
Zotin dhe dashurinë se nxënë as shtatë rrathët e qiellit, as shtatë rrathët e tokës. I nxë vetëm zemra e njeriut, ligjësitë e së cilës nuk përfillin asnjë realitet përpos atij tyrit. Ato vallëzojnë, afrohen, përqafohen me të dëgjuar timbrimin e telave të simotrave përplotësuese.

Please follow and like us: