Ilir Levonja: Turp kombëtar
Sipas njoftimeve më të fundit, numri i të prekurve në Prishtinë është duke u rritur. Afërmendsh edhe në shumë vende të botës. Kriza e madhe globale e Covid 19 ka mbyllur plot biznese, në shume vende me urdhër dhe në disa të tjera me karakteristikën e qytetarit, familje të tëra janë ngujuar brenda.
Eshtë koha më dhimbshme ku dikund me lot e dikund me barcaleta njerëzimi po shtyn ditët duke lënë mënjanë plot mëri. Mirëpo bash në Prishtinë, nuk po ndodh kështu. Jo qytetarët, pasi ata janë baraz europianë. Tek ndiqja herët sot në mëngjes një nga televizionet e saj, pra të Prishtinës, vura re se çdo qytetar qe shumë i ndërgjegjshëm, ruhej distanca, me maska, madje dhe shërbimet i kryenin me nxitim. Mirëpo kur shikon këto seanca të tej zgjatura parlamentare në kuvendin e Kosovës, ndjen një neveri totale për faktorin politik.
Kjo ka domethënien se sa të rrezikuara janë shoqëritë tona kur kanë në krye një faktor të tillë politik. Me të drejtë sot në mëngjes pyetjes së gazetarit se çfarë mendonin për këtë mocion mosbesimi, për këtë seancën e sotshme, shumë prej tyre kishin vetëm një fjalë, marre. Po e tillë është një turp kombëtar. Qoftë edhe për teknicizëm pasi gjithë bota sot po ulëret se nëse e nuk do veten, të paktën mos më vrit mua. Për këtë arsye bizneset e shërbimeve më të domosdoshme si ushqimet ku përfshihen edhe letra a bidonat e klorit, kanë pranuar kokëulur masat e rrepta edhe pse mund të të duken diku vulgare, raciste, apo dasuese. Përshëmbull këtu tek unë për të moshuarit ka një orar të herët si 7 e mëngjesit deri në 8. Dyshemetë janë plot kryqe blu për të lënë të kuptosh distancën që duhet të mbash. Ka edhe njoftime në derë kryesore e kudo mbi sasinë e lejuar të artikujve. Por ka edhe njerëz që të shërbejnë me dizifektues në duar. Nga ana tjetër të gjithë qytetarët i kryejnë ritet pa asnjë shkëmbim fjalësh, në heshtje ku nuk është e vështirë të kuptosh se sa të rrezikuar jemi nga njëri-tjetri dhe për njëri-tjetrin. Mirëpo në Prishtinë janë mbledhur më shumë se numri i domosdoshëm i karantimit duke harruar një fakt thelbësor, atë që së fundi u vërtetua botërisht se vatra e pandemisë për Italinë dhe Spanjën qe një ndeshje futbolli. Ajo e 19 shkurtit 2020 mes Atalantës dhe Valencias, pasi jo më pas se dy a tre ditë numri i të infektuar po merrte përmasa galoponte. Megjithatë përpos këtyre fakte dhe realiteti, ky mocion nuk ka as moral si civil ashtu dhe politik. Të kërkosh shkarkimin e kryeministrit përse heq një ministër bash pa mbushur as dy muaj qeverisje, kur je dhe vetë pjesë e koalicionit, janë me plot gojën teka të ulta për interesa personale. Apo gërrvërre katunarësh që nuk duan ta kuptojnë dhe nuk kanë për ta kuptuar kurrë një shoqëri që u ka dhënë shancin të drejtojnë. Sot kuvendi i Kosovës duhet të diskutonte se si t’i bashkangjitej botës në luftën kundër murtajës me qëllim që Prishtina a qytete të tjera të mos bëheshin një Italia, një Spanjë a një Kinë. Se si të organizoheshin për t’i ardhur në ndihmë atyre që nuk kanë asnjë të ardhur, të moshuarve të vetmuar, se si të ndihmojnë ata që mbesin pa punë, se si bizneset të mëdha e të vegjël mund të suportojnë punonjësit e tyre? Se si dikastaret të shkundin pluhurat, buxhetin… se, problemi nuk është vetëm ai që nuk ka, problemet janë mijra. Mendoni kredimarrësit, vonesat në pagesën e këstit, a mos pasja për ta paguar nga që del i pa punë etj. Të mendonin për një institucion karantinë që mos të nxirrnin jashtë të sëmurët nga pavionet e tjera. Të mos hapin dyert e burgjeve nga që nuk e kanë idenë se çfarë mund të bëjnë në kësi rastesh. Të mendojnë dhe diskutojnë për mjekët, infermierët, sanitaret dhe punonjësit e tjerë që do duhen të t’i shkojnë vdekjes në derë me ndërgjegjen profesionale. Por nuk e bëjnë. Dhe ky është me të vërtetë një turp kombëtar. E për më tepër nga një forcë politike e koaliduar nga një shenjt i madh si Ibrahim Rrugova.