25 mijë euro për të pastruar tualetet e Kuvendit, sanitaret ankohen për ndotjet e mëdha nga opozita e re
Në një kohë që Shqipëria është mbërthyer nga ethet e Covid 19, ku pjesa më e madhe e qytetarëve janë mbyllur në shtëpitë e tyre, Kuvendi i Shqipërisë ka akorduar një fond mijëra euro për të dezinfektuar dhe pastruar sallat dhe tualetet që përdorin deputetët. Sipas dokumenteve që disponon Gazeta Shqip, bëhet fjalë për dy tendera me vlerë rreth 30 mijë euro. Në tenderin e parë, Kuvendi kërkon që të kryejë prokurimin me vlerë të vogël, me objekt “shërbim dezinfektim 3D”. Më pas, Kuvendi ka përshkruar edhe punët që duhet të kryejë firma private. “Kërkojmë dezinfektim 3D në ambientet e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, Sallës së Seancave Plenare si dhe të parkut të autoveturave 3 herë gjatë vitit”, thuhet në dokumentet e tenderit. Duket se deputetët i kanë zënë frika nga koronavirusi dhe menjëherë kanë marrë masa edhe për tualetet. Krahas këtij tenderi, Kuvendi ka hapur një tjetër procedurë, kësaj herë me objekt “materiale të ndryshme, mirëmbajtje të specialitetit pastrim dhe higjienë tualetesh”. Fondi për këtë tender është plot 2.570.362 lekë pa TVSH (me TVSH rreth 25 mijë euro”. Dhe, këto para do të jepen 15 ditë nga nënshkrimi i kontratës. Në dokumentet që SHQIP disponon, Kuvendi kërkon solucion zbardhues, që përdoret për pastrimin dhe dezinfektimin e tualeteve, veshjeve porcelani, hidrosanitareve. Do të blihet solucion për larje pllakash dyshemeje, të lërë aromë të lehtë pas larjes dhe të jetë prodhim me standarde të EU. Do të blihen solucion për larje xhamash, gjithashtu prodhim EU i certifikuar dhe me kartat e sigurisë dhe përbërjes. Edhe ky solucion kërkohet të jetë me armomë të lehtë. Gjithashtu do të blihet solucion për larje mobiljesh, sapun likuid për duar, sapun i lëngshëm xhel për larjen dhe dizenfektimin e duarve, peceta për pastrim pluhurash, klor për larje dyshemeje, shtupa për larje dyshemeje, peceta pastrimi, etj, etj. Ajo që bie në sy në të gjitha kërkesat e Kuvendit është që materialet higjieno-sanitare të jenë prodhim i Bashkimit Europian dhe me karta sigurie. Duket se, ligjvënësit tanë janë frikësuar nga virusi Covid 19, dhe për ta luftuar kanë shpenzuar mijëra euro./gazeta shqip/