Albspirit

Media/News/Publishing

BE arrin marrëveshjen për hapjen e negociatave me Shqipërinë

Image result for bashkimi europian

Sikundër pritej, vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë arritur marrëveshjen politike për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në një kohë të errët për Evropën, të mbërthyer nga pandemia Covid-19.

Për Shqipërinë parashtrohen një sërë kushtesh që nisin me Reformën Zgjedhore, Reformën në Drejtësi dhe kërkesat për azil, ndërsa për Maqedoninë e Veriut nuk ka kërkesa të posaçme dhe propozohet çelja e negociatave. Lajmi për arritjen e marrëveshjes mes ministrave të Jashtëm u dha i pari nga Ministri Gjerman i Shtetit për Evropën Michael Roth, përmes një postimi në “Twitter” bën me dije se gjatë takimit të ministrave të vendeve të BE është rëndë dakord për nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. “Një lajm i mirë në këto kohë të zymta. Më në fund është dhënë drita jeshile në Këshillin e Ministrave për Europën gjatë videokonferencës për nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Nga kjo përfiton Bashkimi Europian dhe Ballkani Perëndimor. Urime për Tiranën dhe Shkupin, e keni merituar”.

 

Detyrat që parashtrohen për Shqipërinë

1. Shqipëria duhet të miratojë reformën zgjedhore në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODHIR-it, duke garantuar financim transparent të partive politike dhe fushatave zgjedhore.

2. Duhet të garantojë zbatimin e vazhdueshëm të reformës në drejtësi, përfshirë garantimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke marrë parasysh ekspertizën relevante ndërkombëtare përfshirë opinionet e zbatueshme të Komisionit të Venecias.

3. Të përfundojë vendosjen e strukturave të specializara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Vendi duhet të vijojë të japë rezultate në pesë prioritetet kyçe

1. Shqipëria duhet gjithashtu të përforcojë më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë nëpërmjet bashkëpunimit me vendet anëtare të BE-së dhe nëpërmjet planit të veprimit për adresimin e rekomandimeve të Task Forcës për Veprimet Financiare (FATF).

2. Vendi duhet të përballet me dukurinë e aplikimeve të pabaza për azil dhe të garantojë riatdhesimin.

3. Si dhe të ndryshojë ligjin për median në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Komisioni ftohet si të hartojë një raport për këto çështje, përfshirë përparimin në lidhje me gjurmët e provave, kur të paraqitet kuadri negociues me vendin.

Please follow and like us: